Nëpërmjet një postimi në facebook, deputeti democrat Astrit Patozi ka komentuar përplasjet në koalicion dhe marrëdhënien Rama-Meta. Sipas tij,nuk ka më asnjë dyshim se bashkimi Rama-Meta prej dy vitesh është në luftë të hapur, por ai analizon se pse dy bashkëkryetaret e qeverisjes nuk ndahen nga njeri-tjetri.
Patozi thekson se “Ka një habi gati kombëtare se si ka mundësi që të vazhdojë të quhet koalicion bashkimi aritmetik i dy grupeve, në luftë të hapur me njëritjetrin, të cilët prej dy vjetësh nuk po humbin asnjë rast pa e treguar se janë në konflikt. Përgjigjen mos e kërkoni tek ligjësitë e politikës, por tek ato të mafias. Nëse do të ishte politikë, maksimumi i mbijetesës së koalicionit famëkeq të 1 prillit do të ishte korriku i vitit 2015, dita kur Ilir Meta mori dyfekun dhe doli maleve të Skraparit për të goditur aleatin e vet, i cili, sipas tij, e kishte prerë në besë”.
Sipas Patozit, gjatë kësaj kohe ka pasur shumë naivë që kanë mbajtur frymën dhe pastaj janë gdhirë të cliruar sa herë që dy “vellëzërit” armiq kanë bërë edhe diellin edhe shiun, duke luajtur me humorin e majtistëve, të cilët mund të kenë qenë të gatshëm të mos kërkonin as bukë dhe as ujë, vetëm që Rama dhe Meta të shkonin mirë me njëri-tjetrin.
Ai thekson se të dy kanë zvarritur Shqipërinë për gati dy vjet në honet më të thella të keqqeverisjes, përgjegjësi që nuk e kanë pranuar dhe mbajtur asnjë ditë dhe për të cilën jam i sigurt se shumë shpejt do të tregojnë me gisht shoshoqin.
“Më gjeni vetëm një arsye politike se përse edhe sot që po flasim Partia Socialiste dhe LSI votojnë njësoj në parlament dhe mbështesin formalisht një qeveri të përbashkët, dhe unë jam gati të tërhiqem dhe të kërkoj ndjesë publikisht. Por jam i bindur se një e tillë nuk ekziston, ndaj edhe i qëndroj fort pikëpamjes sime. Vetëm bosët e organizatave kriminale e kanë më lehtë të vriten me njëritjetrin, sesa të ndahen, pasi kanë pranuar fillimisht të bashkëpunojnë. Sepse kështu përfundojnë gjithmonë marrëveshjet mafioze, ndaj mos prisni më kot që dikush prej tyre të bëhet burrë e ta presë nyjen gordiane, që po mban prej katër vjetësh peng Shqipërinë. Edi Rama dhe Ilir Meta nuk kanë fuqi as të ndahen, sepse u kanë ngecur në fyt halat e ngjalave të një përbetimi klasik kundër popullit të vet, që u ngjiz në atë darkën e famshme, këtu e katër vjet të shkuara” shkruan Patozi.
Sipas tij, lufta e tyre për territor brenda një qeverisje të kriminalizuar ka qenë një kosto shtesë mbi shpinën e kërrusur të Shqipërisë në këto kohëra të vështira. Ai analizon se ata duhet të përgjigjen, jo vetëm për ato që kanë bërë, por edhe për atë që nuk kanë bërë në këto 4 vjet. Duke nisur nga mungesa e lirisë për t’u ndarë, ligjësi tipike kjo, jo e partive politike, por e organizatave mafioze./a.ç