Edhe pse kanë punuar për më shumë se 20 vjet nën tokë, 1.500 minatorë të Prrenjasit dhe Pogradecit paguhen me një pension qesharak prej 14 mijë lekësh.
Në një protestë të organizuar këtë të shtunë, ata kanë kërkuar rritjen e pensionit dhe miratimin e statusit të minatorit. Ata thanë se, pensioni që marrin është i njëjtë me atë të një pastruesje dhe nuk u mjafton as për ilaçet.
Edhe pse e kanë kërkuar vazhdimisht, asnjë qeveri nuk ka miratuar statusin e minatorit, i cili sipas tyre do të rregullonte marrëdhënien e shtetit me këtë kategori punonjësish.
Aktualisht Prrenjasi dhe Pogradeci numërojnë rreth 1.500 minatorë pensionistë. Dikur kjo zonë numëronte rreth 8 mijë minatorë, pjesa më e madhe e të cilëve kanë ndërruar jetë.
Minatorët kanë deklaruar se do t’i përshkallëzojnë protestat dhe nuk do të lejojnë asnjë parti politike t’u kërkojë votat sërish atyre.
Ata kanë paralajmëruar përshkallëzimin e reagimit të tyre nëse nuk iu garantohet miratimi i statusit, sikurse ua kishte premtuar kryeministri Rama pas ardhjes në pushtet. /tch/b.d