Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Eduart Shalsi u betuan të premten para presidentit të Republikës Bujar Nishani, një ditë pas miratimit të dekreteve të emërimit nga Kuvendi.
Pas leximit të formulës së betimit, katër anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrave u betuan para Kreut të Shtetit duke firmosur dokumentin e betimit.
Rreth 2 javë më parë kryeministri, Edi Rama njoftoi shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe zëvendësimin e tij me Fatmir Xhafajn. Ky i fundit mbante postin e kryetarit të komisionit të Çështjeve Ligjore në Kuvend. Po ashtu, kryeministri njoftoi edhe shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe zëvendësimin e tij me Ogerta Manastirliun, e cila mbante postin e drejtores së QSUT-së.
Në të njëjtën kohë, Kryeministri vendosi shkarkimin e ministrit Blendi Klosi dhe zëvendësimin e tij me Olta Xhaçkën, deputete e Partisë Socialiste si dhe shkarkimin e Bledar Çuçit dhe emërimin në vend të tij, të Eduart Shalsit, i cili më herët mbante postin e kreut të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese.
/b.d