Kaloi rreziku i madh i zjarrit në Bibliotekën Kombëtare, që mund të kishte qenë fatal nëse sistemi dhe masat e marra nuk do të kishin funksionuar siç duhet dhe ku gjithkush kreu deri në detaj shumë mirë detyrën e vet.
U jam sot thellësisht mirënjohëse të 100 punonjësve të Bibliotekës Kombëtare që prej dy ditësh kanë përballuar një situatë aspak të zakonshme, pas zjarrit që ra në një prej mjediseve të katit nëntokë. Organizimi dhe gatishmëria e tyre, ndërhyrja në kohën e duhur, zbatimi i të gjithë protokollit të parashikuar për masat kundër zjarrit, evakuimi i njerëzve, sistemi i alarmit dhe i zinxhirit të njoftimeve të duhura, ishin faktor kyç në reduktimin maksimal të dëmit.
Sistemi anti-zjarr instaluar në vitin 2004, mirëmbajtur e kolauduar rregullisht çdo vit nga administrata e Bibliotekës Kombëtare, funksionoi menjëherë duke shpëtuar fondin e rëndësishëm nga skenari fatal.
Që nga drejtoresha energjike Persida Asllani dhe deri te heronjtë e heshtur të Bibliotekës Kombëtare, kanë vigjiluar 24 orë në institucion për të mos lënë asnjë shkëndijë në përhapjen e zjarrit, por edhe për të kthyer normalitetin e punës në mjediset e tjera të Bibliotekës.
I përulem përkushtimit të tyre🙏🏻
Puna për identifikimin dhe restaurimin e titujve të dëmtuar do të vijojë pasi të kryhet gjithë procesi hetimor. Ministria e Kulturës do të nxjerrë një fond të posaçëm për të zëvendësuar titujt e humbur ose të dëmtuar, botime të pas viteve 2000 që fatmirësisht janë sërish në tregun e sotëm të librit.
Dua të falenderoj me gjithë zemër Zjarrfikësit Tiranë 🙏🏻
Nuk do të kishte qenë aspak e mundur të fashitej zjarri aq shpejt pa veprimin profesional të Shërbimit të zjarrëfikësve heroikë, të cilët në një kohë rekord bënë të mundur shpëtimin e vlerave të jashtëzakonshme kombëtare dhe jo vetëm.
Mirënjohje të plotë meriton Policia e Shtetit
dhe Policia Bashkiake që, pa asnjë vonesë dhe me shumë përkushtim kryen detyrën e tyre dhe vijojnë tashmë hetimet 🙏🏻
Nuk mund të lë pa falenderuar skuadrën e Emergjencës Civile që na u gjend profesionalisht dhe njerëzisht🙏🏻
Faleminderit dhe Mirenjohje Njerëzve të Punës dhe jo të zhurmës! 🙏🏻🙏🏻🙏🏻
Dhe tani dy fjalë për Bibliotekën Kombëtare, të cilat i kam përsëritur disa herë, por le t’i vëmë disa pika mbi i.
Prej shumë vitesh tashmë, që kur ka lëshuar hapësira të Pallatit të Kulturës në favor të një shoqërie tregtare italo-shqiptare, shteti shqiptar ka ndëshkuar institucionet e veta më të rëndësishme të kulturës kombëtare: Biblioteka Kombëtare dhe Teatri i Operas.
Nuk di si ta cilësoj këtë veprim jo të një , por të disa qeverive, jo të një por të disa ministrave, jo të një por të disa kryeministrave, të cilët kanë firmosur e aprovuar akte administrative që kanë mundësuar ngrënien e hapësirave nga Pallati i Kulturës prej kësaj shoqërie tregtare.
Në vitin 2013 e gjetëm Bibliotekën Kombëtare me hapësira tejet të rrudhura.
Mbi 1milionë njësi librore e periodikë janë sistemuar e mirëmbahen nga “amvisat” e Bibliotekës Kombëtare në fondin e këtij institucioni, ku raftet janë të tejmbushura dhe ku prej 15 vitesh ka vijuar puna me raftet “imagjinare” të stivosjes së librave. Kjo situatë e krijuar dhe rënduar në vite është jashtë kushteve normale të ruajtjes së librave.
Mjediset e ndërtesës “së vjetër” të Bibliotekës Kombëtare ishin kthyer prej vitesh në një magazinë të madhe të mbushur me thasë gjigandë librash të destinuar për t’iu nënshtruar procesit profesional të spastrimit, por që për paaftësi menaxhimi nuk ishte kryer derisa u kishin marrë frymën atyre mjediseve.
Në vitin 2014, falë bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura, arritëm të çlirojmë hapësirat e të sistemojmë në mjedise të tjera qindra thasët e grumbulluar nga Biblioteka në vite.
Nga ana tjetër dhe për fat të mirë, falë kujdesit dhe punës së profesionistëve, arkivi me vlerat e rralla dhe antikuaret, janë mbrojtur dhe në parametrat e duhur të temperaturës dhe lagështisë.
Ndonëse mjediset e Bibliotekës jo vetëm janë rrudhur ndjeshëm në 25 vite por as nuk kanë njohur ndonjë investim rikonstruksioni, personeli i Bibliotekës Kombëtare, përpos aktivitetit të ligjshëm shkencor, ka vijuar t’i shërbejë publikut me devotshmëri, ka hapur dyert për fëmijët dhe ekspozitat tematike e ngjarjet kulturore çdo javë.
Në vitin 2015 Ministria e Kulturës realizoi një investim prej 200 mijë eurosh për sistemin e ri të digjitimit të Bibliotekës falë të cilit arritëm nga 5884 fletë deri në vitin 2013 të digjitojmë vetëm në dy vjet rreth 230 000 faqe, ose 40 herë më shumë, duke iu afruar lexuesit përmes teknologjisë kudo ku ai ndodhet.
Por puna e njerëzve dhe digjitimi i librave nuk i zëvendësojnë hapësirat e domosdoshme dinjitoze që duhet të ketë institucioni më i rëndësishëm kombëtar i Librit.
Kemi deklaruar që në fillim angazhimin tonë jo vetëm për t’i rikthyer Bibliotekës Kombëtare hapësirat e saj të merituara, por edhe për të rindërtuar një Bibliotekë bashkëkohore, angazhim që Kryeministri Rama e deklaroi publikisht në ceremoninë e 95-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare.
Bashkëbisedimi juridik me shoqërinë italo-shqiptare që administron hapësirat e Pallatit të Kulturës vijon prej vitesh tashmë dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë përpjekjet ligjore derisa këto hapësira të çlirohen në favor të institucioneve të mirëfillta të Kulturës.
Ndërkohë, me mbështetjen e Delegacionit Europian në Tiranë, kemi realizuar tashmë projektin e plotë të zbatimit për rikonstruksionin e Bibliotekës Kombëtare, me shërbime e parametra modernë dhe sidomos me kushte optimale të ruajtjes e promovimit të librit dhe fondit të vlerave të rralla,
Por që ky projekt të realizohet duhet të fitojmë më parë betejën juridike me interesat private që na la peshqesh qeveria e shkuar.
Ne nuk kemi asnjë dilemë që do t’i shkojmë deri në fund zgjidhjes së kësaj çështjeje sepse Kultura duhet të mbrohet me çdo kusht!