A shtyhet vetting-u pas zgjedhjeve të 18 qershorit? Mjafton të analizosh vendimin e mbrëmshëm të Parlamentit për të rikthyer procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për organet e vetting-ut në zanafillën e tij, për të kuptuar se zbatimi i vetting-ut mbetet për pas zgjedhjeve të 18 Qershorit. Në bazë të vendimit të Kuvendit, Avokatit të Popullit i kërkohet jo vetëm rivlerësimi i 192 kandidatëve që kanë aplikuar, por udhëzon që të rihapet edhe një herë procedura për aplikimet e reja. Konsumimi i të gjitha afateve të parashikuara në ligj nga institucionet përkatëse, mundëson që organet e Vetingut të kenë pak gjasa që të ngrihen para datës 26 Qershor. Duket se gjithshka mbetet pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Ajo që kthjellon më shumë kapërcimin e vetting-ut për pas zgjedhjeve të qershorit është fakti se Parlamenti pritet t’i mbyllë punimet që në muajin maj. Duket qartë se PD e ka realizuar objektivin e saj të disa muajve për të shtyrë vetting-un për pas zgjedhjeve të 18 qershorit.
Afatet kalendarike
Duke marrë shkas nga vendimi i Kuvendit, nga data 7 mars deri në datën 14 mars, Avokati i Popullit do të administrojë aplikimet e reja për të shërbyer në organet e Vetingut.
Brenda 7 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, pra deri në datën 21 Mars, Avokati Popullit, në konsultim me vëzhguesit ndërkombëtarë, përpilon një listë të re me kandidatët të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe një listë me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë këto kritere. Më tej, një komision i përbërë nga të paktën tre përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit vlerëson kandidatët brenda 14 ditëve.
Data 4 prill është afati i fundit që ekipi i vëzhguesve ndërkombëtar t’i dorëzojë Avokatit të Popullit zarfin me listën me kandidatët të cilët kanë marrë vlerësime pozitive apo negative. Avokati i Popullit ia përcjell listën menjëherë Kuvendit.
Afatet për Kuvendin
Kuvendi, brenda tre ditësh nga marrja e listës së kandidatëve, pra brenda datës 7 prill, miraton krijimin dhe përbërjen e një komisioni ad hoc me gjashtë anëtarë, të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare, për vlerësimin e kandidatëve.
Brenda dhjetë ditëve nga krijimi i tij, komisioni ad hoc i përcjell listën e hartuar sipas procedurave, Kuvendit. Lista duhet të paraqitet brenda datës 17 prill. Kuvendi, brenda 10 ditëve nga marrja e listës së kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret formale, listës së kandidatëve, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale, dhe listës së rekomandimeve të ONM, miraton krijimin dhe përbërjen e dy komisioneve ad hoc të përzgjedhjes.
Brenda 30 ditëve, pra brenda datës 27 Maj, nga konstituimi i tij, komisioni ad hoc i përzgjedhjes, zhvillon procedurën për votimin e kandidatëve. Në mbledhjen e parë të secilit komision ad hoc përzgjedhës miratohet kalendari i zhvillimit të seancave dëgjimore me kandidatët, si dhe ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për njoftimin e kandidatëve. Brenda 10 ditëve, pra brenda datës 6 qershor, Kuvendi duhet të miratojë listën e kandidatëve në bllok me 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve.
Por, nëse Kuvendi nuk e miraton listën e kandidatëve në bllok, Kryetari i Kuvendit ia kthen atë komisioneve ad hoc për përsëritjen e procesit të përzgjedhjes dhe për dërgimin e një liste të dytë brenda 10 ditëve, pra brenda datës 16 qershor. Kuvendi, brenda 10 ditëve, pra brenda datës 26 qershor, nga dërgimi i listës së dytë, mund ta rrëzojë në bllok listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij. Në rast se lista nuk rrëzohet, kandidatët e përzgjedhur konsiderohen të zgjedhur.
Afatet e reja për Vetingun
7-14 mars afati për aplikimet e reja për të shërbyer në organet e Vetingut.
21 Marsi afati për Avokatin e Popullit për hartimin e listës së re me kandidatët që i plotësojnë kriteret formale.
4 prilli afati për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit për verifikimin e kandidatëve.
7 prilli afati për Kuvendin për ngritjen e komisionit ad hoc për verifikimin e kandidatëve.
17 prilli afati për komisionin ad hoc për dërgimin e listës tek dy komisione përzgjedhëse.
27 prilli afati për Kuvendin për ngritjen e dy komisioneve ad hoc të përzgjedhjes.
27 Maji afati për dy komisionet ad hoc të përzgjedhjes për votimin e kandidatëve.
6 qershori afati për Kuvendin për miratimin e listës në bllok t֝ kandidatëve me 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve.
16 qershori afati i fundit për dy komisionet ad hoc për përsëritjen e përzgjedhjes nëse Kuvendi nuk e miraton listën e parë në bllok.
26 qershori afati i fundit për Kuvendin për rrëzimin e listës në bllok me 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij, ndryshe emrat në lista konsiderohen të zgjedhur.
ma.me