Raporti i DASH për drogën në Shqipëri ka bërë që LSI t’i rikthehet edhe një here sulmeve ndaj ministrit në ikje Saimir Tahiri. I pari që reagoi ishte Luan Rama, ndërsa nuk munguan edhe deputetët e tjerë të LSI-së të cilët bënë fajtor Tahirin për situatën alarmante, sipas tyre, të kanabizimit të vendit. Por menjëherë pas përfundimit të konferencës së Luan Ramës, ka ardhur edhe reagimi i Tahirit, i cili i cilësoi si hiena të dala nga PS kritikuesit e tij.
Por, megjithëse kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së kërkoi reagim të menjëhershëm duke i quajtur spektakle televizive me policë nismat e ndërmarra deri tani, në kampin socialist mbështetja për Tahirin është maksimale
Në një postim në faqen zyrtare në Facebook, deputeti socialist Piro Lutaj mbështet Tahirin, ndërsa thekson se 18 qershori do të jetë prova më e mirë për ‘’të vegjëlit e mëdhenj”, por edhe për të “mëdhenjtë e vegjël”.
“Të dashur miq e kolegë! Na duhet shumë punë e përkushtim për 18 Qershorin, të tjerat venë dhe vijnë! Fushata do të ketë shumë e ashpër! Kjo do të jetë prova më e mirë, për të vegjlit ‘e mëdhenj’, por edhe për të mëdhenjtë ‘e vegjël’. Kështu e kuptoj unë këtë postim të Saimirit!”, shkruan Lutaj në Facebook./a.ç