Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama se PS do të futet në zgjedhje edhe pa opozitën, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Basha thotë se Rama e ka të vështirë të kuptojë pluralizimin, dhe se nuk mund të ketë qeveri të dalë nga zgjedhjet pa opozitën.
Sipas Bashës, protesta opozitare do të vazhdojë për të arritur synimin e saj, që zgjedhjet mos diktohen nga krimi. Basha insiston se zgjedhje me shërbëtorë të krimit në qeverisje dhe Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë.
Reagimi i kryetarit të PD Lulzim Basha:
Edi Rama dhe udhëheqësit e lartë të PS-së, pothuajse të gjithë funksionarë ose pinjollë të ish-elitës komuniste, ngatërrojnë dëshirat e tyre me vullnetin e popullit dhe identifikojnë karriken e tyre me demokracinë. Ata e kanë të vështirë të kuptojnë pluralizmin, të kuptojnë sovranitetin e qytetarëve mbi pushtetin e tyre.
Trimat dhe trimëreshat socialiste, shërbëtorë të krimit por që ndihen padronë të popullit, duhet të kuptojnë se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë, se qeverisje të dalë nga zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë.
Ne nuk kemi asnjë ngut dhe nuk kemi asnjë mëdyshje. Ne jemi të qetë, por të palëkundur në qendresën tonë. Zgjedhje të ndikuara apo kontrolluara nga krimi nuk do të ketë. Zgjedhje me shërbëtorë të krimit në qeverisje nuk do të ketë. Zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë. Situata është e qartë dhe e thjeshtë: ne jemi me popullin, ata janë me krimin. Vetëm njerëzit me gjendje jo të kthjellët psiqike nuk e kuptojnë dot se cili do të jetë rezultati i kësaj përballjeje.
a.ç