Të tjera detaje mësohen për operacionin anti-drogë ku në pranga ranë edhe 4 efektivë të policisë në pikën e kalimit kufitar të Qafë –Thanës. Krahas arrestimit të 4 policëve prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe ndaj disa biznesmenëve shqiptarë dhe maqedonas si dhe punonjës dogane në pikat e kalimit kufitar të Qafë Thanë dhe portit të Durrësit.
Burimet thonë se kalimi me lehtësi i 8 tonëve hashash në dy pikat e kontrollit kufitar shqiptar, është bërë në bashkëpunim dhe me dijeni edhe të personave të tjerë. Sipas organit të akuzës, dyshohet se hashashi është dërguar nga Shqipëria në Maqedoni në rrugë të ndryshme, ku është paketuar në një nga magazinat e ngritura enkas për këtë punë shumë pranë kufirit me Shqipërinë.Hashashi, është paketuar në qese disa kilogramshme së bashku me pluhur gipsi për të evituar edhe aromën e lëndës narkotike nga qentë antidrogë, raporton opinion.al
Më pas, kamioni është nisur për në Shqipëri, ku në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës 4 efektivët e policisë kanë bërë githçka fiktive. Ata kanë përpiluar dokumentet sikur kamioni ka hyrë në skaner, është bërë kontrolli fizik i ngarkesës, i dokumentave shoqëruese, është plumbosur dhe vulosur për transit në Shqipëri me destinacion italin.Hetuesit, thonë se i çuditshëm është fakti pasi kamioni me shoferin maqedonas nuk rezulton i regjistruar në hyrje të territorit shqiptar por vetëm në dalje.
Sipas prokurorisë, edhe në portin e Durrësit mbrëmjen e 5 shkurtit të këtij viti kamioni i mbsuhur me 8 ton hashash nuk i është nënshtruar kontrollit, duke u imbarkuar në target qetësisht.Kamioni me shoferin maqedonas ka udhëtuar me linjën Durrës-Ankona dhe kishte destinacion final Belgjikën. Me të zbritur në Ankona, thonë burimet e prokurorisë, policia italiane ka dyshuar për ngarkesën e kamionit dhe i është vënë nga pas.
Shoferi, pasi ka konstatuar se po ndiqej nga policia, është ndaluar në një parking dhe ka tentuar të shkëpusë karrocierin e kamionit për t’u larguar kur ka ndërhyrë policia duke arrestuar shoferin. Sipas prokurorisë, 4 punonjësit e policisë të arrestuar me vendim gjykate, Çlirim Pepa, Ervin Kodra, Lirim Halili dhe Syrja Terziu ishin me detyrë në pikën e kontrollit kufitar të Qafë thanës që kanë lejuar kalimin e 8 tonëve hashash. Ata akuzohen për “trafik droge” në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
a.ç