Nga Skënder Minxhozi/
Lajmi i dorëheqjes së mundshme të ministrit të brendshëm Saimir Tahiri krijoi një efekt surprizë në ambjentin politik e mediatik të Tiranës. I përfolur prej ditës së djeshme, ai mbetet për t’u konfirmuar zyrtarisht, megjithëse jepet si një lajm i sigurt fakti që Tahiri i ka paraqitur zyrtarisht Ramës dorëheqjen nga posti.
Në një qeveri e cila ka qenë dukshëm konservatore në lëvizjet e ministrave gjatë katër viteve të fundit, ikja e ministrit të brendshëm mund të shihet si një zhvendosje e fortë tektonike në prag të zgjedhjeve presienciale e politike dhe në mesin e një përplasje të ashpër politike me opozitën. Pa harruar negociatat delikate me aleatin e vogël problematik, Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Rama ka rezistuar gjatë ndaj kërkesave të përsëritura dhe insistuese të Metës, për të larguar Saimir Tahirin. Ministri i brendshëm më i atakuar nga opozita dhe një pjesë e shumicës në harkun e 26 vjetëve pluralizëm (qindra konferenca shtypi e sulme në Kuvend nga e djathta), shihej rregullisht nga kryeministri si një nga qendrat e palëvizshme të pushtetit të tij ekzekutiv dhe si një kartë e vlefshme në të gjitha rrethanat.
Largimi eventual i ministrit Tahiri, kur në bulevardin qëndror është ngritur çadra e opozitës, kur reforma në drejtësi ka ngecur në rezitsencën e PD dhe skepticizmin bezdisës të LSI, si dhe kur zgjedhjet e qershorit po afrohen dhe roli i ministrisë së brendshme në to mbetet gjithsesi delikat – të gjitha këto elemente të mozaikut politik, e bëjnë tejet sensitive pozitën dhe rolin e kreut të dikasterit të punëve të brendshme.
Në një plan hipotetik, largimi i Saimir Tahirit në këtë moment, mund të prodhohej nga dy faktorë kryesorë: nga një ndërmjetësim ndërkombëtar për të zgjidhur krizën e bulevardit dhe shbllokuar reformën në drejtësi (vizita e Ramës në Gjermani dhe takimi Basha-Lu), ose si një rezultat i presionit të fortë mbi Ramën, kryesisht nga brenda maxhorancës, si dhe për shkak të kolapsit ku është futur kriza me opozitën. Megjithëse mbetet e vështirë të konceptohet që kryeministri, pasi duroi presionet e LSI dhe opozitës për të larguar Tahirin, ta hedhë këtë hap pikërisht tani. Kjo është një mundësi e vogël, por që duhet marrë gjithsesi në konsideratë.
Nëse, në anën tjetër, largimi i Tahirit ka lidhje me një spektër të gjerë lëvizjesh, në kuadrin e një ndërmjetësimi ndërkombëtar të mundshëm, për të dalë nga qorrsokaku politik, ligjor dhe elektoral ku ndodhet Shqipëria, dorëheqja e kërkuar e ministrit të brendshëm mund të shihej si një variante e darkës së Krokodilit, që mund të provokonte më pas mbylljen e protestës, kthimin e opozitës në komisionet e vetingut dhe hyrjen e PD në zgjedhje. Edhe ky variant mbetet për t’u verifikuar, nga momenti që opozita ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk kërkon koka brenda qeverisë, por largimin e të gjithë kabinetit. Në një rrethanë të tillë çadra opozitare mund të bëhej edhe më agresive në të ardhmen sesa sot.
E sigurt është se një largim i ministrit Tahiri do të krijonte lëvizje dhe pështjellim në statu quo-në politike të vendit, brenda dhe jashtë maxhorancës aktuale.
Skender,moti parashikohet,duke e shoqeruar me fjalet:…nese do filloje era…mund te kete,,,por mund te ndryshohet e tjtjtj.Por nje artikull gazete,nuk mund te shkruhet me nese ,e neqoftese.Po te lexosh titujt vetem ne kete gazete,shikon se sa kontradiktore jane ato,ndaj njeri-tjetrit:Tahiri ka dhene doreheqjen…..Tahiri ka thene se as nuk ja kane kerkuar dhe as nuk ka dhene doreheqje…..Flitet per largimin e shume ministrave,,,e tj,e tj.Ju jeni edhe gazete e krahut te qeverise,dhe nese ju nuk keni mundesi te merrni infroacion te sigurte,kush mund ta marre kete lloj informacioni.?Por sidoqofte,nje media serioze,nuk shkruan kurre me hamendje,por vetem mbasi siguron burimin dhe sigurine e informacionit.Pastaj shprehni merzi,kur me komentet tona shpesh ju kritikojme per keto problem.Ketyre I thone Face newspor Rama shpesh,por ama shume shpesh disa nga ju I heq nga ato qe I quan media kazani.Por kur vetem ne nje faqe ditore te Javanews,ka lajme kaq te kunderta me njera tjetren,ku duhet tju fusim juve.Kete koment,ju edhe mund te mos e botoni,por kjo do te vertetoje gjithesa shkruaj mesiper.