Betejat e Berishës para zgjedhjeve të 22 marsit që përcaktuan edhe “armiqtë e brendshëm”, fitorja historike, ndarja e pushtetit dhe përjashtimi i kundërshtarëve. Zgjedhjet që përcaktuan rrugën e demokracisë së 26 viteve në Shqipëri
Në nëntor të vitit 1991, Partia Demokratike vendosi të largohet nga bashkëqeverisja më PS-në. Qeveria e Stabiliteti ishte produkt i një marrëveshje mes PD-së dhe PS-në për të nxjerrë vendin nga kriza që ishte përfshirë për shkak të protestave masive në të gjithë vendin. Protestat erdhën pas zgjedhjeve të 31 marsit, të cilat u fituan nga PPSH-ja. Vendimi për të dalë nga qeveria e stabilitetit erdhi në një situatë komplekse brenda Partisë Demokratike. Në PD ishin shfaqur prej muajsh ndarjet mes grupeve për shkak të luftës për pushtet. Ndërkohë PPSH-ja ishte riemërtuar si Partia Socialiste e Shqipërisë, dhe në krye të saj ishte zgjedhur Fatos Nano.
Në negociata mes PS-së dhe PD-së u përcaktua koha për zgjedhjet e parakohshme. Ato do të mbaheshin më 22 mars 1992. Partia Demokratike hyri në këtë fushatë, me problematikën e mbartur që prej momentit të daljes nga qeveria e stabilitetit. Kishte disa themelues të PD-së që kishin kundërshtuar daljen nga qeveria e stabilitetit dhe ata do të evidentoheshin shpejt si kundërshtarët e Berishës në PD. Ndër ta dhe më kryesori, ishte Gramoz Pashko. Kundërshtarët e shfaqur gjatë kësaj kohe, Berisha nisi t’i ndëshkojë. Disa prej tyre nuk u përfshinë në listën e kandidatëve për deputet. Nga ana tjetër, pesha e liderit kishte marrë përmasa të mëdha dhe fjala e tij kishte nisur të ndikonte mbi votën e forumeve drejtuese të partisë në bazë. Edhe disa prej emrave me kontribute thelbësore në PD gjatë atyre muajve rrezikuan të ishin pjesë e listës së kandidatëve për deputet. Gramoz Pashko, Arben Imami, Preç Zogaj, Arben Demeti, Shahin Kadare e të tjerë, fituan garën për kandidat për deputet, pas një betejë të ashpër me njerzit e Berishës në forumet drejtuese të PD-së.
Në këtë situatë, në prag të zgjedhjeve të 22 marsit të vitit 1992, Partia Demokratike miratoi një rezolutë të brendëshme e cila kishte disa pika që përcaktonin funksionimin e brendshëm të Partisë. Dy prej tyre lidheshin me mosmarrëveshjet brenda themeluesve të PD-së.
Pjesë nga Rezoluta
- Rreth grindjeve në sferat drejtuese të partisë
Në popull flitet shumë për grindje dhe prishje qejfi midis drejtuesve qendrorë e lokalë, ose midis atyre qendrorë me ata lokalë. Pjesa më e madhe ndër ato që thuhen dihet se janë thashetheme të hartuara dhe të shpërndara nga “zyra e posaçme” e shpifjeve të forcave të vjetra. Por nuk mund të mos bjerë në sy edhe një e vërtetë e pamohueshme, se aktivistë me rëndësi apo deputetë të PD-së i bëjnë pronë të opinionit publik vërejtejet negative që kanë ndaj njëri-tjetrit, gjë që në kushtet e mentalitetit tonë prapanik përhapet me qejf në trajtë thashethemesh, duke i bërë një dëm të madh prestigjit të partisë. Është e domosdoshme, që ky problem të diskutohet me aktivistët kryesorë të partisë dhe të deputetëve dhe të kërkohet që për hir të prestigjit të Partisë Demokratike dhe më gjerë, për hir të fitores së demokracisë, grindjet e vogla dhe qefprishjet në gjirin e partisë të mos dalin në asnjë rrethanë jashtë saj.
E mira është, që njerëzit e rëndësishëm të partisë të bëjnë të gjitha përpjekjet për t’u shkëputur nga edukata primitive e interesave meskine apo e sedrës aspak evropiane të hatërmbetjeve për hiç gjë. Mentaliteti modern i njeriut shpirtgjerë, që hap rrugë, që pret me gjakftohtësi vërejtjet (edhe kur ato janë pa vend), duhet të zërë vend para së gjithash në shpirtin dhe zemrën e aktivistëve të rëndësishëm të partisë, e veçanërisht tek drejtuesit e saj.
- Rreth fraksioneve në parti
Në rrethanat aktuale është i domosdoshëm uniteti për partinë. Kur ka diferenca pikëpamjesh për çështje të vogla, të cilat mund t’i lihen të ardhmes, debatet për këto gjëra është mirë të pezullohen për të mos u bërë mollë sherri. Kur divergjencat lidhen me çështje esenciale, është e domosdoshme që asnjëra nga palët të mos jetë kategorike, a të pretendojë për monopolin e të vërtetës. Debatin duhet ta udhëheqë porosia e një filozofi, që thotë se “në një debat tolerant, secili nga bashkëbiseduesit duhet të niset nga mendimi, se e vërteta mund të jetë sa nga ana e vet, aq edhe nga ana e kundërshtarëve”. Debati nga këto pozita nuk çon kurrë në grindje. Kur pozitat nuk afrohen pranohet kompromosi, ose pozicionet ruhen për diskutime të mëvonshme, pa çuar në grindje. Pozicionet e ndryshme për çështje jothemelore, kur nuk shoqërohen me sulme por mbrohen me argumente të qeta, nuk e dëmtojnë partinë.”
Partia Demokratike i fitoi zgjedhjet e 22 marsit dhe kjo fitore u konsiderua historike nga opinioni brenda dhe jashtë vendit. Berisha u zgjodh president, ndërsa kryeministër u zgjodh Aleksandër Meksi. Para zgjedhjes së Berishës president, u miratuan në parlament disa ndryshime në dispozitat kushtetuese për kopetencat e presidentit. Posti i presidentit mori peshë absolute në drejtimin e vendit. Kryeministrit i mbetej pak në dorë. Ndërkohë, shumica e atyre që u indentifikuan si kundërshtarë të Berishës nuk u bënë pjesë e qeverisë Meksi. Pas zgjedhjes në postin e presidentit, Berisha i la vendin e kryetarit të PD-së, Eduard Selamit, i cili u zgjodh pas një gare përballë Arben Imamit. Kundërshtarët e Berishës nuk u zgjodhën as në forumet drejtuese të PD-së.
Pak muaj më pas PD humbi betejën elektorale përballë PS në zgjedhjet vendore të 26 korrikut. Për këtë humbje, u akuzan pikërisht ata, kundërshtarët e Berishës, të cilët sipas tij nuk ishin angazhuar në fushatë. Mirëpo asnjë prej tyre nuk ishte më në pozicionet e mëparshme. Aktivizimi i tyre shkonte në sinkron me rolin që kishin në drejtimin e partisë. Ata ishin deputetë të thjeshtë. Ky është edhe argumenti i tyre për qëndrimin e tërhequr në fushatën e zgjedhjeve të 26 korrikut. Të tjera arsye sipas tyre çuan në humbjen e PD-së, të cilat nuk kanë aspak lidhje me neglizhencën e tyre. Por një qëndrim i prerë i forumeve të Partisë Demokratike të asaj kohe, do t’i përcaktonte pikërisht ata si “grupin armiqësor”, që do të quheshin pak muaj më pas “mocionistët”./27.al