Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Bashkimi Europian duhet të kishin reaguar me herët pasi shqetësimi nga influenca ruse ne Ballkan nuk është i ri.
Pas projekt rezolutës së dorëzuar ne Kongresin Amerikan për ndikimin rus ne zgjedhjet ne Europe përfshi edhe Shqipërinë, Kryetarja e Komisionit te Integrimit Majlinda Bregu, ve ne dukje se duhet te kishte pasur me shume vëmendje per shenjat e alarmit qe kane qenë te dukshme ne Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga Serbia, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi e deri tek Maqedonia.
“Ndjehet që ka një rrezik, i cili është një rrezik i fuqishëm, është rreziku i financimeve ruse, të cilat mund të fshihen me emra e kompani të tjera nga njëra anë, është rreziku i influencës për të mbajtur gjallë regjimet autoritare, është një rrezik i kombinuar tashmë jo vetëm me influencën ruse, por me tendencat populiste apo pjesën e terrorizmit dhe kërcënimit të terrorit. Pra janë të gjitha bashkë një panoramë, e cila e bën më të domosdoshme një vëmendje më të madhe për ta konsideruar Ballkanin Perëndimor si një prioritet strategjik të politikës së jashtme të BE”.
Shpallja e Ballkanit Perëndimor, prioritet te Bashkimit Europian, sipas Bregut, është i rëndësishëm pasi Rusia e ka vendosur ne prioritetet e saj rajonin tone.
“Në rast se BE, SHBA duan të konsolidojnë jo vetëm demokracitë në vendet tona, por njëkohësisht i japin hov akoma më tutje perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor dhe të mos e lenë atë peng të kërcënimeve që vijnë qoftë nga Rusia apo qoftë edhe nga influence të vendeve të tjera, të cilat siç mund të mos pritej vite e shekuj më parë po bëhen bashkë për të shtrirë influencat e tyre në Ballkanin Perëndimor, është koha për të mos thënë që duhet të ishte qysh dje për të kthyer një vëmendje më të madhe për Ballkanin Perëndimor. Që do të thotë se nuk duhet të mjaftohet vetëm me shprehje interesi për investime me takime dhe me tryeza të përbashkëta, por për t’i dhënë mundësi sigurisë, e cila është çështje prioritare sot, sidomos pas problemeve që ndodhën në Ukrainë”, tha Bregu për “Vizion Plus”.
Ne rastin e Shqipërisë, politika jone e jashtme ka qene gjithnjë pro NATO-s e BE, por rreziku nuk përjashtohet.
“Shqipëria është vendi më pro perëndimor në Ballkan dhe sigurisht kjo është një gjë që na jep ne sigurinë së brendshmi, por askush nuk mund të përjashtojë që influenca ruse dhe njëkohësisht tentativa për kërcënim të mos jetë i ndjeshëm edhe për Shqipërinë, përsa kohë që është aq i ndjeshëm në kufijtë e shteteve fqinje”.
Pak dite me pare disa senator dorëzuan nje rezolute ne Kongresin Amerikan ku ngrihej alarmi se Moska zyrtare është angazhuar në një fushate publikimesh të lajmeve të rreme, por dhe sulmesh kibernetike, me qëllim që të ndikojë në rezultatet e vendeve që mbajnë zgjedhje, mes të cilave dhe Franca, Gjermania, Britania, por edhe Shqipëria./b.d