Pas rënies së sistemit komunist, filluan të qarkullonin të tjera variante nga ai zyrtar për vdekjen e ish-kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë, Mehmet Shehu. Në mes të kësaj vale të mbushur me hipoteza dhe shumë kuriozitet, djali i Mehmet Shehut, shkrimtari Bashkim Shehu, i cili e kishte hequr vetë mbi shpinë aktin vetëvrasës të të atit, do të rrëfente historinë në vetë të parë, ashtu si ai e kishte përjetuar.
Ishte viti 1994 kur Bashkim Shehu boton librin “Vjeshta e ankthit” dhe prej atëherë autori dëshiron të flasë sa më pak për këtë histori që e kthejnë pas në një kohë të mbushur me dhimbje.
Përgjatë disa ditëve, gazeta “Panorama” botoi tri copëza nga ditari i Enver Hoxhës që tregojnë takimet e tij me Mehmet Shehun mbi çështjen e fejesës së Skënderit me Silva Turdiun. Pas variantit të diktatorit, sjellim atë të Bashkim Shehut. Nga “Vjeshta e ankthit” po shkëpusim rrëfimin e tij mbi vizitën e Enver Hoxhës për urim në shtëpinë e Shehajve, që sipas tij do të thoshte “pranim zyrtar i fejesës”.
NGA BASHKIM SHEHU
Në një nga ditët e fundit të gushtit 1981, ne hymë në shtëpi të re. Nuk ishte thjesht një rikonstruksion i së vjetrës, ku familja jonë kishte banuar qysh më 1954, kur Mehmet Shehu qe bërë kryeministër…
Kur hyn në një shtëpi të re, kjo sjell me vete tersllëk, fatkeqësi, mënxyrë për familjen, ose të paktën duhet ruajtur nga ndonjë e këtillë mënxyrë, nëse mund të shmanget, kështu thotë një besëtytni e njohur dhe e lashtë. Hyrja jonë në shtëpinë e re përkoi me fejesën e tim vëllai, Skënderit.
Skënderi ishte 32 vjeç dhe ishte i vetmi beqar ndër ne të tre vëllezërit. Beqaria e tij i rëndonte prej vitesh babait si një peng i vonuar. Ndaj dhe ngazëllimi i babait për këtë fejesë, që ishte njëherit dhe heqja e atij pengu, qe e dyfishtë.
Madje, kjo e bëri të flaktë edhe çdo paragjykim në lidhje me ato që, sipas bindjeve të tij partiake, mund të quheshin njolla në biografinë e vajzës: një xhaxha i arratisur në Amerikë, eksponent i antikomunizmit në mërgim, pastaj Arshi Pipa, çka duhej të ishte dhe më e rëndë, megjithëse me një lidhje më të largët, kushëri i parë i nënës, pastaj edhe të tjerë njerëz, nga farefisnia, diskriminuar e persekutuar.
Mirëpo asgjë mangut, fejesa u bë. Më 1 shtator erdhi në shtëpinë tonë babai i vajzës, profesor Qazim Turdiu, për të biseduar me Mehmetin, dhe kështu u vendos që të shpallej fejesa. Të nesërmen erdhi vajza, Silva. Të pasnesërmen, më 3 shtator mbasdite, filluan vizitat. Të parët erdhën Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha. Kjo përbënte, pa fjalë, miratimin zyrtar të fejesës.
-E njoh babain tënd, profesor Turdiun -i tha Enver Hoxha Silvës, me një të folur të ngadalshme e me zë të thellë, – kam shumë respekt për profesor Turdiun. M’i bëj të fala. Jam shumë i gëzuar që Mehmeti e bëri këtë fejesë.
-Edhe unë e njoh shumë mirë nënën tënde, -tha Nexhmija, – kemi qenë shoqe shkolle në kohën e Luftës. I bëj shumë të fala nga unë. Silva ishte ulur midis Enverit dhe Mehmetit, në një kolltuk të gjatë që të tre. Ne të tjerët nëpër koltuqe e karrige anash dhe përballë, në një qerthull të mbyllur, dhe në mes një tavolinë, me bonbone të mbështjella me letër varaku, që jepnin e merrnin me njëra-tjetrën xixëllime të dridhshme me gotat e kristalta të pijeve dhe sikur s’kishin të bënin me asgjë tjetër përreth.
Ndërsa biseda, më tepër ndërmjet Enverit dhe Mehmetit, kaloi shpejt te ngjarjet e Polonisë. -E fitoi reaksioni Poloninë, – tha Mehmet Shehu, duke përsëritur diçka që e kisha dëgjuar sa e sa herë prej tij përballë televizionit.
-Partia në Poloni është bërë një parti tamam socialdemokrate, – tha Enver Hoxha, -sepse socialdemokracinë që në fillim e kanë pasur brenda!
-Po ashtu është, -pohoi Mehmet Shehu. Pak më vonë ata zunë të flisnin për hijeshitë natyrore të bregdetit.
-Na e lakmojnë shumë, -tha Enver Hoxha, – e lakmojnë për turizëm. Nga Dhërmia deri në Butrint do të bënin plazhe e hotele sikur ta kishin në dorë, -shtoi ai, dhe nënqeshi sakaq.
-Po s’e hamë ne atë, – tha Mehmet Shehu. -Sikur t’i lejonim, tërë ata më të degjeneruarit, tërë kancerin do të na e binin këtu, që të na krimbnin nga brenda, -tha Enver Hoxha, duke puqur majat e gishtërinjve të njërës dorë dhe duke bërë një gjest të atillë, sikur diç përpiqej të shtinte diku.
-Zaten aty e kanë gjithë qëllimin. Nga fundi i bisedës, Enver Hoxha m’u kthye dhe më pyeti për problemet që mund të kishte Kinostudioja, meqë atje punoja si skenarist. Mehmeti ndërhyri, diç foli për disa mungesa në pajisjen teknike të studiove. Me sa kuptova, edhe më përpara ia kishte prekur këtë temë.
Po matesha të shpjegoja ndonjë gjë pak më me hollësi, mirëpo mbas një grime vura re se isha duke folur për mekanizmin e atyre hallkave të shumta e të tepërta, komision pas komisioni, nga drejtoria e institucionit deri në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, nëpër të cilat duhej të kalonte një skenar, mandej filmi i ndërtuar mbi këtë skenar, për t’u miratuar që t’i jepej publikut.
-Jo, s’mund t’i heqim këto hallka, janë të domosdoshme, – tha Enver Hoxha, gjithë duke ruajtur tonin e shtruar e të qetë, po mua prej së largu m’u dëgjuan gjëmime.
-Nuk thashë të hiqen krejt, – u rreka të mbrohesha, – po vetëm se janë të shumta dhe disa prej tyre të tepërta.
-Jo, jo, -tha Enver Hoxha, mirë janë komisionet.
Ç’mu desh, thashë me vete, porse ishte tepër vonë. Mbi mua vrujonte tani një shi i pjerrët qortimesh, të cilit s’kisha si t’i shmangesha.
ma.me