Në tremujorin e katërt të vitit 2016, indeksi i numrit të të punësuarve arriti 147,0 duke pasqyruar rritje 4,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues shënoi rritje 0,1 %. Ndryshimi vjetor i numrit të të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet që operojnë në aktivitetin “industri”, ku përfshihen industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese shënoi rritje 0,4 %, ndikuar kryesisht nga aktiviteti industria përpunuese me 2,2 %. Ndërsa, aktivitetet energji elektrike, gaz, avull dhe grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë paraqiten me rënie përkatësisht me 0,2 % dhe 4,2 %.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, ndryshimi tremujor i numrit të të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet e industrisë, shënoi rënie prej 0,5 %. Numri i të punësuarve me pagesë në aktivitetin ndërtim në tremujorin e katërt 2016 shënoi rritje me 3,3 %.
Në tremujorin e katërt 2016, krahasuar me tremujorin e tretë 2016, indeksi i numrit të të punësuarve me pagesë në aktivitetin ndërtim shënoi rritje me 0,8 %. Referuar statistikave të INSTAT, ndryshimi vjetor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë rritet me 10,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këtë rritje e kanë dhënë kryesisht aktivitetet “tregtia me shumicë” me 9,7 % dhe ”informacioni dhe komunikimi” me 3,5 %.
ma.me