Po ashtu, parlamenti vlerësoi se 21 kandidatët e përzgjedhur nga Avokati i Popullit të cilët plotësojnë kriteret, janë të pamjaftueshëm pasi duhen 27 emra për funksionimin e komisioneve të Vettingut.
Ndërkohë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka vlerësuar si kandidatë të mundshëm për Komisionet 79 emra nga aplikantët, të cilët kanë pasur mangësi në dokumentacionin e dorëzuar. Tashmë, ata mund të plotësojnë dosjet dhe të përfshihen në listën e kandidatëve pasi kanë kaluar testin e ONM.
Kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi ftoi Avokatin e Popullit të rivlerësojë edhe njëherë kandidaturat.
“Avokati i Popullit solli një listë prej 21 kandidatësh për 28 vende në komisione.
Solli edhe një listë të dytë me 17 emra të cilët nuk plotësojnë kriteret për mungesë dokumentesh, për dokumente të pa noterizuara, dëshmi të gjuhës së huaj.
Komisioni që do ngrinte parlamenti sot do kishte vetëm 21 kandidatë për 28 vende, gjë që nuk na duket e arsyeshme.
Me qëllimin që dhe koha ka qenë e shkurtër dhe ka pasur mungesë eksperience si nga institucioni dhe aplikuesit, parë edhe nga trysnia e madhe ndaj aplikuesve, parë këtë edhe në frymën e një transparence më të gjerë dhe më të plotë për publikun, për një proces sa më të drejtë, për mundësi të barabarta të të gjithë atyre që dëshirojnë, ne gjykojmë që të 70 aplikantët që formalisht kanë mungesë në dokument, t’u japim një kohë prej 7 ditësh. Avokati i Popullit t’i thërrasë këta aplikues të plotësojnë këto kërkesa, me qëllim që komisioni Ad Hoc të ketë një bazë të gjerë dhe jo 21 kandidatë.
Kanë ardhur edhe ankimime nga prokurorë e gjyqtarë, që kanë pasur vullnetin për të aplikuar, por për arsye të mungesës së kohës, nuk u është krijuar mundësia për të aplikuar. Për të dyja këto, qoftë lista me 70 emra që ka kualifikuar Avokati i Popullit, qoftë edhe ata që dëshirojnë të aplikojnë, t’u japim një afat shtatë ditësh, pra deri javën tjetër”, u shpreh Ruçi.