Shërbimi Informativ Shtetëror ka reaguar ndaj asaj që e ka konsideruar si “trajtim nga mediat të çështjes së kontakteve të SHISH me kompani që prodhojnë dhe ofrojnë produkte në fushën e sigurisë”.
Në një deklaratë të firmosur nga kreu i Shërbimit Informativ, Visho Ajazi Lika, thuhet se “SHISH, si edhe Shërbimet e tjera simotra të sigurisë, si pjesë e Sistemit të Sigurisë Kombëtare, në përmbushje të misionit të tij ligjor, merr pjesë në panaire ndërkombëtare”.
Pjesëmarrja në këto panaire, sipas SHISH, është për të qëndruar në kontakt me teknologjitë e mbledhjes së informacionit, përfshirë dhe atyre të komunikimeve elektronike. “Në këtë kontekst, kontakti me kompani që prodhojnë produkte për sigurinë është një rutinë normale e SHISH”, thekson kreu i këtij institucioni, Visho Ajazi Lika.
“Nga ana tjetër, për çdo teknologji të re që mund të përdoret nga SHISH në përmbushje të ligjit, kërkohet dhe merret miratimi i Prokurorit të Përgjithshëm. SHISH është një partner shumë i besueshëm i shërbimeve aleate në ushtrimin e aktivitetit të tij. Shërbimi Informativ vepron vetëm në përputhje me ligjin dhe aktet e tjera që rregullojnë veprimtarinë e tij”, përfundon reagimi.