Ruby Graupera Cassimiro thotë se ajo është vetëm një “femër e rëndomtë”, por doktorët e saj thonë se ajo është mrekulli.
Zemra e Graupera Cassimiro-s kishte pushuar së rrahuri për 45 minuta. Sapo mjekët deshën që ta shpallnin atë të vdekur, ata panë një “kërcim” të EKG-së së saj në monitor. “Unë kisha vdekur”, Graupera Cassimiro ka deklaruar për “ABC News”. “Burri më ka treguar se isha bërë e hirtë, isha e ftohtë si akull dhe buzët e mia nuk kishin ngjyrë”.
Ishte shtatzënë Graupera-Cassimiro, 40-vjeçare, kishte shkuar në spital për të lindur fëmijën e saj me prerje cezariane. Operacioni kishte kaluar mirë dhe bebja ishte shëndosh e mirë, por Graupera-Cassimiro-s filloi që t’i zihej fryma, thotë zëdhënësi i spitalit regjional “Boca Raton”, në Florida, Thomas Chakurda. Gjëja e fundit që i kujtohet asaj, ishte kur e kishin dërguar në dhomën e pushimit pas prerjes cezariane, ku kishte kërkuar një facoletë për ta pastruar hundën. Ajo thotë se ishte ndier sikur ta kishte marrë gjumi. Graupera-Cassimiro më pas kishte pushuar së marri frymë. Doktorët ishin përpjekur për tri orë që ta reanimonin atë, por më kot. Ajo nuk kishte pasur puls për 45 minuta.
Përjetimi i çuditshëm Gjatë asaj kohe, ajo thotë se i ishte dukur sikur të fluturonte në një tunel. “Më kujtohet ta kem parë një qenie shpirtërore, për të cilin mendoj se ishte babai im”, thotë Graupera-Cassimiro, duke shtuar se i kujtohet një dritë që qëndronte prapa babait të saj dhe shumë krijesa të tjera shpirtërore. Por, papritmas një “forcë” e kishte ndalur atë dhe ajo thotë se e kishte kuptuar se nuk mund të shkonte tutje. Zemra e saj kishte filluar të rrihte përsëri edhe pse mjekët kishin kohë që i kishin ngritur duart nga ajo. “Isha zgjedhur të isha këtu”, thotë ajo, duke shtuar se është falënderuese që është kthyer te familja e saj, duke përfshirë edhe vajzën e saj të sapolindur, Taily, e cila ka mbushur 7 javë. Ajo u zgjua pa asnjë dëmtim të trurit, pa asnjë bri të thyer nga kompresionet, si dhe pa asnjë djegie edhe pse mjekët ishin munduar 4-5 herë që ta reanimonin atë me elektroshok.
Mjekët mendojnë se gruaja vuante nga një gjendje e rrallë shëndetësore, që quhet embolizëm i lëngut amniotik, e cila paraqitet kur lëngu amniotik hyn në qarkullim të gjakut, duke shkaktuar droçka të gjakut dhe duke çuar deri te ndalja e punës së zemrës. Graupera-Cassimiro thotë se kjo përvojë e ka mësuar atë që të mos ketë frikë nga vdekja. Ajo thotë se tani ka kuptuar që njerëzit nuk e kanë nën kontroll jetën e tyre, dhe se askush nuk e di se kur ka për të vdekur./express/b.d