Të dhënat e Policisë së Shtetit flasin për një rritje të numrit të personave që nuk kanë lënë gjurmë dhe janë në kërkim nga familjarët e tyre. Burimet sqarojnë se në 3 muajt e fundit 14 persona janë zhdukur vetëm në Qarkun e Vlorës.
Pavarësisht kërkimeve, Policia thotë se disa prej këtyre personave janë gjetur të mbytur, ndërkohë që dyshohet se një pjesë e tyre janë larguar jashtë Shqipërisë.
Brenda 1 muaji e gjysmë 5 persona janë gjetur të mbytur, duke filluar nga Vlora, Durrësi, Lushnja dhe Shkodra.
Në 27 mars në Bisht-Pallë në Durrës u gjet një burrë rreth 40 vjeç, i cili ishte nxjerrë në tokë nga deti. Policia thotë se burri nuk ka patur shenja dhune dhe dyshohet se është mbytur. Shkaqet mbeten ende mister.
Në 25 mars një adoleshente u gjet e mbytur në Lumin Shkumbin. Ende nuk dihen shkaqet e mbytjes dhe Policia dyshon se 15-vjeçarja mund të jetë vetëvrarë, por nuk përjashtohet mundësia edhe e një vrasje.
Në 15 mars u gjet i mbytur peshkatari Pjetër Frroku në Durrës. Dyshohet se ai ka rënë aksidentalisht në rrjetat e peshkimit, çka i ka sjellë edhe vdekjen.
Në 9 mars në Zvërnec të Vlorës u gjet një kufomë i cili u identifikua nga familjarët dhe ishte Luan Isai, që gjithashtu ishte i mbytur dhe trupi i tij u nxor në tokë nga deti. Arsyet e mbytjes së 31-vjeçarit mbetet mister për Policinë, pasi trupi ishte dekompozuar.
Në 12 shkurt të këtij viti në Shkodër, në fshatin Dragoc, u gjet trupi i një burri rreth 45-vjeç.
Trupi u gjet në një kanal dhe ende nuk është identifikuar. Edhe në këtë rast shkaku i vdekjes mbetet mister. /Shqiptarja