Reforma arsimore e iniciuar nga qeveris Rama shpeshherë është kritikuar nga aleati i saj në koalicion LSI. Këtë herë reagimi kundër sistemit të vendosur për Maturën Shtetërore, gjatë një takimi me maturantët e qytetit të Korçës, kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi vuri theksin tek fakti që procesi i Maturës Shtetërore të jetë sa më transparent, bazuar në meritokraci.
“Do t’i gjejmë zgjidhje problemeve të të gjithëve juve, që të shkoni në shkollat që ëndërroni, të shkoni në shkollat që ju keni punuar për dymbëdhjetë vjet e jo të shkoni në shkollat që skema arsimore ju çon juve. Për këtë ju garantoj dhe do të jemi çdo ditë duke punuar me njëri-tjetrin, duke luftuar për këtë kauzë, për ëndrrat, për shanset që ne do t’ju ofrojmë juve. Jam e bindur që të gjithë bashkë do punojmë që kjo maturë shtetërore të jetë maturë model, të jetë maturë transparente dhe të jetë maturë që të ofrojë shanse të barabarta për të gjithë ne”,- tha kryetarja e LRI-së.
Duke folur përpara maturantëve, zëvendësministrja e Arsimit dhe e Sportit, Nora Malaj theksoi se investimi në studime është investimi më i saktë që mund të bëj çdo i ri dhe për këtë LSI dhe LRI i jep mbështetje maksimale të rinjve. “Përpara çdo lloj investimi në kapitalet e tjera, kapitali më me vlerë është kapitali në investimet e studimeve. Ndaj si forum politik mbështesim nismën e LRI-së që maturantët e 2017 do të kapin nivelin e notës mesatare në Maturën Shtetërore 7.5. Dhe këtu do të fillojë sfida e parë e provimeve të Maturës Shtetërore për të kuptuar që LRI dhe LSI prioritetin e maturantit, prioritetin e çdo fëmije, prioritetin e çdo familje e ka prioritare”, – tha Nora Malaj.
Pak ditë më parë, Monika Kryemadhi, kërkoi publikisht të mos përsëriten gabimet e vitit të kaluar me Maturën Shtetërore. Kryemadhi nënvizoi rëndësinë që ka matura shtetërore për gjimnazistët pasi gabimet në procesin e Maturës Shtetërore cenojnë të ardhmen e të rinjve. Ndërkohë, Nikolla iu kundërpërgjigj Kryemadhit, duke shtuar se ishte habitur nga deklarata e kësaj të fundit. Nga ana tjetër, Nikolla i ka kujtuar dhe kontributin e kryetarit të Kuvendit, Ilir Metës, bashkëshortit të Kryemadhit, në procesin e hartimit të praktikës së re të Maturës Shtetërore. Ministrja ‘sulmoi’ Kryemadhin, duke shtuar se gjithçka bëhet për disa vota më shumë.
ma.me