Kandidati konservator i presidencialeve franceze, François Fillon, është përballur me një akuzë të re këtë të mërkurë, sërish përmes një raporti të të përjavshmes investigative “Le Canard Enchaine”. Sipas raportit, kompania e tij konsulente ka ndërmjetësuar një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe manjatit libanez të naftës, Fouad Makhzoumi, në një forum ekonomik të vitit 2015.
Për këtë ndërmjetësim, kandidatit francez për president i janë paguar 50 mijë euro.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Kremlinit përmes zëdhënësit të Putinit, Dmitry Peskov, i cili e ka krahasuar raportin me atë që është togfjalëshi më i dëgjuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, “fake news” (lajm i rremë).
Peskov shtoi se “takimet e presidentit organizohen në përputhje të plotë me protokollin” dhe se Kremlini “nuk ka nevojë për ndërmjetësues”. Fillon është gjithashtu nën shënjestrën e një hetimi më të thelluar, pas akuzave se iu ka ofruar familjarëve të tij paga nga fondet shtetërore për punë fiktive, të cilat nuk janë realizuar kurrë. Ai mohon të ketë shkelur ligjin, e megjithatë akuzat ia kanë shkatërruar fushatën për zgjedhjet presidenciale të prillit dhe majit.
ma.me