Ka qenë Gjykata e Lartë ajo që ka rikthyer për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë dosjen në ngarkim të 42 vjeçarit Arjan Çelaj nga Vlora i cili është dënuar me burgim të përjetshëm nga dy shkallët e gjyqësorit për vrasjen e trefishtë të shtetasve Luan Curri, Ani Curri dhe Edmond Shemsi.
Autori Çelaj ka paraqitur një kërkesë rekursi pranë Gjykatës së Lartë, me anë të të cilës kërkon pafajësinë. Sot është mbajtur seanca e dytë në Gjykatën e Durrësit, por vendimi u shty për në datën 21 mars. Çështja po shqyrtohet nga trupi gjykues me relator Petraq Currin, i ndihmuar nga Johana Qeleshi dhe Rexhep Bekteshi.
Trupi gjykues mori parasysh kërkesën e organit të akuzës, i cili kërkoi të sillte fakte të tjera të cilat vërtetojnë autorësinë e Çelajt. Mbi të pandehurin Arjan Çelaj, rëndojnë dy akuza: Ajo e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave të kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtjes pa leje”, ku për këtë të fundit Çelaj është dënuar me katër vite burg dhe në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, përfundimisht i pandehuri ka marrë dënimin me burgim të përjetshëm.
Avokati i tij mbrojtës thotë se nuk provohet fajësia e të pandehurit, ndaj ky i fundit ka kërkuar pushimin e çështjes. Rreth orës 22:30 të datës 27.01.2010, në Lagjen nr. 9 të qytetit të Durrësit, një person i armatosur, që sipas prokurorisë dyshohet të ketë qenë shtetasi Arjan Çelaj, ka hyrë në ambientet e një lokali, në vendin e njohur si Lagjja e Re dhe ka qëlluar me breshëri automatiku.
Si pasojë mbetën të vrarë tre persona, ndërsa në lokal në momentin e shkrehjes së armës ndodheshin 9 persona, mes tyre edhe viktimat. Luan Curri dhe nipi i tij, Ani Curri, kanë qenë në një tavolinë, ndërsa shtetasi Edmond Shemsi ka qenë në një tjetër tavolinë duke biseduar me disa të njohur të tij.
Sipas Policisë, nga hetimet e atëhershme rezultoi se objektivi ishte Luan Curri, me të cilin autori kishte një konflikt të hershëm. Nëse automatiku i autorit nuk do të ishte bllokuar pas 19 shkrehjeve, mendohet se do të ishin ekzekutuar të gjithë klientët në lokal.