Itali-Shqipëri do të jetë një ndeshje spektakolare. Palermo duket se është kthyer sot në “qytetin e shqiponjave, pasi tifozët kuqezi kanë mbushur rrugët e qytetit italian. Të veshur me fanella dhe shallë kuqezi, e me flamuj në duar, këngët shqiptare dëgjohen kudo në Palermo.
Qindra mijëra tifozë shqiptarë janë sot në pritje për të parë në stadium përballjen mes ekipit shqiptar dhe italian në orën 20:45.
Ndërkohë gjatë paradites së sotme një delegacion shqiptar ka vizituar Piana degli Albanesi, një qytezë 35 kilometra larg Palermos, e cila është e populluar nga arbëreshët, shqiptarët që kanë emigruar aty që nga koha e Skënderbeut. Prej rreth 500 vitesh shqiptarët janë spostuar në këtë pjesë të Siçilisë, në Piana Degli Albanesi, që sot ka një komunitet prej rreth 13 mijë arbëreshësh.
Kombëtarja shqiptare përballet sot në orën 20:45 me përfaqësuesen italiane në stadiumin e Palermos, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018”.
Tekniku i kuqezinjve, Giani De Biasi në konferencën për shtyp të mbajtur mbrëmjen e djeshme tha se diferencat janë të dukshme, por ndaj italianëve duhet të japim maksimumin nëse duam të marrim rezultat.
De Biasi rikthehet në Palermo, në një qytet ku në rininë e tij si futbollist kaloi 3 sezone pozitive, duke shënuar edhe 9 gola. Por tani në stolin e kuqezinjve, ai shpreson se njohja e rivalëve do ta ndihmojë këtë mbrëmje.
Italia kryeson grupin G së bashku me Spanjën, me nga 10 pikë secila, ndërsa Shqipëria ndodhet në vendin e katërt me 6 pikë.”/b.d