Dy janë pistat kryesore ku po heton policia lidhur me ngjarjen e mbrëmshme në Devoll, ku si pasojë e një konflikti dhe dhune me mjete të forta mes dy grupesh ka mbetur i vdekur 44-vjeçari Zarif Allihu.
Ky i fundit së bashku me dy miqtë e tij D.Sh dhe M.V janë përleshur në afërsi të kufirit më Greqinë me një grup tjetër të përbërë prej disa personash. Zarif Alliu nga Vërdova e Pogradecit është dhunuar për vdekje dhe më pas është hedhur në rrugë. Burime nga policia bëjnë të ditur për “BalkanWeb” se viktimës dhe dy shokëve të tij u kanë marrë rreth 10 mijë lekë të reja si dhe 2 telefonat celularë. Sipas dëshmisë së dy personave në polici, ata janë përleshur me një grup prej disa personash në afërsi të kufirit, ndërsa dyshohet të ketë persona të plagosur edhe nga grupi i agresoreve. Përveç grabitjes, policia po heton edhe pistën e prishjes se pazareve te drogës që ka sjellë edhe përleshjen fizike midis grupeve, pasi zona ku ndodhi ngjarja, përdoret si vend shkëmbimi i ngarkesave të drogës midis trafikanteve. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi
Shtetasit M.V, rreth 40 vjeç nga fshati NizhdavecMaliq dhe shtetasi Z.A, rreth 44 vjeç, banues në fshatin Vërdovë Pogradec, u transportuan në Spitalin e Korçës për të marrë mjekim ku si pasojë e plagëve të marra ky i fundit (Z.A) ka ndërruar jetë. Në Komisariatin e Policisë Devoll, ndodhet shtetasi tjetër D.Sh, rreth 40 vjeç, të cilit po i merren deklaratat përkatëse në lidhje me këtë ngjarje. Nga ana e Policisë po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve./a.ç