Kryedemokrati Lulzim Basha edhe ditën e sotme zhvilloi një drekë pune me 7 ambasadorë në një nga restorantet e kryeqytetit. Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur për “BalkanËeb” se dreka ka nisur në orën 13:00 dhe zgjati rreth dy orë. Në fokus të diskutimeve ishte protesta dhe kauza e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pas drekës me personalitetet, Basha u shpreh i bindur se kauza e tyre për zgjedhje të lira e të ndershme do të triumfojë.
Në drekën e punës morën pjesë ambasadori i Austrisë Johann Sattler, ambasadorja e Spanjës Silvia Josefina Cortes Martin, ambasadori i Bullgarisë Dimitar Ivanov Arnaudov, ambasadori i Rumanisë, Mircea Perpelea, ambasadori i Turqisë, Hidayet Bayraktar. Ambasadroja e Suedisë Birgitta Jansson si dhe ambasadorja e Republikës Ceke, Radka Calabkova.
Kujtojmë se dy ditë më parë kreu i PD, Lulzim Basha zhvilloi një drekë pune me 8 ambasadorë të Bashkimit Evropian në Tiranë, përkatësisht të Gjermanisë, Hungarisë, Polonisë, Kroacisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Holandës si dhe të Belgjikës. Basha shprehu shqetësimin për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa në përfundim të takimit tha se takimi ishte mbështetës dhe shtoi se PD-ja do i shkojë deri në fund kauzës së saj.
Një javë më parë lideri i opozitës drekoi dhe me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu. Ndonëse ndërkombëtarët i kanë bërë thirrje opozitës që të ndërpresë bojkotin dhe t’i bashkohet diskutimeve në Kuvend, kjo e fundit nuk ka pranuar, ndërsa vijon kauzën e saj duke kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike.
a.ç