Alfred Lela, që njihet si një nga njerëzit më të afërt të Lulzim Bashës, ka bërë një shkrim ku barazon Shkëlzen Berishën me Olsi Ramën. Ai thumbon Berishën e vogël, duke thënë që ndërsa shqiptarët janë të varfër, tregon jetën luksoze të vetes dhe grave të tij.
“Shkëlzen Berisha, i biri i ish-kryeministrit Berisha, vazhdon të jetë personazh që thirret në skenë. Dhe këtu fillon paradoksi: ai mbetet djali i Berishës, por i ati nuk është më kryeministër i Shqipërisë. Berisha junior, si target, vazhdon, megjithatë, të jetë i preferuar, po aq sa kur i ati, një politikan i fortë, luftarak, kundërthënës dhe paradigmatik, e udhëhiqte Shqipërinë.
Pse kështu? Sepse, socialistët në pushtet, kanë dashur dhe duan ta përdorin Sali dhe Shkëlzen Berishën si scapegoat-s. Nuk jam duke e përdorur për vanitet fjalën e anglishtes por, sepse mendoj se e ilustron më mirë idenë që kam ndërmend të parashtroj. Në mend kam bash një pasazh apso parabolë biblike, atë të ‘një qingji të lëshuar në shkretëtirë pasi kryeprifti hebre i kishte kaluar mbi të, simbolikisht, mëkatet e njerëzve” (Lev. 16).
Në këtë kuptim, Shkëlzeni dhe i ati duhet të marrin, simbolikisht, ‘mëkatet e njerëzve’ (lexo të demokratëve si kundërshtarë politikë) në shkretëtirën e politikës shqiptare. Të kuptohemi: unë nuk mendoj se, Berisha dhe as i biri, janë ‘biblikë’ në kuptimin e pastërtisë që evokon parabola e përdorur këtu. Askush në politikë nuk është i tillë, aq më pak atë shqiptare. Berisha senior ka mëkatet e tij. I riu, sikur asnjë tjetër të mos kishte, i mjafton vaniteti i shpallur në formën e postimeve në Facebook që i shpallin një populli, 50 përqind e të cilit është i varfër, jetën luksoze të vetes dhe grave të tij”, shkruan Lela.
Nuk dihet si e ka pritur këtë shkrim Berisha, nga një njeri i afërt i Bashës.
ma.me