Dëmtimi nervor nga sëmundja neurodegjenerative dhe lëndimi kurrizor kryesisht janë konsideruar të pakthyeshëm, por studiuesit nga Dartmouthi raportojnë përparim në përpjekjet për t’i sintetizuar produktet e rralla natyrore, të cilat e nxisin rigjenerimin dhe rritjen e qelizave të dëmtuara nervore, transmeton koha.net.Gjetjet janë publikuar në Journal of the American Chemical Society.
Neurotrofinet, ose proteinat të cilat e promovojnë zhvillimin e neuroneve, janë hulumtuar si agjentë të mundshëm terapeutik, por kanë të meta të ndryshme. Një grup i produkteve të vogla molekulare natyrale, megjithatë, ka veti të fuqishme neurotrofike pa të metat e agjentëve me bazë proteinike. Për fat të keq, një burim i sasive të përshtatshme të këtyre substancave për ta mundësuar eksplorimin e plotë mjekësor ende nuk është identifikuar.
Si i tillë, zhvillimi i proceseve sintetike për t’i gjeneruar molekulat në këtë klasë (dhe analoget e lidhura të panatyrshme) është thelbësisht i rëndësishëm për të krijuar shkencë të aftë për ta nxitur zbulimin e agjentëve terapeutikë brenda klasës. Shumë anëtarë të kësaj klase të produkteve natyrale kanë struktura shumë komplekse karbociklike të cilat kanë qenë sfida të konsiderueshme për kiminë moderne sintetike.
Tani, hulumtuesit në Dartmouth kanë zbuluar se një nga reagimet e tyre kimike të zbuluara kohët e fundit është në gjendje t’i ofrojë disa prej anëtarëve më të fuqishëm dhe të rrallë të kësaj klase të produkteve natyrale.
Hulumtimi i tyre rezultoi në përgatitjen laboratorike të tri produkteve neurotrofike natyrale në klasë dhe e demonstroi aplikimin e parë të reagimit të tyre karbocikël-formues në sintezën e produktit natyral. Përveç këtyre arritjeve, studimi gjithashtu çoi në zbulimin e një procesi të ri të reagimit kaskador radikal, i cili rezultoi i rëndësishëm për plotësimin e sintezave të tyre laboratorike të këtyre agjentëve kompleksë.
“Përparimet e kësaj natyre janë thelbësisht të rëndësishme për përcaktimin e një themeli të shkencës të nevojshme për avancimin e produkteve të rralla natyrore si agjentë terapeutikë”, thotë bashkautori dhe hulumtuesi kryesor, Glenn Micalizio, profesor i kimisë nga Neë Hampshire në Kolegjin Dartmouth. “E thënë më thjesht, pa një mjet sintetik për t’iu qasur agjentëve të tillë, zhvillimi i terapive bazuar në strukturën e tyre nuk do të jetë i mundur.
Derisa sintezat e tjera të produkteve natyrore në këtë klasë janë raportuar kohët e fundit nga të tjerët, arritja jonë e tanishme e përcakton një rrugë të veçantë të sintezës e cila mund të përdoret për të përgatitur analogë sintetikë, të cilët nuk arrihen lehtë nga të tjerët. Gjithashtu, kjo e shënon aplikimin e parë të suksesshëm të metodës sonë kimike për sintezën hidrindanike në kontekstin e sintezës së produktit natyror”. (b.an)