Ish- drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi bën publik një dokument ku tregohet sesi regjimi komunist merrte vendimet e internimit për kundërshtarët. Në vitet 1945-1949 kundërshtarët e regjimit komunist internoheshin pa ndonjë referim në bazë ligjore. Për internimin vendoste ushtria ose organet e punëve të brendshme. Ishin tri kategori njerëzish që internoheshin:
-Familjet e të arratisurve
-Familjet e dyshuara armike nga zonat kufitare
-Familjet e të dënuarve
-Partizanët dezertorë
Për vitet 1945-1949, si rezultat i punës shkatarraqe të administratës komuniste, nuk është trashëguar asnjë lloj dokumentacioni emëror, ndërsa për vitet 1949-1953 gjendet fare pak informacion.
Dekreti nr.649, datë 10.1.1949 rregulloi për herë të parë me ligj çështjen e internimeve, ndërsa një kapitull i posaçëm u vendos në platformën e organeve të punëve të brendshme në vitin 1954. Këtë kohë, nuk kishte një koncept të qartë midis internimit dhe dëbimit (dëbimi në të vërtetë ishte internim në regjim kampi tela me gjemba). Komisioni i Dëbimeve dhe Konfiskimit të Pasurisë u formua pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në vitet 1945-1953, regjimi komunist internoi në pjesën më të madhe, fëmijë, gra dhe pleq, duke ia kaluar kështu të gjitha regjimeve të mëparshme, pasi asnjë prej tyre nuk ishte marrë kaq seriozisht dhe egërsisht me fëmijët, gratë dhe pleqtë.
Bashkëlidhur, modeli i parë i përdorur në vitin 1949 për internimin e kundërshtarëve politikë. Sipas këtij vendimi, familja Plaku internohej në kampin e Valiasit në Tiranë.
ma.me