Gjermanët bëjnë çudinë. “Laibach” do të jetë grupi i parë i Perëndimit, i cili do të mbajë koncert në Korenë e Veriut. Prapa këtij projekti është artisti norvegjez Morten Traaavik, i njohur për projektet kontroverse pikërisht në Pyongyang.
Ai thotë se në Kore të Veriut ka çuar diskon për herë të parë, përderisa studentët e këtij vendi i ka mësuar të luajnë në harmonikë këngë të pop-yjeve norvegjezë e xhirimet e tyre janë bërë hit në “YouTube”. E për këtë, nuk është për t’u habitur me nismën e tij të radhës, që atje të dërgojë grupin “Laibach”, jo rrallë i cilësuar si kontrovers.
Morten Traavik është artist konceptual, regjisor i cili tash e disa vjet është shndërruar në një lloj ure lidhëse midis Koresë Veriore dhe botës artistike të Perëndimit. Së paku kësisoj e konsiderojnë disa nikoqirë të tij në Pyongyang. Hapi i radhës në kuadër të projekteve të tij që kanë të bëjnë me këtë vend, është që atje të realizojë një projekt jo të zakonshëm për një vend të mbyllur. “Laibach” do të performojnë në kuadër të festës kombëtare, Ditës së Çlirimit. Muajin që vjen, Koreja e Veriut shënon 70-vjetorin e çlirimit nga okupimi japonez.