Në mbledhjen e djeshme, KLD ka rrëzuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për të shkarkuar nga detyra kryetaren e Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi, për shkak të një vendimi të dhënë lidhur me pronësinë e tokës në Gjirin e Lalëzit, e cila u bë shkak për dhunimin dhe largimin nga Shqipëria të biznesmenit libanez, Fadi Mitri, shkruan Shqiptarja.com.
“Në vijim të mbledhjes, anëtarët e Këshillit shqyrtuan propozimin e Ministrit të Drejtësisë për dhënie mase disiplinore ndaj gjyqtares J. Q, kryetare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës. Pasi dëgjuan observacionin e gjyqtares si dhe pas diskutimeve mes anëtarëve, Këshilli vendosi rrëzimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë”, thuhet në njoftimin e KLD.
Bëhet fjalë për vendin ku kompania “Omnix Albania” do të ndërtonte një kompleks gjigant turistik me vlerë 450 milionë dollarë. Deri në fillim të vitit 2016, e gjithë sipërfaqja rezultonte pasuri e paluajtshme publike në regjistrat e shtetit.
Por më datë 25 mars të vitit të kaluar, Gjykata e Durrësit, ka dhënë vendim që 45 dynymë nga kjo sipërfaqe t’i njihet si pronë një familje nga Durrësi.