Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimin pasuror për të dyshuarit, familjarët e tyre dhe personat e lidhur me ta. Prokuroria e Krimeve të Rënda nis hetimin pasuror për pjesëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Admir Murataj, që dyshohen si autorë të grabitjes 3.2 milionë dollarëve në aksin Qafë Kashar-Rinas.
Lajmi konfirmohet për “BalkanWeb” nga burime zyrtare të organit të akuzës, të cilat thanë se iu janë drejtuar me shkresa bankave të nivelit të dytë, zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe gjendjes civile. Hetimi do të përfshijë jo vetëm të dyshuarit, qoftë ato në pranga apo në kërkim, por edhe personat e afërm apo të lidhur me ta. Një burim pranë prokurorisë tha për “BalkanWeb” se janë në prirje te ardhjes së përgjigjeve nga institucionet, mbi bazën e të cilave do të konfirmohen pronat dhe pasuritë që zotërojnë të dyshuarit dhe personat e bashkëlidhur me ta.
Nga verifikimet e para rezulton se një pjesë e shumës së grabitur në dy ngjarjet, është investuar nga të dyshuarit në ndërtimin e banesave luksoze apo biznese. Ende nuk ka një përgjigje nga bankat nëse të cilësuarit si pjesëtarë të grupit Kriminal zotërojnë llogari bankare dhe shumat përkatëse që kanë në to. Dy hetimet, ai për zbardhjen e grabitjeve dhe ai pasuror po zhvillohen paralelisht nga Krimet e Rënda. Deri më tani për grabitjet e 5 dhjetorit 2015 dhe 9 shkurtit 2017, janë arrestuar 8 persona, ndërsa vazhdon të jetë në kërkim, Admir Murataj, i cilësuar si kreu i grupit kriminal. I dyshuar për ngjarjen e fundit ku u godit blindi në rrugën e Rinasit, është edhe Klement Cala, për të cilin ende nuk është firmosur urdhër-arrest./a.m.