Kreu i grupit socialist në Parlamentin Europian, Gianni Pitella thotë se Stratsburgu po i ndjek me shqetësim të madh zhvillimet në Ballkan, e sidomos ato në Maqedoni.
Parlamenti e shtyu zyrtarisht seancën plenare ku do të votohej progres-raporti i vendit për vitin 2016, për shkak të situatës së trazuar politike që nuk po merr zgjidhje.
Raportuesi për Maqedoninë kishte dalë me këtë propozim me qëllimin që të pritet se çfarë rrjedhe do të marrin ngjarjet.
“Dua t’i dërgoj Ballkanit mesazhin e një politike të hapur dhe rivendosjes së besimit në marrëdhëniet pozitive mes BE-së dhe rajonit”, u shpreh Pitella.
“Ne duam që procesi i aderimit për vendet e Ballkanit perëndimor të rinisë pas vitit 2019. Dua gjithashtu të theksoj se këto shtete përbëjnë për ne një prioritet politik”, shtoi ai.
Partia Popullore Europiane gjithashtu ka ngritur shqetësimin e saj mbi zhvillimet e fundit në Ballkan, veçanërisht ato në Maqedoni, Kosovë e Bosnje-Hercegovinë. Kreu i grupit më të madh politik brenda PE-së, Manfred Weber flet për një rritje të tensioneve, gjë që e alarmon bllokun, i cili, siç thotë ligjvënësi europian, e konsideron rajonin si pjesë të Europës së bashkuar./tch/b.d