Një person ka gjetur vdekjen pas një përplasje me armë që pati gjatë ditës së djeshme në zonën e Bathores, në periferi të Tiranës.
Aleksandër Barlika u qëllua me çifte nga një 16-vjeçar me inicialet L.C i cili ka rënë në prangat e policisë. Tre persona të tjerë u arrestuan, mes të cilëve, babai i autorit, Rasim C, 49 vjeç, Altin Barlika 38 vjeç dhe nipi i këtij të fundit K. P 16 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Uniformat blu të kryeqytetit kanë mundur të zbardhin konfliktin e ndodhur duke vënë në pranga katër personat që u përfshinë në sherr me njëri-tjetrin në Bathore për motive që nga policia cilësohen si të “dobëta”.
Sipas policisë, Alekasandër Barlika së bashku me vëllain e tij Altinin 38-vjeçar, i shkuan në ndihmë nipit të tyre i cili ishte konfliktuar me një bashkëmoshatar të tijin, 16-vjeçarin L.C, që më tej u bë edhe autor i vrasjes së ndodhur.
Sipas policisë, sherri ka nisur mes dy të rinjve K.P dhe L.C. Më tej në këtë sherr janë përfshirë edhe dy dajat e 16-vjeçarit K.P, Aleksandër dhe Altin Barlika si dhe babai i 16-vjeçarit tjetër, Rasim C. Ata janë konfliktuar fillimisht me mjete të forta me njëri-tjetrin por më pas kanë shkuar deri në përdorim të armëve të zjarrit.
Dy vëllezërit Barlika të shoqëruar edhe nga nipi i tyre K.P kanë nxjerrë pistoletën dhe kanë tentuar të qëllojnë ndaj L. C., D. C. dhe Rasim C. Në këtë kohë duke përfituar nga rrëmuja e krijuar, 16-vjeçari L. C ka marrë një armë gjahu me të cilën ka qëlluar Aleksandër Barlikën i cili ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra, ndërsa vëllai i tij Altin Barlika pësoi dëmtime të lehta trupore.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga policia një armë zjarri pistoletë TT me një krëhër dhe 8 fishekë dhe një çifte.