Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për Aldo Barebn. Në vendimin e Kushtetueses, thuhet se Gjykata e Lartë nuk i është përgjigjur pretendime të Aldo Bares, duke i shkelur atij të drejtën e aksesit dhe të ankimimit.
Me një vendim unanim, Gjykata Kushetuese ka vendosur të shfuqizojë vendimin me burgim të përjetshëm ndaj Aldo Bares, të cilit i lind e drejta të kërkojë lirinë.
Kërkesat e Aldo Bares do të shqyrtohen sërish në Gjykatën e Lartë dhe se Gjykata Kushtetuese nuk analizon kërkesat e të dënuarit Aldo Bare.
Referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, thuhet se Aldo Bares i është cënuar e drejta për proces të rregullt ligjor dhe i është cënuar e drejta e mbrojtjes së të gjykuarit raporton Panorama.
“Gjykata Kushtetuese, në datën 08.02.2017 ka vendosur: ‘Pranimin pjesërisht të kërkesës. Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr.00-2015-2087, datë 02.07.2015, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë’.
Për sa më sipër, sqarojmë se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe e ka dërguar çështjen për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë. Vendimi i saj nuk ka cenuar vendimmarrjen e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit për Krimet e Rënda, nga ku rezulton se kërkuesi është dënuar me burgim të përjetshëm”, thuhej në një njoftim të Gjykatës Kushtetuese.
Kështu, dosja “Bare” është kthyer për rigjykim në Gjykatën e Lartë me arsyetimin e shkeljeve të rënda procedurale.
Aldo Bare, është dënuar me burgim të përjetshëm për disa vrasje të kryera në Lushnje nga viti 1997 e në vazhdim.
Sipas Prokurorisë, pas vrasjes së vëllait të tij Ramadan Shkurti, Aldo Bare, ish-oficer i forcave speciale, vendosi të hakmerrej dhe krijoi një bandë kriminale, që kreu krime nga më makabret.
Për disa vite me radhë, ai qëndroi në arrati dhe emri Aldo Bares renditej në listën e të shumëkërkuarve.
Në 2006, ai u arrestua në Turqi për t’u ekstraduar më pas drejt Shqipërisë tri vite me vonë. Pas një beteje të gjatë gjyqësore, Aldo Bare, që më herët quhej Alfred Shkurti, u dënua përjetësisht.
Së fundmi ai i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shfuqizimin si antikushtetues të vendimeve të dhëna ndaj tij, e cila urdhëron tashmë Gjykatën e Lartë ta shqyrtojë këtë çështje.
Aktualisht Bare vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin./a.m.