Sipas “RD”, Vlahutin nuk lë ambasadorët e tjerë të vendeve të BE-së, që të vizitojnë çadrën.
“Në takimin e përjavshëm të ambasadorëve të vendeve të BE të zhvilluar dje një vend të rëndësishëm ka zënë kriza politike. Ambasadorët kanë diskutuar me shqetësim për problematikën dhe ngërçin e zgjedhjeve pas tërheqjes së plotë të opozitës nga regjistrimi në KQZ si dhe protestat, e cila është e pandalshme. Ambasadorët e vendeve të BE kanë kërkuar dje që të dëgjohet prej tyre zëri i opozitës, duke kërkuar një takim me Kryetarin e opozitës Basha.
Kërkesa e disa ambasadorëve është kundërshtuar nga ambasadorja Vlahutin. Kjo e fundit në një axhendë tërësisht personale ka paraqitur argumente qesharakë që të mos realizohej për momentin një takim i tillë. Sipas saj, Partia Demokratike nuk është forca e vetme që përfaqëson opozitën.
Pas kësaj fjalie, ajo ka shprehur edhe fjalinë tjetër se Basha nuk e përfaqëson opozitën dhe në fund fare Vlahutin ka hedhur edhe perlën që ka bërë shumë prej diplomatëve të nënqeshin, se më mirë do të ishte që të dëgjohej Shoqëria Civile se Basha dhe opozita”, shkruan “RD”-ja, që tashmë e ka gjetur fajtorin përse nuk ka asnjë zë serioz ndërkombëtar, në mbështetje të protestës së PD-së.
“Lufta për zgjedhje të lira e shqiptarëve do të jetë e gjatë dhe vendosmëria as nuk do të vihet në dyshim për asnjë moment të vetëm. Kjo betejë nuk do të mund të mbahet kurrë peng i asnjë afere korruptive të politikës. Ajo as nuk do të blihet as nuk do të shitet rrugëve me valixhe diplomatike apo bonuse të tjera të denja për republikat e bananeve, sepse vlera e votës është shumë herë më e madhe se e pallateve dhe vilave në pajë të korrupsionit.
Shqipëria është sot në këmbë dhe beteja për zgjedhje të lira është jetike për këtë vend po aq sa ishte edhe në vitin 1990. Nuk do të ketë asnjë tërheqje.
Kjo është një betejë historike dhe fitorja do t’i përkasë shqiptarëve, ndërsa turpi historik atyre që janë bërë palë me mafien dhe krimin e organizuar. Mes nënshtrimit dhe betejës për dinjitet, shqiptarët kanë zgjedhur atë betejë që do të bënin njerëzit e lirë në çdo vend të Europës së Bashkuar”, e mbyll shkrimin e saj kundër Vlahutin, “Rilindja Demokratike”.
ma.me