Nga Etleva Bragjeçi
“Sikur të gjithë burrat që nuk iu është dëgjuar ndonjëherë zëri në Kuvend të zëvendësoheshin nga gratë, do të ishte shumë më mirë”. Më nxiti kjo frazë e Ish-Pedagoges time në Fakultetin e Gazetarisë, njëkohësisht edhe aktiviste për të drejtat e grave, Iris Luarasi, për tu ulur e shkruar disa radhë për 8 marsin e femrave shqiptare.
Që nga koha e protestës së parë të 8 marsit të vitit 1908 në SHBA, ku me qindra gra që punonin në një fabrikë tekstilesh në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u futën në grevë për të kundërshtuar kushtet mizerable në të cilat punonin, ka kaluar shumë kohë dhe shumë gjëra kanë ndryshuar e janë përmirësuar. Nga ajo protestë, ku vdiqën 129 gra, janë miratuar ligje, janë themeluar Konventa, organizata e nisma të ndryshme, të cilat kanë përmirësuar dhe kanë shtuar listën e të drejtave të grave.
Por, sot më 8 mars, sikundër çdo vit tjetër, shoh femra të lyera dhe veshura me fustane e taka që në mëngjes, të cilat mezi presin që eprorët në punë tu thonë, “Ikni më herët sot se do të festoni”; Shikoj vajza të reja apo edhe gra të reja, të cilat presin darkën e 8 marsit për tu shfrenuar në klubet e kryeqytetit me striptistë të huaj, që vijnë enkas për këtë datë në Shqipëri të ftuar nga pronarët e lokaleve; Çdo vit, fëmijët u blejnë buqeta me lule dhe urojnë mamatë e tyre që në mëngjes, kjo për shkak se në vendin tonë është perceptuar më shumë si festa e nënës dhe jo e femrës; Çdo 8 mars bashkëshortët bëhen shumë të dashur dhe të sjellshëm me bashkëshortet e tyre, madje madje edhe nëse nuk e kanë për zakon, rregullat e reja u imponojnë që tu blejnë ndonjë buqetë me lule apo ti nxjerrin gjëkundi për drekë ose darkë; Çdo vit më 8 mars përsëritet e njëjta sinfoni ligështuesë, e trishtueshme, e shtirur deri në palcë dhe përsëri femrat vazhdojnë të bien pre e meshkujve edhe për 8 marsin, “ në ditën e tyre”.
Nënat, motrat, bashkëshortet, vajzat dhe çdo femër vazhdojnë të besojnë se 8 marsi është festa e tyre dhe për këtë arsye ata duhet të festojnë dhe meshkujt atë ditë duhet që tu qëndrojnë në gadishmëri për tu plotësuar dëshirat e tyre mjerane.
Edhe ato femra që 364 ditët e tjera të vitit janë dhunuar sistematikisht nga burrat e tyre, dhunë fizike dhe psikologjike, gëzojnë dhe festojnë më 8 mars; Edhe ato femra që nuk ndjehen asnjëherë të vlerësuara nga meshkujt e jetës së tyre sërish ngazëllejnë më 8 mars; Edhe punonjëset femra që gjithë vitin mund të jenë të diskriminuara në punët e tyre, sërish në një ditë të vetme gëzojnë se do ta bëjnë pushim atë ditë, apo se punëdhënësit e tyre mund tu organizojnë një drekë-festë për “nder të festës së tyre”; Femrat që punojnë në administratën publike gëzojnë në drekën që institucioni ka shtruar atë ditë enkas për ta; Edhe femrat qeveritare festojnë dhe dalin të hareshme përpara mediave, duke thënë se me siguri ata do të punojnë më shumë që vitin tjetër femrat të kenë më shumë të drejta dhe të kenë një përfaqësi më të lartë në Parlament.
Nga ana tjetër politikanët meshkuj, edhe ato që nuk janë dukur ndonjëherë në Kuvend dhe pakkush i njeh që janë deputetë apo ministra, dalin me ca “selfie” nëpër rrjetet sociale apo qorrtas në ndonjë media duke pozuar lumturisht krah femrave, si për të treguar se ata i mbështesin dhe i vlerësojnë femrat po aq sa dhe veten!
Mund të kuptoj shumë festa të tjera, qofshin ato fetare apo pagane në Shqipëri, por FESTEN e 8 Marsit nuk mundet ta kuptoj në këtë shoqërinë tonë. Mund ta kuptoja nëse femrat në Shqipëri do të trajtoheshin e të kishin të njëjtat të drejta dhe standarte siç ndodh në Perëndim, apo do të isha e lumtur dhe e mbushur me shpresë nëse këto femra do të protestonin për të gjitha ato gjëra që iu mohohen atyre. Por në kushtet ku numri i femrave të dhunuara është në rritje, kur numri i femra që nxirren në rrugë për të prostituar është po ashtu në rritje, ku numri i femrave që na përfaqësojnë në institucione, Kuvend apo organizmat e tjerë sërish është shumë i ulët krahas meshkujve, kur të jesh femër dhe të shkosh të kërkosh punë shpesh të shohin si objekt seksual, ku pjesa më e madhe e drejtuesve kudo që të shkosh është meshkuj dhe kjo në shumicë të rasteve jo me meritë, në një vend ku të jesh femër është shumë herë më e vëshitrë të jetosh, ka vend për protesta dhe jo për festa.
Të dashur burra, nëse doni të tregoni respekt, vlerësim e dashuri për bashkëshortet tuaja, bëjëni këtë 364 ditë të vitit dhe jua siguroj së ditën e 365, ditën e 8 marsit, do t’jua lënë pushim gratë, nuk do e duan dashurinë tuaj atë ditë.
Fort të dashur fëmijë, të paktën ju të rriturit që e kuptoni mirë se çbëhet në këtë botë, nëse doni që të përkujdeseni për nënat dhe motrat tuaja, tu dhuroni atyre dashuri dhe respekt, bëjeni këtë duke u bërë njerëz të mirë për veten dhe për shoqërinë, mësoni shumë dhe punoni ndershëm, tregoni mëshirë në ditë të vështira për ata që kanë nevojë për ju, mos u marrosni pas parasë duke e kthyer atë në një qëllim për jetën tuaj, duajeni dhe respektojeni familjen tuaj qoftë edhe duke ju thënë një fjalë të mirë, tregojini motrës se jeni krenar për të dhe se jeni aty gjithmonë për ta mbështetur atë, thuajini mamasë tuaj çdo ditë sesa e doni dhe se është njeriu më i rëndësishëm i jetës tuaj, kujtojeni me një telefonatë sa më shpesh të mundeni edhe nëse jeni larg dhe gjejeni kohën që ta vizitoni atë më shpesh. Nëse i bëni të gjitha këto çdo ditë, nëna juaj do të jetë nëna më e lumtur në botë dhe më krenarja për ju dhe s’do të ketë nevojë të festojë më 8 mars, pasi festa e saj është çdo ditë dhe ajo festë quhet “Ti”, Ti je festa e saj, je lulja më e bukur për të dhe dhurata më e paçmuar që mund ti jetë bërë ndonjëherë në jetë.
Shumë të dashura femra dhe zonja që punoni çdo ditë po aq shumë sa edhe meshkujt, tregojuni eprorëve tuaj se nuk ju duhet një ditë pushim apo festë më 8 mars, por se ju meritoni të vlerësoheni po aq sa edhe punonjësit e tjerë meshkuj.
Fort të dashur politikanë, lerini ekspozimet dhe fjalët e bukura e premtimet boshe që bëni çdo 8 mars se femra është forcë e madhe, e fuqishme, e zgjuar etj, etj. Ju gra politikane, bëjeni punën dhe tregojini meshkujve kolegë që jeni po aq të zgjuar sa edhe ata, në mos edhe më shumë, tregojuni atyre se e bëni punën po aq mirë madje edhe më mirë sesa ata dhe tregojuni atyre se ju e meritoni të jeni në atë vend po aq sa edhe ata.
Për ju politikanë meshkuj do kisha dashur që përkrah çdo karrigie përkrah jush të ishte një femër e zonja dhe e ndershme, do doja shumë që shumicën prej jush të mos i shihja më kurrë në atë Parlament apo institucion publik që përfaqëson, po ashtu do doja shumë që shumë prej jush të cilëve nuk ua kam dëgjuar zërin të largoheshit nga ai vend dhe t’ja linit vendin një zonje të nderuar. Edhe për ata që i kam parë e dëgjuar shumë herë, por që vetëm të liga kanë mbjellë dhe përcjellë, duke përfituar nga pushteti që kanë, do doja që të zhdukeshin përgjithmonë dhe në vend të tyre të ishin zonja të zgjuara, me vullnet të fortë dhe me mirësi të plotë. Aty ku është femra, është e sigurtë që ka shumë më shumë punë të ndershme dhe shumë më shumë të mira për popullin.
Ndërsa për ju nëna apo gra që ankoheni dhe qaheni se jeta po ju përball me vështirësi dhe ju nuk mund t’ja dilni dot, mos mendoni se si të qaraviteni por se si mund ti kapërceni vështirësitë që ju përball jeta, të ngriheni edhe atëherë kur rrëzoheni, të shpresoni edhe kur duket se shpresat kanë vdekur, të kërkoni lumturinë edhe kur duket se çastet e lumtura janë pakësuar si pika e fundit e ujit të jetës.
Unë jam ende e re ndoshta për të menduar kësisoj, apo për të guxuar të shpreh dhe të jap këshilla prej një të rriture. Nuk e kam përvojën e jetës sa një grua apo femër që i ka kaluar pothuaj të gjitha stadet e jetës. Por ama unë kam një shembull të madh, të cilin e kam përpara syve dhe zemrës sa herë që mendoj dhe veproj për jetën. Shembulli më i mirë i jetës time, është nëna ime, është ajo të cilën jeta e ka përplasur fort shumë herë, e ka rrëzuar shumë herë por sërish është ringritur, i ka hequr buzëshjen por sërish ka mundur ta gjejë atë, në një moment mundet ndoshta edhe ti ketë hequr shpresat, por sërish është kapur fort pas fijes së fundit që i ka mbetur edhe është ringritur edhe më e fortë se më parë. Sepse në jetë duhet të luftosh çdo ditë për të marrë atë që të takon dhe për të patur grimca lumturie. Sepse femra ka fuqi dhe forcë të pashtershme, pavarësisht se me çfarë i duhet të përballet në jetë.
Gjërat në jetë nuk të dhurohen por fitohen! Ndaj, fort të dashura femra, luftoni dhe kërkojini ti merrni me ngulm ato që meritoni!