Bregu i Liqenit të Kukësit është mbushur ditët e fundit me peshq të ngordhur.
Në të gjithë gjatësinë e bregut nga Ura e Drinit të Zi deri tek Ura e Drinit të Bardhë, gjendet një sasi mjaft e madhe e peshqve të ngordhur. Specialistët e mjedisit janë shqetësuar, pasi dy ditët e fundit, përgjatë vijës panaromike të liqenit, kanë parë sasi peshku të ngordhur të llojit gjuc. Dyshohet se është përdorur dinamit.
Sipas specialistëve sasia e peshkut të ngordhur nuk llogaritet pasi ata gjenden kudo si në breg, ashtu edhe në thellësi të liqenit.
‘’Që nga ura e Drinit të Zi e deri tek ura e Drinit të Bardhë gjendja është e mjerueshme. Bregu është i ndotur, në çdo hap mund të hasësh nga 70-100 individë të ngordhur. Kjo gjendje ka ardhur si pasojë e një gjuetie masive, ose të një gjuetie me lëndë plasëse’’, u shpreh Arben Palushi, ekspert i mjedisit.
Sipas Palushit, është hera e parë që në ujërat e liqenit të Fierzës ka sasi kaq të madhe të peshqve të ngordhur.
a.ç