Nga Fatos Hoxha / Ish-deputet i PD
Këto ditë “grupi i gatshëm” i Ustait ka pasur reagime të organizuara kundër meje në mediat sociale. Siç ua kërkon taktika profesionale, reagimet kanë qenë kundër individit dhe jo kunder ideve apo pikëpamjeve të shprehura për debat.
Për shkak se bëhet fjalë për shpifje dhe thashetheme. unë nuk pranoj të merrem me to, por më duhet të reagoj kundër qëllimit që ato ndjekin. Shpifësit profesionistë duan që vëmendja e demokratëve të largohet nga përmbajtja e kritikave të mia e të shumë kolegëve të tjerë, të largohet nga halli i vërtetë i PD-së dhe të përqendrohet tek halli i vërtetë i Sali Berishës dhe i pengmarrësve të tij.
Unë iu ftoj t’i administroni si t’ju vijë më mbarë shpifjet dhe thashethemet që dëgjoni apo lexoni poshtë e lart, por ju lutem shumë mos u shpërqendroni dhe mos i harroni disa të vërteta që mesa duket po i dhembin fort Ustait:
1. PD-në e kanë marrë peng dhe po e përdorin për interesa të ndyra private dhe familjare. Këtë nuk e them unë, por e thonë të gjithë demokratët, përkrahësit dhe dashamirët që në këto zgjedhje vendosën të rrijnë larg votimit, të mos na votojnë ose të votojnë kundërshtarin (të provuar me shifra së paku 140 mijë zgjedhës).
2. PD në këto dy vjet nuk ka prodhuar politika, nuk ka marrë nisma institucionale nuk ka ndërmarrë lëvizje, nuk ka nisur procese dhe as reforma. Në këto dy vjet PD ka zhvilluar vetëm një politikë, ka kryer vetëm një lëvizje, ka mbrojtur vetëm një biznes, ka administruar vetëm një hall, hallin e Familjes.
3. PD nuk është më parti masash, nuk përfaqëson më shtresa, nuk bashkon më faktorë social. PD sot është një grup i strukturuar ushtarësh, njerëzish pa gen politik, pa ide e karizmë, të cilët i bashkon në një mungesa e lirisë, mungesa e personalitetit politik, mungesa e vetëdijes politike, si dhe lidhja e pazgjidhshme me vargonj dosjesh korrupsioni, dosjesh shërbimesh, interesash meskine, dhe frike. Në PD nuk drejton kryetari i zgjedhur, por i dorëhequri, nuk qeverisin forumet, por zyrat private, nuk vepron statuti dhe interesi i përbashkët, por arbitrariteti dhe halli privat.
4. Lëvizjet politike brenda PD po i nënshtrohen përditë e më shumë interesave të krimit dhe të oligarkisë. Aleanca e pengmarrësve me ta dhe shërbimet ndaj tyre po bëhen përditë e më shumë të hapura dhe publike. Kjo po largon përditë e më shumë demokratët nga partia e tyre.
5. Humbja e dytë rradhazi në zgjedhje, më e thellë dhe më dëshpëruese se e para, është një kambanë shumë e fortë alarmi që duhet të ngrejë në këmbë e të mobilizojë çdo demokrat që i dhimbset partia e vet. Gremina ku po na rrokullisin është reale. Nuk jemi në ëndërr. Nuk shpëtojmë dot nëse pranojmë të luajnë me ne lojën që luajtën me 2013. Faji dhe përgjegjësia nuk është kolektive, nuk është e bazës, nuk është abstrakte dhe, mbi të gjitha, nuk është anonime. Faji dhe përgjegjësia kanë emër të përveçm dhe ky emër duhet thënë me zë të lartë: Sali Berisha dhe Lulzim Basha.
6. Pothuajse kudo ku PD doli me kandidatë dinjitozë, me personalitet dhe reputacion publik, pothuajse kudo ku pati platforma në shërbim të qyterarëve dhe kandidatët nuk përfaqësonin plan-biznesin e familjes PD-ja fitoi bindshëm. Nëse duam të fitojmë zgjedhje në të ardhmen na duhet të bëjmë ndarjen e prerë, të qartë dhe të plotë nga pengmarrësit dhe interesat e tyre private, duhet të rizbulojmë Vlerat, Idealizmin dhe Moralin Demokrat. Rrugë tjetër nuk ka! Por këtë nuk mund ta presim nga pengmarrësit. Demokratët duhet të marrin në dorë fatin e tyre.
7. Pengmarrësit nuk kanë për ta lënë kurrë partinë të lirë me vullnetin e tyre. Janë gati ta marrin atë me vete në varr. Ndaj mos mbani shpresa tek shpirtmadhësia apo ndërgjegja e tyre. Nëse njerëzit me funksione politike në parti, përfaqësuesit në forume apo institucione nuk ngrihen në këmbë dhe të çlirojnë partinë nga pengmarrësit, atëherë ka vetëm një akt që mund të ndërmarrin: të kërkojnë publikisht shpërndarjen e partisë, si e vetmja rrugë që mund të çlirojë partinë nga pengmarrësit dhe t’i bëjnë thirrje njerëzve që përfaqësojnë Vlerat, Idealizmin dhe Moralin Demokrat të bashkohen për rithemelimin e partisë, larg pengmarrësve dhe duke i lënë jashtë ata. Ky është minimumi i borxhit që u kanë demokratëve. Ky është guri i provës për ta në sytë e demokratëve.
P.s. Kujtesë për shpifësit profesionistë:
Unë kam pesë vjet që kam ngritur zërin publikisht në mbrojtje të PD. Përpara pesë vjetësh bëja thirrje që PD të distancohej dhe çlirohej nga “zengjinët e rinj”, të cilët po i merrnin erzin. Pak a shumë në të njejtën kohë Ustai i hante darkën Ilir Metës (mos vallë e keni harruar?). Pak a shumë që nga ajo kohë është bërë proverbiale miqësia e ngushtë e Lulzim Bashës me Ilir Metën, aq sa sot e kësaj dite thonë se janë shokë për kokë (apo dhe këtë e keni harrruar?). Mua nuk më impresionojnë shpifjet, por veçse kam hall se mos shumë shpejt do shkruani kundër meje, se jam armik me Ilir Metën… Janë shtuar zërat këto ditë në PD për aleancë me LSI-në… Po ju a them që sot: Unë si demokrat jam kundër kësaj aleance, sepse ka për të na çuar më keq në humbje. E kemi provuar një herë.