Nga Blerina Karagjozi
Shpesh java kalon ngadalë dhe ditët duken sikur ngjajnë aq shumë njëra me tjetrën, aq shumë sa të duket disi e vështirë të kuptosh se në cilën ditë të saj je. Të duket se lajmet janë të njëjtat, diskutimet politike, kriza ekonomike në kufirin jugor, reformat e nevojshme për t’u përmbushur, tek tuk ndonjë inaugurim, vizita të zakonshme, e sigurisht pa harruar dhe përpjekjet shpesh të suksesshme të shoë-bizit për të gjetur lajme aty ku nuk ka.
Megjithatë të gjithë ata që mendojnë se orët dhe ditët në këtë vend janë asgjë më shumë por të mërzitshme dhe me ngjarjet, kopje të përsëritura, sigurisht që këtë dhjetëditëshin e fundit kanë ndërruar tërësisht qëndrim.
Sado që të përpiqesh të jetosh brenda një sfere të qetë e të pandikuar nga rrymat e ndryshme të lajmeve, në përpjekje konstante për të ndjekur jetën në mënyrë të njëtrajtshme duke përmbushur detyrimet e përditshme të punës dhe të familjes, ngjarjet që na përshkojnë jetët janë aq të forta, aq të rënda, aq të pamendueshme e në të njëjtën kohë të papërballueshme, sa është e pamundur të mbullësh sytë e veshët për të mos reaguar ndaj tyre.
Duket si një garë e madhe drejt lajmit, drejt fushatës së zhurmshme për të dhënë lajmin të parët, për të qëndruar aty ku ndodh ngjarja, duke na ofruar në mënyrën më të paimagjinueshme, çdo detaj për skena krimesh, skenarë të mundshëm, emra të përfshirësh, historirash të përgjakura deri në rrjetat e thurura të intrigave dhe thashethemnajave të pavërtetuara e shpesh të pavërtetueshme nga një gazetar tek tjetri. Një mënyrë e papërshtatshme e në kushte tërësisht mungese të etikës profesionale, jo vetëm si një mbrojtës i fjalës së lirë, jo vetëm si një hetues i pavarur që qëndron në anën e të drejtës për të thënë të vërtetën ashtu siç ndodh, por si një gjykatës verdikti i të cilit jepet në moment, pa respektuar as më të voglën procedurë apo të drejtë të njeriut, qoftë ky viktimë apo i dyshuar, duke na mbushur me ankth dhe mërzi në çdo mënyrë të shëmtuar të mundshme.
Përse jemi bërë kaq të pandjeshëm? Të pandjeshëm ndaj viktimës, ndaj rrethit familjar, ndaj rrethit shoqëror, por dhe të drejtës morale për të mos nxjerrë në ekran çdo detaj therës të një skene krimi. Unë e kam të pamundur të mos klikoj mbi një video të një veprimi abuziv dhe sa herë e bëj këtë, aq herë pendohem se përse nuk qëndrova larg tundimit. Mendoj se si ndjehen familjarët përballë pamjeve filmike të personit të dashur, i cili përpëlitet në momentet e fundit të jetës. A i shërben kjo zbardhjes së ngjarjes? Jam e bindur që jo. E nëse kam të drejtë në këtë që mendoj, atëherë ç’vlerë ka të hedhësh në çdo rrjet të mundshëm video të abuzimit me detyrën, qoftë ndaj qytetarit në sportel, qoftë ndaj pensionistit në një farmaci, qoftë ndaj mjekut në detyrë, apo fëmijës në shkallët e një institucioni shtetëror. Dhe sigurisht që poshtë videove rradhiten qindra komente të cilat shprehin mllef, pakënaqësi, pafuqi për të parë një realitet të ndryshëm të cilin padyshim e meritojmë. E kam të vështirë të besoj shpesh sesa të përbindshëm mund të jenë dhe janë aktet që ndodhin në këtë vend, edhe pse jam e bindur se nuk jemi raste të izoluara në një botë të qetë pa kriminalitet. Megjithatë nuk e justifikoj dot shkallën e tmerrshme të dhunës dhe përgjakjes, e për më tepër nuk kuptoj përse çdo media duhet të marrë aq shumë kohë për të transmetuar vetëm kronikë.
Kur do të fillojë të funksionojë policia e komunitetit, syri i padukshëm i publikut që mbron veten dhe qytetin duke denoncuar rrezikun, duke ofruar informacion në mënyrë të sigurt, duke parë rezultate në cilësinë e përgjithshme të sigurisë sonë, në fund të fundit kjo na shërben të gjithëve. Më kujtohet gjithnjë një shprehje për mendimin tim e vyer dhe e vërtetë, pas çdo ngjarje kriminale gjendet një sy që ka parë gjithçka, pyetja ime është a ka kurajo ajo gojë të thotë që e pa? Kur të jemi në gjendje të përgjigjemi po, atëherë realiteti ynë do të jetë shumë më i mirë dhe do të kemi shpresë për të ecur të sigurt drejt dritës në fund të tunelit, me sy hapur!