Pallati i projektuar për 13 kate në bulevardin kryesor të Vlorës do të shembet me shpërthim të kontrolluar, raporton “Panorama”.
Inspektorë të IKMT-së ishin dje në vend për të kryer procedurat e nevojshme që do të pasojnë me shembjen e pallatit të ngritur në pesë kate deri më tani.
Pallati ndodhet në bulevardin qendror Vlorë-Skelë, në afërsi të teatrit “Petro Marko”, në vendin e quajtur “Tri Racat”. Leja e ndërtimit është dhënë në vitin 2010, por nga prokuroria rezultoi se leja ishte false dhe nuk kishte kaluar në mbledhjen e KRRT-së së Bashkisë së Vlorës.
Për këtë shkak është vënë nën akuzë për falsifikim edhe kryebashkiaku i asaj kohe, Shpëtim Gjika, ndërsa me urdhër të prokurorisë dhe vendim të gjykatës punimet për ndërtimin u pezulluan.
Inspektorët e IKMTsë mbërritën në Vlorë, pasi rreth dy javë më parë Kryeministri Rama i tërhoqi vëmendjen kryebashkiakut Dritan Leli se pse nuk ishte shembur ende ky pallat. Rama inspektoi disa investime në qytet, nga ku i ra në sy pallati i mbetur karabina.
Ai i foli me tone të ashpra kryebashkiakut Leli për mosshembjen deri më tani, pasi sipas tij ky ndërtim është në një zonë që dikur ka qenë lulishte. Ndërsa sot nuk mund të zaptohet me ngritjen e një pallati shumëkatësh. Sipas inspektorëve të IKMT-së të ardhur nga Tirana do të hapen vrimat në kolonat e ndërtesës për të realizuar shpërthimin e kontrolluar me tritol, kurse në javën e ardhshme pritet që pallati të jetë shembur.
Me nisjen e hetimeve, veç Gjikës, Prokuroria e Vlorës akuzoi edhe përfituesin e lejes së ndërtimit, Blerdi Licaj, ish-kanditat për kryetar të komunës qendër në Vlorë, nën siglën e PS-së, në zgjedhjet vendore të vitit 2011.
Në kohën kur nisi hetimi, Shpëtim Gjika u akuzua se ka falsifikuar procesverbalin e mbledhjes së KRRT-së të datës 15.07.2010 dhe vendimin e lëshuar nga vetë ai në cilësinë e kryetarit të KRRT-së për miratimin në lagjen “29 Nëntori” të sheshit të ndërtimit, të lejes së ndërtimit për kompleks banimi dhe shërbimi 13-katësh, me parkim nëntokë, me pronarë të truallit A.A., A.F., M.T., me subjekt ndërtues “Deco System” sh.p.k, me përfaqësues ligjor Blerdi Liçaj.
Por kjo leje nuk gjendej në procesverbalin zyrtar dhe real të mbledhjes së KRRT-së së Vlorës. Mbi këtë leje false ka nisur të ngrihet pallati në bulevardin qendror Vlorë-Skelë, në afërsi të teatrit “Petro Marko”. /b.d