Qeveria e Kosovës thotë se është duke punuar që t’i sigurojë votat e nevojshme nga deputetët në Kuvendin e Kosovës, për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Aktualisht, është një numër deputetësh nga partitë në pushtet, ata të opozitës si dhe mungesa e Listës Serbe, po e pamundësojnë ratifikimin e demarkacionit.
Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se edhe pse është duke u punuar në ketë drejtim, nuk dihet saktë se kur Qeveria do ta dërgojë në Kuvend draftligjin për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht janë duke u bërë përpjekje për kthimin e përfaqësuesve të subjektit politik, Lista Serbe në institucionet e Kosovës.
“Ne po shpresojmë që ata do të kthehen, sepse ka indikacione pozitive, por siç duket problem është Beogradi, i cili ushtron ndikime negative në ta. Nëse Lista Serbe kthehet dhe vota e tyre është pozitive, unë besoj se me partitë tona, do të kemi aty-këtu deputetë që do të votojnë kundër, por prapëseprapë besoj se do ta arrijmë numrin”, ka theksuar Gecaj.
Ratifikimi demarkacionit, si marrëveshje ndërkombëtare, kërkon të paktën 80 vota të deputetëve.
Debatet për dhe kundër marrëveshjes aktuale me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare kanë vazhduar dhe pritet që një frymë e tillë të përcillet edhe në seancën e Kuvendit, kur Qeveria ta riprocedojë demarkacionin për ratifikim.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar deputetet e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë demarkacionin, në mënyrë që t’u mundësohet qytetarëve të vendit lëvizja e lirë pa viza, drejt vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Sipas Thaçit, komisionet profesionale që kanë punuar për matjen e territorit të Kosovës, kanë dhënë argumente të mjaftueshme që të besohet që Kosova nuk ka humbur territor me Marrëveshjen e demarkacionit, citohet REL. (b.an)