Nga Erion Hiluku
Kadare, që rrallë herë gabon, tha nxitimthi para disa ditësh në një intervistë për një njeri të thjeshtë që merrte rrugët e emigrimit: -Ai nuk di ç’është shpresa, koncepti shpresë.
Shpresa mund të shihet si qëndrim, si ndjenjë, si virtyt ose si defekt, por pavarësisht domethënies që çdonjëri i jep, mund të thuhet se është pjesë e pandashme e natyrës njerëzore. Për rrjedhojë mund të jetë e justifikueshme të flitet për trashëgiminë e shpresës madje edhe për gjenetikën e saj. Psikiatria gjenetike po thellon studimet në gjetjen e geneve që kodifikojnë shpresën, besimin, gjuhën, dashurinë, optimizmin si edhe sjellje të tjera njerëzore si vetëfajësimin, skizofreninë, depresionin, etj. Studjuesja jonë e njohur, Falanschi, na ka ofruar studime shkencore për gjuhën si pasuri gjenetike.
Shpresa është guaska më rezistente e njeriut përgjatë jetës së tij dhe optimizmi guri i themelit të saj. Pra nuk ka shpresë pa optimizëm, duke nënkuptuar këtu se ekziston një e ardhme më e mirë se e tashmja. Gjeniu i fundit universal Leibniz, në filozofinë e tij, thotë se “kjo botë është më e mira e mundshme”. Kur bota nuk mund të ndryshohet mund të ndryshohet gjendja personale. Optimizmi i vërtetë është domosdoshmërisht i lidhur me të ardhmen. Ky qëndrim e vendos personin në aventurën e të kërkuarit të një ardhmeje më të mirë prandaj me këtë shpresë fillon një aventurë e cila ka një objektiv. Kështu elementi tjetër i shpresës është bindja se e ardhmja varet nga veprimi njerëzor. Nga ana tjetër është e dukshme si nga pikpamja laike apo ajo teologjike se shpresa dhe optimizmi e kanë bazën e tyre në shpirtin e qenies njerëzore, dhe vërtet nuk janë e njëjta gjë, por varen nga njëra tjetra. Është e pamundur të jetojmë me shpresë duke qenë pesimistë. Në të kundërt një optimist të fundit humb shpresën.
Të zbresim tani me këmbë në truallin shqiptar duke lënë të hapur dritaren filozofike. Do të kisha dashur të bëja një studim të thellë dhe të prekshëm psikologjik mbi shpresën dhe optimizmin në shoqërinë tonë. Për momentin mund të bëj një përafrim studimi me ndihmën e teknologjisë. Gugëlloj fjalën shpresë e me dalin 840000 rezultate. Provoj me fjalen optmizëm dhe arrij në 420 000. Për t’i vënë kapakun, në vend të pesimizmit, provoj me shprehjen “nuk bëhet ky vend”, e cila m’i vibron timpanët shpeshherë gjatë ditës, dhe shikoj rezulatet katastrofike, 1 590 000. Kjo shprehje i dyfishon dy të parat në numrin e publikimeve apo të shkrimeve që e përmbajnë. Shpresa, për të cilën Aleksandër Dumas thoshte se është mjeku më i mirë, duket se në vendin tonë ka pak konsulta. Optimisti, nga ana tjetër, që sipas Chesterton, beson në të tjerët, është një specie në zhdukje në vendin tonë. Në këtë mënyrë pesimizmi mosbesues i bie të jetë shtruar si smogu në Tiranë. Përtej aktualitetit duhet parë edhe historia jonë patjetër, ndikimi mbi evolucionin tonë shpirtëror dhe edukimi i brezave.
Rezultatet e studimeve shkencore tregojnë se një e treta e qëndrimit përballë problemeve të jetës ka një shpjegim gjenetik. Aspekti tjetër është personaliteti ynë, mënyra jonë e të qënit, e cila varet kryesisht nga edukimi jonë, përjetimet dhe përvoja.
Askush nuk mund të mohojë traumën shekullore të popullit tonë pas pesë shekujsh manipulime psikologjike e shkatërrimi të traditës dhe urtësisë, të dizenjuara e të ndjekura brez pas brezi nga ekspertë ushtarakë e politikë të paskrupullt me objektivin “përça e sundo”. Ferrin pastaj për pesëdhjetë plus dhjetë vjet e dizenjuan tanët, se atë që të bën i joti nuk ta bën as Zoti. Se sa mund të ndikojnë në gjenetikën e njeriut ose të një populli më shumë se pesë shekuj të pa ndriçuar këtë e lëmë të hapur për studime të mëtejshme.
Sidoqoftë, ajo që na mbetet e ndryshueshme është edukimi. Ndryshimet dhe marrja seriozisht e edukimit janë hapi i parë për të patur shpresë, për të qenë optimist. Sot është gjithmonë akoma, thotë poeti i madh spanjoll, Machado. Ndërhyrja në sistemet tona edukative është urgjenca e vërtetë. Vendet me zhvillim më të shpejtë, me stabilitet më të madh, me lumturinë më të madhe, janë ata që kanë sistemet më të mira të edukimit, ata që investojnë më shumë në edukim. Asgjë tjetër nuk do ta bëjë më optimist njeriun e sotëm dhe të ardhshëm sesa përgatitja në lartësinë e kërkesave të kohës. Është në dorë të autoriteteve tona ndryshimi dhe rikuperimi i kohës së humbur. Vendosja në dizpozicion e mjeteve të nevojshme, njerëzve të duhur dhe të përgtitur, që të fillojë të edukohet edhe nga pikpamja njerëzore e psikologjike, që edukimi të jetë joshja e së bukurës, në mënyrë që njeriu të jetë i lirë. Që t’i ofrohet kultura dhe të mësohet të mendojë, që me anë të kulturës të mësohet të jetojë.
Ka padyshim një ndikim të madh në shpresën dhe optimizmin e një populli mënyra me të cilën qeveriset vendi. Ka një shembull të bukur mbi administrimin optimist ose ndërmarrjen optimiste, të cilin e mora nga anëtari më ekselent i klubit botëror të optimistëve, Psikiatri i famshëm i New Yorkut, Dr. Rojas Marcos. Ndërmarrja optimiste, për rrjedhojë edhe qeveria optimiste, është ajo në të cilën punonjësit besojnë se puna e tyre është e domosdoshme për rezultatin. Janë organizata në të cilat punonjësi e ndjen se ajo që bën shërben për dicka. Si shembull ai citon kafenetë amerikane “Starbucks”. Gëzimi dhe optimizimi i punonjësve të kësaj kompanie janë ngjitës, thotë, dhe nuk është se ata janë më të paguarit, por janë punonjës të përgatitur për punën që bëjnë dhe e ndjejnë se kanë kontrollin e asaj që po ndodh.
Për të përfunduar, pesimizmi është i mbivlerësuar në shoqërinë tonë ndërsa optimizmi mbetet karakteristikë e luftëtarit. Mundet që, me Konfucin, të jemi në pikën kur “është më mirë të ndezësh një qiri, sesa të mallkosh errësirën”.