Shoqatat e biznesit kërkuan dje nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që të bashkëpunojë me maxhorancën për të krijuar stabilitet politik dhe ekonomik. Në një tryezë të organizuar nga kryetari i opozitës, presidenti i shoqatës “BiznesAlbania”, Luan Bregasi, deklaroi dje se pengesa kryesore e investimeve në Shqipëri është mungesa e sundimit të ligjit, sistemi gjyqësor dhe lëkundja e stabilitetit politik dhe ekonomik i vendit.
“Sigurisht që ne e kuptojmë që brenda ligjit të konkurrueshmërisë politike opozita ka dhe duhet të këtë projektin politikoekonomik, pra është në të drejtën e saj legjitime të organizohet dhe të punojë për të bindur biznesin e qytetarët që projekti i opozitës është më i miri, dhe pse jo të jetë dhe fitues. Por ne sipërmarrësit nuk mund t’i japim mirëkuptim opozitës kur organizimi i betejës politike nuk është në përputhje me stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit dhe krijon imazhe që na dëmtojnë e rrezikojnë investimet e kryera deri më sot. Ulin vlerën e ofertës së Shqipërisë për investime të huaja. Nga ana tjetër, ne do të përkrahim dhe mbështesim çdo përpjekje të opozitës që shkon në të mirë të vendit dhe sipërmarrjes private. Biznesi e ka shumë të rëndësishëm stabilitetin politik të vendit dhe përfshirjen në reforma që çojnë në forcimin e ligjit. U bëjmë thirrje të gjithë faktorëve politikë, përfshirë dhe opozitën, që të angazhohen në mënyrë konstruktive për realizimin e reformave në Shqipëri, dhe këtë detyrë e përgjegjësi e ka kjo klasë politike, dhe prandaj jemi sot, për të dhënë këtë mesazh shumë të sinqertë të gjithë sipërmarrjes private”, tha dje Luan Bregasi.
Edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, e vendosi theksin te stabiliteti politik, duke thënë se Reforma në Drejtësi duhet të zbatohet.
“Votimi i ndryshimeve kushtetuese me konsensus, po të kishte bursë Shqipëria do të ishte ngritur me 30%. Votimi unanim krijoi një besim të jashtëzakonshëm te qytetarët dhe te sipërmarrësit. Kishim besim që do të vazhdonte ky lloj stabiliteti dhe dialogu, por, fatkeqësisht, siç ndodh në Shqipëri, nuk mori atë rezultat që duhej. Duhet të sakrifikojmë çdo gjë për interesat kombëtare dhe interesat e qytetarëve”, tha dje Jaka.
QËNDRIMI I PD
Pas shqetësimit të biznesit, Lulzim Basha tha dje se vendi nuk ka nevojë vetëm për stabilitet, por për konkurrencë. “Cili është çelësi i përparimit të shoqërive europiane dhe amerikane? Stabiliteti? Jo! Stabiliteti është nënprodukt. Se Shqipëria ka pasur 50 vjet stabilitet me Enver Hoxhën, por mbeti e fundit. Stabilitet kemi pasur 3 vjet e gjysmë. Aq sa nuk dinë as të numërojnë deputetët, se i kanë shndërruar në numra, jo njerëz. Sa deputetë kanë qenë? Nga 84, 85, 92 etj. Nuk ka rëndësi, stabiliteti në qoftë se mbështetet me një lojë të pistë pa rregulla dhe pa shtet ligjor, pa përfaqësim demokratik, pa konkurrencë, është vdekjeprurës. Kjo është arsyeja pse ekonomia është në ngërç, pse ekonomia rënkon, pse biznesi vetëm qahet. Pse investitorët e huaj i vënë notën zero klimës së biznesit dhe pse Shqipëria është në gjendje katastrofike ekonomike. Sepse nuk ka konkurrencë, ecën përpara vetëm po të hapë telefonin ministri apo kryeministri”, u shpreh Basha.
Kreu i opozitës tha dje se do të shkarkojë çdo ministër që ulet në kafe me biznesmenët, pasi në këto tryeza diskutohet vetëm për afera korruptive në dëm të qytetarëve.
“Biznesmeni apo ministri që ulen bashkë, njëri nga të dy do të qërohet. Ministri dhe biznesmeni që ulen bashkë, ulen për të bërë komplot kundër qytetarit, komplot kundër konsumatorit, komplot kundër tregut. Kjo do të marrë fund. Çdo ministër, çdo autoritet i lartë shtetëror që ulet kokë më kokë me një biznesmen që nuk e lidhin lidhjet familjare apo të tjera çështje normale, do duhet ta shpjegojë mirë dhe qartë arsyen dhe të dokumentojë takimin, sepse në ato takime kudo që ndodhin, në zyrat e qeverisë apo në restorante, apo në skutat e kryeqytetit, apo në baret e hoteleve jashtë shtetit, aty komplotohet kundër interesit publik. Aty komplotohet për koncesionet korruptive, aty komplotohet për skema korruptive, të cilat nuk i shërbejnë sipërmarrjes, nuk i shërbejnë konkurrencës”, tha Basha.
ma.me