Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika, në një intervistë për gazetën “Panorama”, tha se në harkun kohor të 3 vjetëve, në vend janë ndërtuar rreth 400 km rrugë.
Kreu i ARRSH-së pohon se fondet e buxhetit janë të pamjaftueshme për ndërtimin e projekteve të mëdha në infrastrukturë, ndërsa shumë projekte janë zvarritur për shkak të problematikës që u trashëgua në të kaluarën. Xhika shpjegon arsyet për bllokimin e punimeve në bypass-et e Fierit dhe Vlorës, dhe projektet që do të financohen me koncesion.
Si do të përdoren paratë e huas me vlerë 35 milionë USD për rrugën Tiranë-Elbasan dhe kur pritet të përfundojë projekti?
Projekti i rrugës Tiranë-Elbasan është një projekt i trashëguar me probleme teknike të jashtëzakonshme. Autoritetit Rrugor Shqiptar i është dashur të kryejë një punë të madhe që, nëpërmjet këshillit teknik të aprovonte të gjitha projektet e detajuara të propozuara nga kontraktori, sidomos në lidhje me katër pikat kryesore, që ishte Mulleti, Iba dhe tri rrëshqitje të tjera përgjatë Ibës dhe bashkimit të tunelit me Kërrabën. Fondi i aprovuar me marrëveshjen e re do të shkojë për të gjitha rrëshqitjet që kanë ndodhur në këtë aks rrugor, për t’i dhënë zgjidhje definitive dhe për të garantuar sigurinë e kësaj rruge. Në fund të pranverës presim të përfundojmë segmentin nga rrethrrotullimi i TEG-ut deri në Ibë. Aktualisht është duke u hedhur shtresa asfaltike në këtë aks rrugor. I gjithë segmenti do të përfundojë në fund të vitit, por kur e themi këtë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse është një projekt shumë i madh, i vështirë, që lidhet shumë me të papriturat që mund të dalin gjatë zbatimit të tij, për shkak të terrenit, por edhe kushteve atmosferike.
Kur do të nisin punimet për Rrugën e Arbrit dhe si do të realizohet projekti?
Dihet që një pjesë e Rrugës së Arbrit është financuar nga ARRSH, ndërsa pjesa më e vështirë është ende pa u tenderuar. Pas tërheqjes së kompanisë kineze nga negociatat e një parakontrate, prej një viti e gjysmë kemi një kërkesë nga një kompani shqiptare, me një ofertë ekonomike. Kërkesa i është paraqitur Ministrisë së Transporteve dhe janë ngritur komisionet për vlerësimin e kërkesës, i cili do të shprehet shumë shpejt për këtë propozim të kompanisë shqiptare. Projekti do të bëhet me partneritet publik-privat. Nga ana e Autoritetit Rrugor janë marrë të gjitha masat për të bërë vlerësimin teknik të kërkesës për projektin. Të gjitha gjasat janë për një aprovim pozitiv, pasi edhe oferta e dhënë nga kompania shqiptare është shumë e favorshme. Është një ofertë diku te 190 milionë euro për përfundimin total të segmentit, me një gjatësi 70 km.
A janë të mjaftueshme fondet që merrni nga buxheti i shtetit për të përfunduar punimet në rrugët prioritare të rrjetit kombëtar?
Në vitin 2013 u ndeshëm me një mal borxhesh, me shumë kontrata dhe kantiere të lënë në mes të rrugës, shumë kontrata të hapura me pak fonde dhe ne u ndodhëm përballë vështirësive të mëdha. Shlyem të gjitha borxhet, gati 130 milionë dollarë, me perspektivën që çdo vit do të kishte një buxhet të kënaqshëm për të kryer planifikimin e këtyre kontratave. Realisht, ARRSH-ja ka shumë nevoja financiare për t’u shkuar pas kontratave të lidhura që nga viti 2009, 2010 dhe kjo është vështirësia më e madhe që jemi ndeshur, pasi nevojat financiare ishin shumë herë më të larta se buxheti që na vihej në dispozicion. Edhe pse Ministria e Financave ka bërë maksimumin për të na mbështetur me financim, këto fonde asnjëherë nuk kanë qenë të mjaftueshme. Ka pasur projekte që janë lënë jashtë planifikimit buxhetor, projektet prioritare kanë pasur një projekt minimal dhe mungesa e financimit ka krijuar shumë probleme në menaxhimin e kontratave, pasi janë projekte me kontrata të tejzgjatura nga afati i përfundimit.
Normalisht, një kontratë që duhet të përfundojë brenda 2 vjetësh shtyhet në 5, 6 apo 7 vjet, problemet e krijuara në menaxhim janë të jashtëzakonshme. Administrata e ARRSH-së është përballur shumë herë me këto problematika të krijuara për shkak të mungesës së financimit. Për fillimin e vitit 2016, nevoja e Autoritetit Rrugor Shqiptar për financimin e brendshëm të projekteve ishte 28 miliardë lekë, por ARRSH ka pasur në dispozicion për investime kapitale të brendshme 1,1 miliardë lekë. Pra shuma është jashtëzakonisht e ulët.
Për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës është gati një projekt, a ka një vendimmarrje politike për nisjen e punimeve?
Ende nuk ka një vendim politik për fillimin e ndonjë procedure prokurimi. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka një planifikim për sa i përket zhvillimit infrastrukturor kombëtar, ka një strategji ku përcaktohen projektet që do të financohen në 10 apo 20 vitet e ardhshme. Aksi Tiranë-Durrës është më i rëndësishmi, por nuk mund të quhet një autostradë, për shkak të problemeve të jashtëzakonshme që ka me hyrjet, daljet, mbikalimet, nënkalimet dhe sigurinë rrugore. Njëkohësisht, edhe nga matjet që ne kemi kryer llogaritet një numër i lartë mjetesh që qarkullojnë në këtë aks, i cili arrin deri në 40 mijë automjete në ditë. Për t’u dhënë zgjidhje këtyre problematikave, zhvillimit ekonomik përgjatë këtij aksi dhe për të rritur sigurinë rrugore, sipas standardeve bashkëkohore, zgjerimi i rrugës ishte pjesë e strategjisë së zhvillimit infrastrukturor. Këtë projekt e kemi ndarë në 3 lote, ku loti i parë nga rrethrrotullimi “Shqiponja” te Kthesa e Kasharit, loti i dytë është Mbikalimi i Kasharit- Vorë, dhe loti i tretë është Vorë-Durrës. Ndarja është bërë në mënyrë të tillë që, nëse buxheti i shtetit do të jetë në gjendje të financojë një projekt të domosdoshëm në vitet në vijim, mund të fillojë nga Vorë-Durrës, për të bërë korridorin Veri-Jug. Projektimi kërkon edhe një vit kohë për të përfunduar, në mënyrë që të jetë gati për zbatim. Në 5 vitet e ardhshme, në rast se do të ketë mundësi financiare nga buxheti i shtetit, mirë se të vijë dhe financimi i këtij projekti! Por mund të shihet edhe mundësia për t’u futur në strategjinë e re të partneritetit publik-privat.
Çfarë po bëhet me tri bypass-et, atë Vlorës, Fierit dhe Tepelenës? Kur do të jenë gati këto projekte?
Projekti i bypass-it të Fierit ka nisur në vitin 2012, me një kompani italiane. Fillimisht punimet nisën me ritme të mira, përveç problematikave të shpronësimit të tokave, të cilat u zgjidhën. Deri para një vit e gjysmë, punimet kanë shkuar mirë. Kemi pasur disa propozime nga ana e kontraktorit në lidhje me disa ndryshime, të cilat kanë kaluar pjesërisht në këshillin teknik dhe punimet po vazhdonin sipas grafikut të planifikuar. Lind një konflikt ligjor midis kontraktorit dhe nënkontraktorit dhe këtu nisën problemet për bypass-in e Fierit, të cilat janë të ngjashme me projektin e bypass-it të Vlorës, pasi është i njëjti kontraktor. Nuk ka pasur nga ana e ARRSH-së pengesë për të vonuar punimet. Për shkak të konfliktit ligjor mes kontraktorit dhe nënkontraktorit, ne jemi përballë disa procedurave FIDIC dhe vendimeve gjyqë- sore që jemi të bllokuar. Konkretisht, nënkontraktori ka bllokuar të gjitha llogaritë e kontraktorit dhe për këtë ne nuk kemi mundësi të kryejmë pagesa. Këto ditë kemi bërë shkresën për largimin e kontraktorit nga kantieret. Në rast se për dy javë ai nuk mobilizohet, është i detyruar të lërë kantierin dhe kontrata quhet e ndërprerë. Ndërsa për bypass-in e Tepelenës, jemi në fazën e përfundimit të projektimit, i cili po diskutohet në këshillin teknik të ARRSH-së, pra nuk kemi zbatim punimesh.
Kur do të përfundojnë punimet e rrugës Kardhiq-Delvinë dhe Qukës – Qafë-Plloçë?
Aksi Qukës-Plloçë, me gjatësi 40 km, është i ndarë në 3 lote dhe kontratat janë lidhur para një viti e gjysmë. Projekti ka pasur probleme të mëdha. Pasi është marrë në shqyrtim nga ana e kontraktorit, janë bërë rregullimet e duhura, të cilat janë paraqitur në këshillin teknik të ARRSH-së dhe tani procedohet me realizimin e projektit. Realizimi i punimeve në lotin e dytë ka arritur 25 për qind, ndërsa në lotin e parë 18 për qind. Afati i punimeve të tri loteve është trevjeçar dhe punimet pritet të përfundojnë në fund të vitit 2018. Ndërsa rruga Kardhiq-Delvinë është e ndarë në disa lote, punimet kanë përfunduar në lotin e parë dhe lotin e dytë. Për lotin e tretë është projekti, por ai nuk është tenderuar, pasi ka një vlerë deri në 60 milionë dollarë. Është loti më i vështirë, ku përfshihet ndërtimi edhe i një tuneli, ndërkohë që po shihet mundësia e financimit të këtij loti me partneritet publik-privat. Procedura mund të hapet me programin e qeverisë “1 miliard dollarë investime”.
Cili është bilanci në ndërtimin e rrugëve, në përfundimin e mandatit 4-vjeçar qeverisës?
Kemi pasur ndërhyrje teknike në të gjitha projektet që kishim trashëguar, kemi përfunduar projektin Lushnjë-Berat, ndë- rhymë në projektin Lin-Pogradec dhe e përfunduam, bypassin e Rrogozhinës, që ishte skëterrë për 13 vjet, për të gjithë ata persona që lëviznin, ku sot duket qartazi ndryshimi; MilotLezhë, pjesa e Unazës së Tiranës dhe loti i tretë, Tiranë-Elbasan. Është rruga Kavajë-Plepa-Rrogozhinë e lënë në mëshirë të fatit, ku në vitin 2013 të gjithë e kujtojnë gjendjen e tij. Nga 4 mijë km rrugë që administron ARRSH, në këto 3 vjet e gjysmë janë bërë gati 400 km rrugë, kjo do të thotë që ¼-a e këtyre rrugëve është bërë në këtë periudhë. Krahasuar me vitet e para, bilanci i rrugëve të përfunduara është më pozitiv. Kemi edhe dy procedura tenderimi që do të hapen brenda vitit, të dy projekteve të mëdha, ai i lotit të parë Çorovodë-Përmet dhe hyrja e Sarandës. Financimi do të kryhet nga buxheti i shtetit dhe për lotin Çorovodë-Përmet vlera është 1 miliard e 200 milionë lekë, ndërsa për atë të Sarandës 300 milionë lekë./Panorama