Nga Mentor Nazarko
Shenjat demokrate se Fatmir Xhafaj mund të mos dekretohej si ministër i brendshëm nga Presidenti Nishani ishin të plota. Gjithçka i ngjante një skenari që duhej të çonte pikërisht tek mosdekretimi. Në fillim të javës që shkoi, sapo Rama bëri publik emrin e tij, ish-kryeministri Berisha lëshoi menjëherë dy silura të qytetarëve dixhitalë përbaltëse të kandidaturës së Fatmir Xhafës. Silurat më pas u transformuan në intervista autentike në largësi, me zë dhe figurë të një zonje dhe një zotërie tjetër. Ata pretendojnë se ishin dhunuar nga zoti Xhafaj në cilësinë e hetuesit në vitin 1986, dëshmi vërtet tronditëse dhe të afta të krijonin bazament moral për ta refuzuar kandidaturën e tij. Si për t’i vënë kapak, me triumfalizmin e tij nga çadra, u shfaq disa herë kreu i PD-së, Basha, që dha siguri për mosdekretim të Xhafës nga ana e presidentit. Kësisoj, konferenca presidenciale e shtypit pritej të ishte në linjën e refuzimit presidencial: kronikë e një mosdekretimi të paralajmëruar. Suspansa ishte e garantuar: e diela zakonisht nuk ka ngjarje politike dhe konferenca e kishte gjithë vëmendjen e publikut dhe medias.
Ndërkohë, pikërisht pas një serie rrethanash si kjo, Presidenti Nishani zhgënjeu krahun e vet politik, të paktën veprimtarët e thjeshtë, duke e hedhur përgjegjësinë tek parlamenti. Ai shprehu në mënyrë përfundimtare, pamundësinë e refuzimit të kandidaturës së Xhafajt si ministër i brendshëm, megjithëse e shihte si të papërshtatshëm. Edhe kjo ishte sërish fjali e përmbajtur e tij, megjithëse në momente të caktuara Presidenti ka qenë i ashpër, madje dhe me kryeministrin. Gjatë konferencës, kreu i shtetit, në fund të mandatit, tregoi akademikisht disa rrugë si për shembull hetimi parlamentar për ta ndaluar Xhafën të bëhet ministër. Po ashtu, ai shprehu frustrim pse kushtetuta nuk parashikonte më shumë kohë që presidenti të hetonte rreth figurës së kandidatministrave. Por vetëm kaq për ngushëllim. Dhe prej fjalëve të tjera të Presidentit në konferencën e shtypit, apo prej asaj që ai nuk bëri ndaj Xhafës, hapen tri plane diskutimi.
A mund të vendosë Presidenti një precedent refuzimi të ministrit për arsye morale?
Në konferencën e shtypit, zoti Nishani tha se nuk e ka të drejtën e refuzimit të një ministri. Togfjalëshi i thënë prej tij ngjan korrekt logjikisht dhe fjalë për fjalë, por vetëm kaq. Kushtetuta nuk parashikon shprehimisht në asnjë nen refuzimin e ministrave, dhe as që mund të mendohet për garantim të «ndonjë të drejte refuzimi» në republikën parlamentare. Por Kushtetuta as nuk e ndalon refuzimin e ministrave. Madje dokumenti themeltar i shtetit e lë të nënkuptuar qartë refuzimin. Sipas këtij urdhërimi të nënkuptuar të Kushtetutës, kur ministri nuk përmbush kushtet e zgjedhshmërisë së deputetit, si konfliktin e interesit, etj., parashikuara në nenin 103 të saj, apo kushtet e tjera në ligjin e dekriminalizimit, ai duhet të refuzohet.
Por nuk është vetëm kjo çfarë parashikon apo lë të kuptohet kushtetuta. Ligji themeltar përdor termin emërim të ministrave nga presidenti, duke i njohur të drejtën kreut të shtetit të «fusë pak hundët» në fillimin nga detyra të ministrit të ri. Kushtetuta nuk thotë: Presidenti dekreton emërimet e ministrave nga kryeministri, diçka që do të nënkuptonte se Presidenti thjesht legalizon emërimet e shefit të qeverisë. Shqipëria parashikon dekret presidencial emërimi për ministrat dhe një afat shqyrtimi 7 ditor, gjatë të cilit presidenti merret pikërisht me përputhshmërinë e emrit të propozuar me kufizimet kushtetuese. Krejt ndryshe është në kushtetutën e Kosovës ku ministrat nuk marrin firmë presidenciale, por kalojnë drejtpërdrejt në Kuvend. Pra nëse kushtetutëbërësit tanë do donin president pa rol, ose do ia hiqnin këtë kompetencë si në rastin e Kosovës, ose do ia theksonin rolin noterial duke e quajtur thjesht dekretim aktin e tij.
Por le të ecim më tej me arsyetimin. Nga interpretimi strikt i nenit 103 të Kushtetutës, por dhe ligjit të dekriminalizimit, do duhet menduar që presidenti mund të refuzojë vetëm një kandidaturë që nuk plotëson kushtet e të zgjedhurit deputet apo funksionar publik. Nga kjo hapësirë veprimi, zoti Xhafaj konsiderohej kalues. Është deputet dhe nuk është subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Çfarë nuk ndalohet, lejohet. Zakoni presidencial deri më sot. Mundësia e një zakoni të ri!
Por ajo që nuk ndalohet, lejohet, është një parim universal. Sa kohë që presidenti nuk ka «të drejtë të shprehur refuzimi ministrash», do duhet menduar se ai nuk ndalohet të refuzojë. Ama ai mund të refuzojë vetëm në kushte të jashtëzakonshme. Pra në aksionin presidencial, ai nuk mund të ndalohet të refuzojë. Tekstet e doktrinës kushtetuese nuk e ndalojnë kategorikisht refuzimin presidencial. Këto tekste nuk e pranojnë për presidentin, teorinë e noterit të veprimeve të kryeministrit. Nëse për kryeministrin ka propozim, propozimi dhe mund të refuzohet. Në manualet e doktrinës kushtetuese gjithashtu merret si shembull teorik që një President i motivuar moralisht mund të refuzonte për ministër një ish-të dënuar, apo shefin e një grupi mafioz. Në rastin shqiptar, një deputet me precedentë penalë para se të hynte në fuqi ligji i dekriminalizimit, mund të refuzohej nga presidenti për arsye morale. Sot kjo duket e vështirë: ky ligj e ka ngritur më lart stekën me rastet kur dikush nuk mund të propozohet, apo të emërohet funksionar publik në përgjithësi. Shto dhe frikën që është treguar me dorëheqjet e disa deputetëve të akuzuar.
Sipas këtyre elementëve të mësipërme, gërma dhe fryma e kushtetutës nuk e ndalojnë refuzimin. Duke mos përcaktuar ndërkohë as hollësi refuzimi, Kushtetuta lë ndërgjegjen presidenciale të veprojë në një mënyrë ose në një tjetër. Pra ajo i lë hapësirë një zakoni të pashkruar kushtetues. Dhe në historinë e shkurtër të zakoneve presidenciale të pluralizmit shqiptar, me këtë kushtetutë, apo dhe me paketën kushtetuese, nuk kemi raste refuzimi ministrash nga kreu i shtetit. Nishani praktikisht konfirmoi këtë zakon të paraardhësve të tij. Kemi patur raste mëdyshjesh presidenciale (dekretim në ditën e shtatë), por jo refuzime. Ashtu si kemi patur një zakon tjetër të konsultimit paraprak të presidentit nga kryeministri -rasti i Meidanit për ministrat e drejtësisë, të jashtëm, të brendshëm dhe të mbrojtjes, ministra që bashkëpunojnë ngushtë me kreun e shtetit. Ky zakon nuk u vijua dot prej pasaardhësve të tij për shkak të marrëdhënieve konfliktuale midis kreut të shtetit dhe atij të qeverisë.
Si kuptohet, edhe kjo eksperiencë e konsoliduar shqiptare, dhe kufizimet doktrinare, nuk e ndalojnë një president të mund të instalojë gjithsesi një zakon të ri kushtetues, të refuzimit. Natyrisht me argumenta të fortë të natyrës kushtetuese, ligjore, por dhe morale. A ishin pretendimet e dy qytetarëve bazament i mjaftueshëm moral, pa hetuar për vërtetësinë e tyre? Kjo mbetet për t’u analizuar, por teorikisht presidenti mund të kapërcejë zakonet e paraardhësve. Na vjen në ndihmë eksperienca e një republike parlamentare me president të dobët si Italia. Atje kemi patur raste të kapërcimit të rolit noterial nga ana e presidentit, përfshirje të tij në polemika publike me institucionet, ministra të caktuar, etj., etj., si ishte rasti i Presidentit Kosiga në vitet 1985-1992.
Përfundimisht, në rastin e dekretimit të Xhafës, teorikisht zoti Nishani nuk kishte ndalime për të mos dekretuar Xhafën për ministër. Për më shumë në fund të mandatit të vet ai nuk duhet të kishte drojen se mund të shkarkohej për shkelje të kushtetutës.
Po atëherë pse veproi kështu zoti Nishani? Janë disa supozime.
Fatmir Xhafaj, siç u kuptua nga qëndrimet publike para konferencës, kishte një lloj mbështetje nga ambasadori amerikan për rolin e ri. Kjo mbështetje lidhej me rolin e tij aktiv, koordinues, drejtues në reformën në drejtësi. Dhe nuk ka çudi që në përpjekjen për të shmangur thellimin e krizës nëpërmjet refuzimit të tij, ndaj presidentit të jetë ushtruar një lloj vepre bindëse ndërkombëtare. E dikujt që di të bindë.
Me gjasë, dhe qeveria, kryeministri kanë luajtur gjithë gurët e mundshëm përkundrejt presidentit që ai «të mos bënte shaka» me refuzimin e Xhafës.
Jashtë këtyre dy hipotezave, Andi Bushati, në një koment të tij, linte të kuptohej se presidenti e pranoi dekretimin e Xhafës për t’i krijuar me vetëdije vështirësi kryetarit të PD-së Basha, brenda çadrës. Është e vërtetë se paskëtaj Basha rezulton inkoherent me deklaratat e veta rreth Xhafës. Pra ky veprim i Nishanit që ndoshta aspiron t’i zërë vendin pas tre muajsh, kur me gjasë do të kthehet në partinë që e propozoi, i ka krijuar vështirësi. Por kjo hipotezë duket pa gjasa për një arsye të thjeshtë. Duhet të ketë qenë më e fortë për presidentin, joshja për të bërë një veprim të fortë pro partisë së tij, për të dalë si hero para saj në një moment krize si ky, pavarësisht llogarive të imagjinueshme për të dobësuar Bashën. Pra duhet të kenë qenë arsye më të forta jotaktike që e kanë shtyrë presidentin të veprojë kështu. Dy supozimet për imponim, negocim ndërkombëtar dhe të qeverisë njëkohësisht apo veç e veç mbi presidentin si faktorë përcaktues, ngjajnë më reale. Mbase fjalët e Berishës rreth kësaj çështje mund të na lejojnë të kuptojmë më shumë, por ai nuk ka folur deri tani.
Po vetë Xhafa, si duhet të vepronte në rast se akuzat janë të vërteta?
Ndërgjegja e çdo njeriu të lirë, do duhej të tronditej nëse do të provoheshin akuzat për dhunim të qytetarëve të mitur për shkaqe politike si ato që u bënë mbi Xhafën. Një barrierë morale e fortë do duhej ta pengonte kandidatin për ministër që të merrte këtë detyrë, nëse do provohej që në cilësinë e hetuesit në vitet e fundit para rënies së komunizmit kishte shkelur madje dhe ligjet në fuqi. Ato ligje në letër ndalonin torturën, aq më shumë ndaj të miturve. Ndaj pavarësisht se ligji e lejonte të bëhej ministër, Xhafaj do duhej të tërhiqej apo të mos e pranonte detyrën.
Por problemi është se në kushtet kur të gjithë akuzohen nga të gjithë, kur jetojmë kohën e lajmeve dixhitale të rrejshme, akuzat ndaj Xhafës humbin besueshmërinë, humbin peshën e tyre edhe nëse janë të vërteta. Po kështu humbet motivimi i atyre që i bënë publikisht këto akuza, për të vazhduar ndonjë betejë kundër Xhafës, pavarësisht mbështetjes që i jep opozita. Për më shumë, akuzat u nxorën në publik pikërisht në këtë moment dhe jo më parë, megjithëse Xhafa ka qenë ministër drejtësie në qeverisjen e socialistëve para dhjetë vjetësh. Kjo jua ul atyre besueshmërinë seriozisht.
Si do veprojë LSI dhe opozita ?
E vërteta është se Xhafaj identifikohet me vetë reformën në drejtësi në sytë e kundërshtarëve të kësaj reforme. Ky identifikim është i pashmangshëm pavarësisht se ai u përpoq të bënte një lloj mbrojtje publike të butë të saj pa bërë shumë protagonistin, apo pa marrë merita personale, duke ia lënë ekspertëve këto merita. Në këtë rol që Xhafaj e mori për shkak të drejtimit të Komisionit të ligjeve, por dhe mbështetjes perëndimore në rritje (BE plus SHBA), Xhafaj ka prekur shumë interesa, qoftë në korporatën e juristëve, qoftë përkundrejt opozitës dhe LSI-së. Ishte lehtësisht e pritshme që ai të ndikonte dhe në politikën e kuadrit në institucionet e reja të drejtësisë, diçka që e bën jashtëzakonisht të fuqishëm dhe objekt sulmi. Këto ngjajnë se janë arsyet pse veç këtyre partive, publikisht kundër Xhafës ka folur dhe Presidenti apo ministrat e drejtësisë të LSI-së. Këto figura institucionale kanë ndierë dobësim të fuqisë së tyre prej reformës e cila ka kufizuar ndjeshëm rolin presidencial, apo të ministrit të drejtësisë kundrejt sistemit gjyqësor. Pra të gjithë këta aktorë kanë pasur gjithë arsyet e botës për ta sulmuar Xhafën, për të krijuar kundër tij fushatë të sinkronizuar, ose jo, në momentin kur ai përmendet për një detyrë ministrore, apo gjithë kohën. Me shumë gjasë, Xhafa nuk ka shumë kohë deri sa të krijohet qeveria e re pas zgjedhjeve, të lërë gjurmë të rëndësishme personale në një aparat policor dhe administratë të blinduar nga paraardhësi, me garanci ligjore moslëvizjeje nga detyra. Por shumë aktorë duan ta shkatërrojnë imazhin e tij në çdo moment, me çdo pretekst, pavarësisht se çfarë do të bëjë ai në dikasterin e punëve të brendshme. Ai ka shumë armiq dhe gjithçka ndodhi dhe pritet të ndodhë, reflekton këtë armiqësi galaktike ndaj tij. Një lloj paradhënie u duk madje në përpjekjet e forta të opozitës për ta përbaltur gjithë reformën në drejtësi, në prag të votimit të saj, nëpërmjet sulmeve të personalizuara mbi Xhafën, të afërmit e tij, etj., por kjo nuk i dekurajoi ndërkombëtarët që i dhanë mbështetje deri më sot. Qoftë dhe duke thënë se reforma ishte joshqiptare, por tërësisht e tyre.
Rrugët e votimit parlamentar mbeten të hapura kësisoj, me përjashtim të ndonjë vonese. Në kontekstin aktual ngjan e ditur se opozita nuk do të marrë pjesë në votimin parlamentar të Xhafajt. Për të është një frustrim dyfish i tipit : oh, sa mirë që iku Tahiri politik; oh, sa keq që erdhi Xhafaj joteknik . Frustrimi opozitar është bërë më i fortë dhe për shkak të dekretimit të tij nga Presidenti Nishani.
Për LSI-në, emri i Xhafës ngjan detyrimisht i gëlltitshëm nëse në favor të tij ka patur lobim ndërkombëtar. Ky lobim, nëse ka qenë, është ushtruar dhe mbi të. Emri i Xhafajt ngjan kalues dhe nëse LSI ka arritur marrëveshje me PS-në për të dalë bashkë në zgjedhje. Por dhe nëse nuk ka marrëveshje PS-LSI mes krerëve të dy partive, refuzimi i Xhafës ngjan i vështirë vetëm mbi dy historitë e publikuara ndaj tij, që nuk mund të vërtetohen dot gjyqësisht në një kohë të shkurtër. Për më shumë, LSI është ende brenda kontratës 4-vjeçare me PS-në që skadon në 1 prill 2017. LSI ka premtuar se do i përmbahet kontratës pavarësisht kruarjes intensive të brinjëve mes aleatëve ditët e fundit. Gjithmonë nëse nuk e shtyn votimin jashtë 1 prillit, pra jashtë kontratës.
Votimi i Xhafës prej LSI-së, do të rriste zhgënjimin e PD-së ndaj saj, do të fashiste shpresat në një kthesë të mundshme të partisë së Metës në favor të opozitës. Rrethana të tilla të forcojnë bindjen se politika është shpesh e pamëshirshme. Veçanërisht kur është e paparashikueshme. (Konica.al)
ma.me