Anëtari themelues i SFIDA për Shqipërinë Gjergj Bojaxhi i ka cilësuar zëvendësimet e fundit të ministrave të qeverisë Rama si lëvizje figurash dhe një tjetër manovër e politikës pa asnjë rëndësi për interesin e qytetarëve. Sipas Bojaxhi, politika po vijon në linjën e përmbushjes së interesave të veta në të dyja kampet. Në një deklaratë për mediat, ai e cilëson situatën në vend si tragjikomike.
“Të gjithë e ndoqëm “show”-n tragjikomik të politikës në fundjavë, e cila fatkeqësisht ka zëvendësuar emisionet (jo)argëtuese, dhe kjo po vjen me kosto për shqiptarët. Një situatë e tillë pritej nga kjo klasë politike, ashtu siç pritej edhe mungesa e vullnetit pozitiv për të vendosur interesat e njerëzve përpara atyre partiake, në të dy krahët. Politika e ka kuptuar gabim nocionin e ndryshimit. Ajo thjesht ndërron figurat pa ndryshuar vullnetin për politikë më të mirë. Janë të gjithë njëlloj, majtas e dhjathtas”, shprehet Bojaxhi.
Anëtari themelues i SFIDA për Shqipërinë tha se nuk ka asnjë domethënie ndryshimi i emrave të ministrave, kryeministrave, apo i partive në pushtet për sa kohë që çdo gjë është në shërbim të protagonistëve e jo të interesave të njerëzve. Ai tha se vota qytetare e 18 qershorit duhet të nisë procesin e shkëputjes nga kjo klasë politike njëherë e përgjithmonë.
“Me votë do të mund ta ndalim këtë politikë që nuk na përfaqëson dhe që përpiqet të na nëpërkëmbë në çdo rast. Njëherë e përgjithmonë do të shkëputemi prej saj, duke rikthyer vlerat dhe duke ngritur një politikëbërjeje të merituar nga qytetarët” tha Bojaxhi.
Gjatë deklaratës, Bojaxhi, në emër të partisë SFIDA për Shqipërinë, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që mendojnë se niveli i kësaj politike nuk u pëlqen të bëhen pjesë e kësaj lëvizjeje dhe të marrin në kontroll të ardhmen e tyre.
“SFIDA mblodhi gati gjysmën e firmave të nevojshme për t’u regjistruar në zgjedhje në dy ditë. Ne jemi të hapur ndaj të gjithëve që duan të përfaqësojnë dhe të përfaqësohen nga njerëz me të njëjtat vlera si ata. SFIDA është duke bashkuar mbështetës në çdo qytet të Shqipërisë, të cilët përmes firmës dhe angazhimit të tyre po vendosin të marrin të ardhmen në kontroll”, përfundon deklaratën Gjergj Bojaxhi i SFIDA për Shqipërinë.