Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë, Nën Sekretaren amerikane të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe ato Euroaziatike, Victoria Nuland, e cila shoqërohej në këtë takim nga Zëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane për Mbrojtjen, Evelyn Farkas.
Biseda me zyrtaret amerikane, të cilat po zhvillojnë një vizitë në Shqipëri në kuadrin e një turi ballkanik, u përqendrua në çështjet e bashkëpunimit dypalësh dhe ato të sigurisë, zgjedhjet vendore, zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët.
Në komunikatën nga Presidenca megjithatë nuk citohet asnjë fjali se cilat kanë qenë shqetësimet që zyrtarja amerikane i ka adresuar Presidentit Nishani.
Saka, kreu i shtetit shprehu mirënjohjen edhe për Partneritetit Strategjik të nënshkruar pak muaj më parë mes dy vendeve, duke e konsideruar atë një ngjarje tepër të rëndësishme dhe mundësi shumë të madhe për Shqipërinë.
Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu edhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për çështjet e sigurisë. Kreu i shtetit i siguroi zyrtaret amerikane se Shqipëria dhe shqiptarët do të vijojnë të kontribuojnë e të jenë një aleat i besuar i Shteteve të Bashkuara në në kuadrin e NATO-s dhe në përballimin e sfidave rajonale e globale të sigurisë. Duke u ndalur në paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kreu i Shtetit theksoi se “Prania dhe vëmendja e Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet jetike, pasi tentativat për destabilizimin e këtij rajoni mbetet një sfidë shumë serioze.”
Presidenti i Republikës theksoi se: “Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria është shumë e interesuar për të kontribuar për sigurinë e vendit dhe të Aleancës, por është gjithashtu e vëmendshme edhe për të respektuar standardet buxhetore të Aleancës”.
Kreu i Shtetit garantoi se: “Si President i Republikës ai do të vijojë të jetë një zë i fuqishëm në buxhetimin e forcave të armatosura të Shqipërisë konform standardeve të NATO-s, pasi vetëm me një angazhim të përbashkët mund të përballohen sfida të përbashkëta”.
Presidenti Nishani shprehu një vlerësimin të veçantë edhe për kontributin e Shteteve të Bashkuara dhe misioneve amerikane si ICITAP dhe OPDAT, për ekspertizën e shkëlqyer që kanë sjellë në Shqipëri, por edhe të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, për angazhimin e drejtpërdrejtë dhe inkurajimit që i kanë bërë reformës në drejtësi. Kreu i Shtetit theksoi se “reforma në drejtësi mbetet prioritet i prioriteteve tona dhe ajo duhet të jetë cilësore dhe premtuese. Ajo nuk mund të ndahet në politike dhe teknike, pasi sfida kryesore ka qenë gjithmonë e lidhur me procesin e implementimit të ligjeve e reformave, që është përgjegjësi dhe vullnet politik.”. Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës vlerësoi edhe pjesëmarrjen së fundmi të opozitës në komisionin parlamentar ad-hoc për reformën në drejtësi.
Gjatë takimit u bisedua edhe mbi zgjedhjet vendore në Shqipëri, ku Presidenti Nishani theksoi nevojën e leximit me përgjegjësi nga të gjithë aktorët politik të raportit të OSBE/ODIHR-it, për të evidentuar dhe adresuar problematikat reale. Dduke vlerësuar edhe angazhimin e Ambasadorit amerikan në Tiranë, Presidenti i Republikës evidentoi dekriminalizimin si një prej betejave reale të shoqërisë shqiptare. Kreu i Shtetit vuri në dukje se: “dekriminalizimi i politikës dhe institucioneve publike shqiptare mbetet një prej sfidave shumë e rëndësishme për vendin, pasi përfshirja e elementëve kriminalë në skenën politike dhe institucionet shqiptare përbën një kërcënim real për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare”.
Me interes u trajtuan edhe nevoja e bashkëpunimit me komunitetet lokale për parandalimin e shtrirjes së influencës nga ekstremizmi i dhunshëm dhe elementet terroristë. Presidenti Nishani evidentoi iniciativat e ndërmarra për të inkurajuar klerikët e lartë të vendit për të dhënë ndihmesën e tyre në këtë drejtim dhe forcuar bashkëjetesën dhe respektin e ndërsjellë mes njerëzve.