Ndërhyrjet në portën kryesore të Kryeministrisë ka pak ditë që kanë ngjallur një debat mes arkitektëve, politikanëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile.
Kanë qenë të njëpasnjëshme reagimet në lidhje me strehën e mbushur me drita që qeveria ngriti, duke krijuar një strukturë metalike që varet përmes katër tubave të mbërthyer në fasadë.
E megjithatë, reagimet nuk kanë ardhur vetëm nga profesionistët e fushës, por edhe më gjerë.
Publicisti Fatos Lubonja ishte ndër të parët që doli edhe në shesh i rrethuar nga një sërë pedagogësh e qytetarësh për ta kundërshtuar këtë ndryshim. Lubonja shkoi gjer aty saqë e konsideroi si një veprim të Ramës për të treguar se ai nuk pyet për historinë.
Ndërkohë, filozofi Artan Fuga e ka përkrahur ndërhyrjen duke e cilësuar si demokratizim të fasadave dhe në kundërpërgjigje të Lubonjës tha se ‘kur tështin Lubonja, shëndet na bëhet të gjithëve’.
Urbanisti Besnik Aliaj, njëkohësisht aktivist pranë PD dhe këshilltar demokrat gjer dje në Këshillin Bashkiak të Tiranës, shkruan në Facebook se hyrja ‘kitsch’ është një gabim. “Ju siguroj se kam aq formim e kulturë saqë të kuptoj se çfarë është arti bashkohor” – u drejtohet ndjekësve të tij Aliaj.
Një e përditshme kish zgjedhur sot arkitekten e re Arba Baxhaku, e cila bënte paralelizëm me shkatërrimit të Romës nga barbarët. Baxhaku shprehet në intervistë se është prekur porpocioni dhe matematika. Ndërsa në mbrëmje, Martin Schultz pas takimit me Ramën e mbështeti tranformimin që Kryeministria ka pësuar, qysh nga streha e gjer të kërpudha e më gjerë.
Reagime ‘pro et contra’ në lidhje me këtë ndërhyrje kanë qenë edhe më të shumta, por ajo që mbetet në thelb është se shqiptarët (ndoshta) e kanë alergji një strehë që t’i mbledhë të tërë bashkë. Këtij temperamenti ballkanas, iu bashkua sëpaku edhe miku nga Parlamenti Evropian. /A.R/