Duke pirë një nga ato kafet tona të përditshme rutinë me kolegë e miq, është e pamundur që të mos preken temat e aktualitetit politik.
Në Tiranë sapo kishte mbërritur shefja e diplomacisë evropiane Mogherini, ndërkohë që në bulevardin e madh vazhdon protesta e opozitës në një çadër prej dy javësh… Gazetari i njohur i Radio-Televizionit shqiptar, Timo Luto, tha: është e çuditshme se si përsëritet historia. Njëzet vjet më parë ishin të njëjtët njerëz që i vunë flakën Shqipërisë dhe atëherë mbërriti në Tiranë Romano Prodi. Unë e kam shoqëruar atë nga RTSH në Vlorë. Tani, pas 20 vjetësh, të njëjtët njerëz kërkojnë t’i vënë sërish flakën Shqipërisë. Dhe në Tiranë mbërrin një nga autoritetet më të rëndësishme të BE-së, Mogherini. Pse duhet të vijnë të huajt të na vënë rregull në këtë vend?, më shumë pyeti veten se ne Timoja. Pastaj ai tregoi këto kujtime nga ditët e marsit 1997…
…Protestat në Vlorë u bënë të përditshme. Në fillim paqësore, me marshimin e përnatshëm nga sheshi i Flamurit në skelë dhe anasjelltas, por të provokuara nga policia dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të ardhur nga Tirana, protestat u bënë agresive. Protestat e qytetarëve vlonjatë u përkrahën edhe nga banorë të qyteteve të tjera. Drejt Vlorës nisi një pelegrinazh i qytetarëve dhe aty i kthyen sytë politikanët e opozitës dhe gjithë Shqipëria. Urrejtja ndaj qeverisë dhe Sali Berishës kishte arritur kulmin.
Drama më e rëndë ndodhi pikërisht në Vlorë. Për çka ndodhte këtu, televizioni informonte publikun vetëm nëpërmjet komunikatave zyrtare që dërgonte Ministria e Brendshme. Asnjë grup xhirimi nuk ishte dërguar dhe asnjë pamje filmike nuk ishte transmetuar. Më 28 shkurt u sulmuan zyrat e Shërbimit Informativ Kombëtar në Vlorë. Shkak sipas burimeve të ndryshme ishte ndërhyrja për të nxjerrë nga greva e urisë studentët e mbyllur në një nga sallat e universitetit. Pasojat: dy të vdekur dhe disa të plagosur nga punonjësit e SHIK-ut dhe godina e shkatërruar. Presidenti Sali Berisha deklaroi dorëheqjen e kabinetit qeveritar. Anarkia u shtri më në jug. Në Sarandë u grabitën depot e armëve, po kështu në pasditen e 2 marsit u sulmua Komisariati i Policisë në Tepelenë dhe u dëmtuan Gjykata dhe Prokuroria. Vala nuk ndalej më. Në mbrëmjen e asaj dite u njoftua se u sulmua divizioni i ushtrisë në Qafën e Koshovicës, pranë qytetit të Fierit dhe u rrëmbyen armët në depot e ushtrisë.
Po këtë ditë u ndalua një miting i opozitës, që çoi në përplasje me policinë. Situata po rëndohej çdo orë e më shumë. Kuvendi i mbledhur me urgjencë në pasditen e 2 marsit vetëm me 118 deputetët e Partisë Demokratike, vendosi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Në krye të shtabit të gjendjes së jashtëzakonshme u caktua kryetari i SHIK-ut që u prezantua aty, gjeneral Bashkim Gazidede. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme ndalonte qarkullimin nga ora 22.00 deri në orën 06.00 dhe ndalohej çdo manifestim publik dhe çdo veprimtari tjetër çfarëdolloj. Afër mesnatës një grup i panjohur i kishte vënë zjarrin gazetës Koha Jonë dhe kishte dhunuar rëndë një gazetar të saj. Në orën 10.00 paradite, deputetët e Partisë Demokratike u mblodhën në Kuvend grupe-grupe, e në heshtje futeshin në sallë.
Presidenti Berisha zuri vend në lozhën e tij. Pas tij zuri vend edhe kryetari i Kuvendit, Pjetër Arbnori. Rendi i ditës: Zgjedhja e presidentit ose rizgjedhja e Berishës president. Morën pjesë 118 deputetë dhe votuan pro 113. Ishte një formalitet. Asnjë solemnitet dhe në lozha, ndryshe nga rastet e tjera, mungonin ambasadorët. Jashtë kësaj salle vendi ishte në anarki të plotë. Komisariatet po braktiseshin. Dyqanet ishin të mbyllura nga frika e grabitjes. Po kështu edhe shkollat. Frika dhe pasiguria kishte pushtuar kryeqytetin.
***
Një javë më pas, kur sapo kishte filluar emisioni i lajmeve të orës 20.00, shefi i redaksisë erdhi në studion e transmetimit me një letër në dorë dhe zbriti për t’ia dhënë folësit sapo nisi transmetimi i një kronike. Isha në pult në rolin e redaktorit përgjegjës, dhe prisja se çfarë përmbante ajo letër që u fut me urgjencë në transmetim. Shefi nuk u largua dhe në heshtje priti të fillonte leximi i asaj. Ishte një deklaratë e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar, që i jepte vetes atributet e një force që do të mbronte vendin, qetësinë publike dhe rendin kushtetues nga cilado forcë e grupe njerëzish që ushtronin dhunë e terror kudo në vend. Ajo natë u bë e frikshme. Në televizion kishin mbetur pak punonjës, vetëm ata që mbanin vijimin e transmetimit. Gjithkush përpiqej të largohej para orës kur fillonte ndalimqarkullimi. Natën e 13 marsit në redaksi kisha mbetur unë, Tefta Radi dhe shoferi. Do jepnim edhe një edicion lajmesh në orën 22.00, pastaj do largoheshim. Marrëzi. Kur e mendoj sot, duket vërtet marrëzi. Natën e 13 marsit nuk kishte asnjë patrullë policie në rrugë, ku herë pas here dëgjoheshin të shtëna armësh. Qyteti ishte i tëri i zbrazët. I heshtur dhe i frikshëm. Teknikët e transmetimit qëndronin aty deri në mëngjes, kështu duhet të bënim edhe ne për të mos u rrezikuar nga ndonjë e papritur e atyre netëve të zeza.
Pas përfundimit të emisionit të lajmeve të asaj nate u nisëm me makinë (një Benz fuoristradë të dallueshme si makina të TV) për në banesat tona. Kaluam në rrugën midis Kryeministrisë dhe hotel Rogner, dhe kur u futëm në bulevard makina u kthye majtas për të shkuar drejt Librit Universitar, për në shtëpitë tona në rrugën Sami Frashëri. Kur sapo u futëm në bulevard, nga lulishtja në krah të selisë së Kuvendit dy vetë të veshur civilë dhe me automatikë na ndërprenë rrugën. Shoferi ndaloi makinën dhe tha vetëm kaq: “Jemi të Televizionit.” Kjo fjalë mund të ishte edhe fatale. Por në ato pak sekonda të frikshme, pashë që personat e armatosur që na kishin ndërprerë rrugën, u tërhoqën dhe bënë shenjë të kalonim. Ankthin e atij çasti e kaluam në heshtje, nuk ishim në gjendje ta shpjegonim pse ishin civilë të armatosur e jo ushtarakë, siç ndodh në raste të tilla.
Vonë mësova se atë natë komisariatet e policisë ishin braktisur nga të gjithë. Shefi i Komisariatit Nr. 2, Sali Shehu kishte grumbulluar rreth 200 të rinj në mbrojtje të kryeqytetit duke i shpërndarë në grupe, në pika të ndryshme kryesisht në qendër ku ndodheshin institucionet kryesore të shtetit. Falë tyre kryeqyteti i shpëtoi shkatërrimit, sikurse ndodhi në qytete të tjera. Nuk kishte gjë më të trishtuar sesa ky qytet bosh e pajetë; nata mbi të ishte më e errët se kurrë.
Nuk i shpëtoi shkatërrimit Universiteti Bujqësor i Kamzës. Kompleksi më i veçantë dhe më funksional arsimor në vendin tonë, i ndërtuar në vitet ’30 të shekullit të XX nga patrioti Koço Dako, emigrant në Amerikë, e ndërtuar si shkollë e mesme bujqësore, ndër të paktat në Shqipëri. U sulmua nga një turmë vandalësh duke shkatërruar e djegur auditorët dhe grabitur fjetoret e studentëve. Por ajo që ishte më e dhimbshme dhe me një dëm të pa zëvendësueshëm ishte djegia e bibliotekës së këtij universiteti, një nga të rrallat në Ballkan. Barbarët e këtij akti ishin të ardhur nga zona të thella të vendit, njerëz mizorë e pa kulturë, që i kthyen mjediset e tij në banesat e tyre mjerane.
***
Drejtues e punonjës të institucioneve shtetërore e publike që i kishin shërbyer pushtetit duke shkelur ligjin dhe statusin që përcaktonte vendi i punës, ia mbathën nga Shqipëria. Kjo ndodhi me komandantin e përgjithshëm të gjendjes së jashtëzakonshme, me ministrin e Mbrojtjes, me kryepolicin dhe ministrin e Brendshëm e shumë të tjerë, që në mëngjeset e këtyre ditëve nuk u panë në zyrat e tyre.
Edhe në televizion kishte të tillë që ikën tinëz, pa folur e takuar askënd, veç kur në mëngjesin e eksodit të tyre të turpshëm nuk u panë më, nuk u dëgjua më zëri dhe euforizmi i tyre, që u pëlqente ta vinin në dukje kurdoherë. Por ja që ikën, si të mos kishin qenë kurrë.
Aty nga fundi i javës së parë të marsit një helikopter i forcave ushtarake italiane u ul në fushën jeshile të stadiumit Qemal Stafa. Me këtë helikopter do të largohej personeli i ambasadës italiane. Me të u largua dhe folësja e televizionit, kanakarja e pushtetit Vjollca Vokshi. Nuk do të kishte mundur të largohej po të mos kishte qenë ndërhyrja e ambasadorit italian. Me pasaportën e shërbimit në xhep, dhënë nga pushteti që i shërbente, u largua dhe Amalia Dhamo për në Greqi. Po kështu na humbi edhe Reis Çiço.
Duke qenë se kisha më shumë shoqëri me të dhe në përgjithësi i respektonte marrëdhëniet shoqërore, pas dy – tre ditëve të mungesës së tij i telefonova në shtëpi, por nuk u përgjigj askush. Telefonova edhe një herë tjetër, përsëri nuk u përgjigj njeri. Pas më shumë se dhjetë ditësh, kur në Tiranë ishte kthyer disi qetësia dhe ishte krijuar një qeveri e re me kryeministër Bashkim Finon, një qeveri që kishte nën kontroll në fillim vetëm bulevardin Dëshmorët e Kombit, një telefonatë mbërriti në shtëpinë time.
Ishte Reisi. Sapo dëgjova zërin e tij e pyeta me habi se ku kishte humbur, pse nuk shkonte në punë. Më tha se kishte qenë i sëmurë dhe sapo të bëhej mirë, do kthehej. Më pas më pyeti se çfarë thuhej nga televizioni. Më tepër e kishte fjalën për veten dhe kishte nevojë për një garanci për rikthimin e tij. Ai më tha se telefononte nga shtëpia e tij në Tiranë, por kjo ishte pak e besueshme.
Shumë kohë më vonë një i njohuri im, gjatë një bisede të rastit për ngjarjet e atij viti më tha se në ato ditë të fillim marsit 1997 ishte larguar edhe ai për në Itali dhe në tragetin me të cilin kishte udhëtuar, kishte parë Reisin.
Reis Çiço u kthye në televizion. Pushtetin e kishin socialistët dhe drejtuesit ishin ndryshuar. Punoi vetëm disa ditë me zë dhe pa figurë dhe u mor vetëm me lajmet e jashtme, derisa një ditë e larguan përfundimisht. Më shumë mbështetje pati Amalia Dhamo, e cial u kthye më vonë. Për ca kohë nuk u duk në ekran as me zë e as me figurë. Gjynahet e saj nuk ishin më të pakta se të kolegëve të larguar në të njëjtën kohë, por nuk di ku gjeti mbështetjen për të qëndruar dhe për të forcuar pozitat e veta. Ajo qëndroi gjatë aty dhe arriti edhe të drejtonte, por si gazetare nuk u shqua; si burokrate po. Karakterit të saj më përshtat i përputhej ai sistem që ajo gjoja e urrente shumë, jo sistemi demokratik.
Duke shkruar për këta kolegë nuk dua as t’u ngre as t’u ul vlerat. Po përpiqem t’i përshkruaj ashtu si i kam parë dhe i kam njohur, se ngjarjet e rënda e tragjike të atij viti zbuluan moralin e vërtetë te disa prej tyre.
Më të moralshëm ishin ata që u larguan dhe nuk u kthyen më sesa ata që qëndruan kur duhet të ishin larguar. Kam parasysh këtu një tjetër koleg, që në mënyrën më të paturpshme, manipuloi informacionin që i transmetoi publikut mbi dhunën e ushtruar mbi opozitën më 28 maj, një vit më parë.
***
Televizioni i vënë plotësisht nën urdhrat e pushtetit qëndroi indiferent ndaj situatës së krijuar në Vlorë. Që nga fundi i muajit shkurt, kur ndodhi përplasja e dhunshme e qytetarëve vlonjatë me strukturat e ShIK-ut, situata kishte dalë jashtë kontrollit. Një front tjetër lufte kishte nisur midis grupeve të armatosura të deklaruara pro dhe kundër qeverisë. Shteti nuk ekzistonte më. Ishte krijuar një komitet i mbrojtjes qytetare, që kishte marrë përsipër mbajtjen e rendit dhe qetësisë në qytet. Për shkak të heshtjes dhe të informacioneve të pasakta dhe të manipuluara që RTV Shqiptar jepte për ngjarjet që ndodhnin në këtë qytet, ky televizion ishte bërë jo i padëshirueshëm, por i urryer për qytetarët e Vlorës.
Vendosja e kontaktit me këtë qytet mbas mungesës së gjatë të kamerës së televizionit, ishte bërë gati e pamundur. Askush nga gazetarët nuk dëshironte të bëhej “kokë turku” për faj të drejtuesve që kishin krijuar raporte armiqësore jo vetëm me Vlorën, por me gjithë Jugun e vendit, të përfshirë nga trazirat dhuna dhe shkatërrimet.
“Kokë turku” u bë një djalë i urtë, i talentuar, që në redaksi përgatiste kronikat kulturore, Leka Ndoja. Leka u nis për në Vlorë. Nuk e di si e kaloi postbllokun te ura e Mifolit, ku një grup i armatosur kontrollonte këdo që kërkonte të shkonte në Vlorë. Grupi ynë i xhirimit desh e pësoi sapo u mësua se kamera që xhironte ishte e TV Shqiptar. Ishin disa të rinj që i dolën në mbrojtje grupit dhe i shoqëruan deri jashtë qytetit, pa i lejuar të realizonin detyrën.
Mbasi nuk mund të heshtej më dhe meqenëse dikush duhej të përgjigjej për këtë neglizhencë në pasqyrimin e ngjarjeve të rënda dhe të jashtëzakonshme, u tentua përsëri të shkohej në Vlorë. Këtë herë për provën e radhës u zgjodh Tefta Radi. Besohej se ndaj një femre do të kishte sjellje të butë, dhe ashtu ndodhi. Tefta nuk shpëtoi pa dëgjuar fjalët plot urrejtje dhe përçmim ndaj televizionit, por nuk u pengua të realizonte një kronikë në këtë qytet, pas dy muaj protestash dhe trazirash të dhunshme.
Në Vlorë kontrollin e qytetit e kishin marrë në dorë grupet e armatosura të ndara edhe këto në të majtë e të djathtë. Mbështetësi i të majtës ishte grupi i kryesuar nga Zani Çaushi, një i ri simpatik rreth 30 vjeç për të cilin kishte një opinion jo negativ dhe flitej se ishte mbështetje për njerëzit e pafuqishëm e të pambrojtur, dhe kundërshtar i fortë i mbështetësve të Sali Berishës. Rritja e fuqisë dhe veprimtarisë, jo rrallë edhe me viktima, e këtyre grupeve zbehu autoritetin e komitetit të shpëtimit. Në vendin tonë kishin mbërritur forca ushtarake nga disa vende fqinje në kuadrin e operacionit Alba të Komunitetit Europian, në ruajtje të rendit e qetësisë publike. Ishin forca ushtarake nga Italia, Greqia dhe Turqia.
Më erdhi radha mua të shkoja në Vlorë. Në këtë shërbim do shoqëroja kryeministrin që do të zhvillonte një takim në Vlorë me Romano Prodin, homologun italian. Udhëtuam me një helikopter të forcave ushtarake italiane. Një ushtar me mitraloz të rëndë ishte fiksuar pranë derës së hapur, duke mbajtur në vëzhgim territorin mbi të cilin kalonim. Pas gjysmë ore u ulëm në një lëndinë pranë kripores së Vlorës, dhe vetëm kur kishin kaluar pak minuta u dëgjua uturima e dukën në qiell tre helikopterë. Nga njëri prej tyre zbriti kryeministri Italian Romano Prodi, që u prit dhe u përshëndet nga kryeministri Fino. Shkëmbyen përshëndetje me njëri-tjetrin dhe menjëherë u futën në makinat që i prisnin.
Grupin e xhirimit të TV nuk e priste askush. Makinat po niseshin njëra pas tjetrës me shpejtësi. Hodha vështrimin i shqetësuar, nëse më priste dikush, por jo. Për një çast mendova se mbeta aty. Në punën tonë duhet të jesh i pari në vendngjarje, ndryshe kronika do të jetë e cunguar, ose mund të dështojë fare. Ky mendim më shqetësoi. Si mund të kthehesha në TV me ca pamje të mbërritjes së kryeministrit Italian në një lëndinë larg Vlorës, që shtrëngonte duart me kryeministrin shqiptar? Përgjegjësia ndaj detyrës më shqetësonte, pavarësisht se nuk më urdhëroi njeri të shkoja, se në institucion nuk kishte më drejtorë e shefa.
Kur pothuajse i kisha humbur shpresat, dikush thirri: “Televizioni?” Ai që na thirri kishte dalë përgjysmë nga makina dhe na i bënte me dorë që të shkonim. Vrapuam dhe u futëm në makinën që u nis menjëherë. Megjithatë, kishim krijuar një distancë nga kreu i kolonës. Me shpejtësi të madhe hymë në qytet, që m’u duk i qetë. Njerëzit që ecnin në rrugë, ndalonin dhe vështronin për pak çaste të habitur kolonën e makinave të shoqëruara me eskortë ushtarake.
Tek universiteti ishin grumbulluar shumë njerëz që pritën me duartrokitje dhe ovacione kryeministrin italian. Ky shesh kishte mbi dy muaj plot me qytetarë dhe nuk u zbraz asnjëherë. Për herë të parë, qysh nga fillimi i vitit, vinte këtu një qeveritar dhe vetë kreu i shtetit italian. Sapo zbrita nga makina bashkë me operatorin, vrapova për te hyrja kryesore. Isha vonë. Ushtarë italianë dhe të rinj shqiptarë të armatosur me kallashnikov kishin bllokuar hyrjen.
– Të lutem, – i thashë atij që ishte më pranë derës,- na lër të hyjmë se jemi vonë! Ai më hodhi një vështrim mospërfillës dhe pyeti kur pa kamerën e operatorit:
– Të kujt jeni?
– Të Televizionit Shqiptar,- u përgjigja.
Pashë që fytyra iu egërsua dhe tha me përbuzje:
– Ik or shkërdhatë, se thirra çunat të të tërheqin zvarrë.
Këto që më tha i prisja, prandaj pata fuqinë të mos tërhiqesha. Pa bërë asnjë hap pas i thashë përsëri:
– Të lutem, kemi ardhur për të xhiruar kryeministrin italian që ka ardhur në Vlorë. Populli duhet ta shohë!
Këmbëngulja ime apo shenja që i dha shoku pranë duke e goditur lehtë me bërryl, bënë që të ndryshonte qëndrim.
– Ku e ke dokumentin e identifikimit të institucionit?- tha me seriozitet.
Nxora shpejt fletëhyrjen e televizionit dhe ia tregova. Ai ma mori nga dora dhe pasi e pa, tha:
– Ti je Timo Luto? Futu, futu, por edhe ti njëlloj si ata të tjerët je. Do t’ju vijë radha edhe juve,- dhe më hapi rrugë të hyja brenda. Shoku në krah të tij ishte Zani Çaushi.
Kryeministri italian Romano Prodi erdhi në Vlorë për të qetësuar popullin e shpërfillur dhe të dhunuar nga pushteti. Prodi preku ndjenjat dhe krenarinë e shqiptarëve, duke kujtuar historinë dhe sakrificat për një vend të lirë. Tregoi se edhe në vendlindjen e tij kishte një qytet si Vlora, ku ishte ngritur flamuri i lirisë. Takimi i Prodit me Finon ishte një sfidë ndaj Berishës të ngujuar në Presidencë dhe të mbrojtur nga një numër besnikësh. Bashkë me kryeministrin bëmë të njëjtën rrugë në kthim. Pas kësaj ngjarjeje kontaktet e TV me Vlorën u bënë të rregullta. Më takoi që kohë më vonë të përgatisja kronikën e gjyqit ndaj Zani Çaushit në Tiranë. Sapo e pashë, u kujtova se ishte pikërisht ai djalë që më mundësoi të bëja detyrën në Vlorë. Me kronikën që dhashë u solla si të isha avokat i Zani Çaushit. Nga çka u tha në gjyq, ai ishte më shumë një Robin Hud, se një kriminel.
Në këto kujtime nuk kam ndërmend të bëj historinë e ngjarjeve që tronditën tërë vendin, por t’i tregoj ato ashtu siç i kam parë nga dritarja e Televizionit dhe objektivi i kamerës. Më duhet t’i prek sado pak, sepse ato më lidhin me institucionin ku punova, i cili për fat të keq nuk u bë pasqyrë e ngjarjeve./Dita