“Pendohet” njëri nga nëntë personat e arrestuar nga Policia me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për gjobëvënie ndaj më shumë se 150 tregtarëve në Shkodër.
Fatmir Dibra, njëri nga nëntë personat e arrestuar me akuzën e gjobëvënieve, ka pranuar të flasë për hetuesit e Krimeve të Rënda në lidhje me aktivitetin e tij dhe të personave të tjerë në Shkodër. I arrestuari ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë, pasi hetuesit shkuan për t’i marrë deklarime në paraburgim, pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që e la në burg pa afat, raporton “Panorama”.
“I penduari” Fatmir Dibra ka pranuar para grupit të hetimit se grupi i personave që mblidhte paratë nga tregtarët ishte prej 5 apo 6 personash. Ata, sipas deklarimeve të personit të arrestuar, vepronin zakonisht në fund të muajit, me urdhër të shtetasit Muhamet Lici.
Grupi prej pesë apo gjashtë vetash shkonte në Tregun e Zdrales e të “Rrugës së gjerë” të Kirasit, në Shkodër, me automjetet që, sipas dëshmitarit, ua siguronte shtetasi Muhamet Lici, i akuzuar nga Prokuroria si drejtues i veprimtarisë kriminale në fjalë.
GJOBAT NDAJ TREGTARËVE
Prokuroria ka deklaruar se i arrestuari Fatmir Dibra, 53 vjeç, ka shpjeguar se rreth 150 tregtarë paguanin rregullisht në fund të çdo muaji 1 deri në 3 mijë lekë të rinj. Dëshmitari ka thënë se kreu i grupit, shtetasi Muhamet Lici, nuk përballej asnjëherë me tregtarët, pasi nuk shkonte asnjëherë aty.
Megjithatë, sipas të arrestuarit, shumica e tregtarëve e dinin se gjobat paguheshin për grupin e Licit, ndërsa ishte ky i fundit që dërgonte pesë apo gjashtë persona në treg për të mbledhur paratë. Makinat e Muhamet Licit, mes të cilave edhe një mjet i blinduar, përdoreshin nga mbledhësit e parave, të cilët ndaheshin me zona për mbledhjen e parave nga tregtarët.
Sipas deklarimeve nga i arrestuari, shtetasi Abedin Bajraktari ishte financieri i grupit, pasi ai ishte personi që u jepte rrogën mujore pas mbledhjes së gjobave në treg. Dëshmitari ka thënë se shtetasit Denis Skutina, Besmir Domnori, Ibrahim Lici dhe Gëzim Vajushi mblidhnin pagesat te tregtarët.
Secila pagesë mbahej shënim në fletore të ndryshme, të cilat i dorëzoheshin Muhamet Licit, përfshirë edhe rastet kur tregtarët nuk pranonin që të paguanin. Pasi njihej me rastet e tregtarëve që nuk paguanin, sipas dëshmitarit, Muhamet Lici jepte udhëzimet për masat që duhej të merreshin ndaj tregtarëve që nuk bindeshin.
Ajo që ndodhte më pas, sipas të arrestuarit, ishte se fillimisht tregtarët kanoseshin verbalisht, më pas i kërcënonin me armë dhe nëse nuk bindeshin, kërcënoheshin me djegien e mallit që kishte në dyqan. Në dëshminë e tij, shtetasi Muhamet Lici ka pohuar se gjobat nga tretarët mblidheshin prej vitesh.
I arrestuari ka pohuar edhe një tjetër fakt të zbuluar nga përgjimet e Prokurorisë dhe nga filmimet e fshehta, se grupi i Muhamet Licit ka pasur rivalitet me një tjetër grup personash që kishte gjobitur tregtarët në Shkodër. Pas këtij rivaliteti që ka zgjatur disa muaj, mësohet se grupi tjetër është larguar nga ky aktivitet, gjobat kanë vazhduar të mblidhen nga grupi i drejtuar prej Muhamet Licit./a.m.