SPECIALE JAVANEWS/ Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, që sot akuzon të tjerët për lirim të kriminelëve për t’i përdorur në zgjedhje, apo që kërkojnë që zgjedhjet ti fitojnë me kriminel, rezulton të jetë i vetmi politikan i lartë së bashku me Enkeljd Alibeajn, edhe ky zyrtarë I lartë I PD-së, i përfshirë në informacionet zyrtare të ambasadës së SHBA-së si persona që ka ndikuar në lirimin dhe përdorimin e kriminelëve për zgjedhje. Në valën e botimeve të kabllogrameve të Ambasadës Amerikane të Tiranës, bëri përshtypje të thellë në publik një nga kabllogramet, ku renditeshin 7 politikanë të lartë nga partitë kryesore në vend, të cilët Ambasada i rendiste si të lidhur me botën e krimit. Për tre nga këta politikanë të kësaj liste të Ambasadës, thuhej se janë përfshirë në lirimin e të burgosurve në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve të vitit 2009 në formë shpërblimesh për ndihmën që këta të dënuar apo familjet e tyre dhanë në fushatën elektorale të PD-së. Tre politikanët në fjalë, me të cilët lidhej kjo akuzë, ishin Lulzim Basha, Olldashi dhe ish-ministri, Alibeaj.
Në atë kohë gazeta “Shekulli” mundi të sigurojë një raport, nga i cili është furnizuar me informacion Ambasada për të hartuar kabllogramin në fjalë. Në këtë raport hetues që është dorëzuar asokohe në disa ambasada të rëndësishme të Tiranës, bie në sy që të gjithë të burgosurit e listës janë të dënuar për krime shumë të rënda (8 për vrasje) dhe ata të gjithë janë liruar në kundërshtim me ligjin në të njëjtën datë: 19 qershor 2009, 9 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit. Më poshtë pjesë nga ky raport. Personat e renditur në të janë vetëm ata për të cilët hartuesit e raportit kanë paraqitur prova që kanë lidhje me akuzën e lirimit, me qëllim fushatën elektorale. Raporti përmban edhe një listë të dytë me 33 të burgosur të tjerë (6 nga burgu i Lezhës, 5 nga burgu i Peqinit dhe 21 nga burgu i Rrogozhinës), për të cilët autorët e raportit, shprehen me rezerva për qëllimin e lirimit. Më poshtë, pjesë nga raporti ku është mbështetur raportimi i Ambasadës për Uashingtonin:
8.1 ANEKSI I
PËRDORIMI I TË DËNUARVE ME RREZIKSHMËRI TË LARTË SHOQËRORE PËR FUSHATË DHE PRESIONE MBI ZGJEDHËSIT
“…Në zgjedhjet e 28 qershorit 2008, gjatë periudhës elektorale është konstatuar një fenomen shumë i rrezikshëm, siç është përdorimi nga ana e institucioneve qeveritare i personave të dënuar me heqje lirie në funksion të betejës elektorale. Disa informacione të siguruara në rrugë konfidenciale (vetëm për datat 12, 15, 16, 17) tregojnë për një rritje të ndjeshme të lejeve të dhëna për të dënuarit gjatë periudhës zgjedhore, shumica e të cilave në kundërshtim të hapur me ligjin dhe aktet nënligjore përkatëse. Nga informacionet tona në terren një pjesë e mirë e tyre janë përdorur për të bërë fushatë në favor të qeverisë tek familjarët e tyre apo për të riaktivizuar lidhjet kriminale në mbështetje të fushatës pro qeveritare.
- Leje shpërblyese.
Ligji nr. 8328 date 16.04.1998, ndryshuar me ligjin Nr. 9888 datë 10.03.2008 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe paraburgosurve” në nenin 5 (paragrafi i 4, shkronjat b dhe c të tij) ka parashikuar shprehimisht: “Të dënuarve, të cilët respektojnë rregulloren e brendshme të institucionit, kanë sjellje të mirë dhe nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, për realizimin e interesave të tyre emocionale, personale, ekonomike dhe kulturore, drejtori i institucionit mund t’ju japë leje shpërblyese, kohëzgjatja e të cilave, në total nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë në vit.
Në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në ligj, janë dhënë lejet shpërblyese për të dënuarit, madje edhe atyre që vuajnë dënimin në burgje të sigurisë së lartë. Shembujt e poshtëshënuar përbëjnë disa nga shembujt më tipikë të këtij fenomeni negativ. Personat e poshtëshënuar vuajnë dënimin me heqje lirie, janë të dënuar për vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore e me masa dënimi shumë të larta dhe për rrjedhojë nuk plotësojnë kushtet për të përfituar leje shpërblyese sipas parashikimit të ligjit të përshkruar më sipër.
Konkretisht:
Leje shpërblyese të dhëna nga institucioni i ekzekutimit të dënimit me burgim ne Lezhë:
– Isa Doçi është dënuar me 6 vjet e 8 muaj heqje lirie për veprën penale të trafikimit të armëve dhe municioneve, parashikuar nga neni 278/a/1 i Kodit Penal.
Me datën 19.06.2009 këtij të dënuari i është dhënë leje 5 ditore, në shkelje të ligjit Nr. 8328 datë 16.04.1998, ndryshuar me ligjin Nr. 9888 datë 10.03.2008 “Për te drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”, pasi persona të dënuar nga 3-10 vjet u lind e drejta për leje, së pari vetëm nëse kanë vuajtur jo më pak se ½ e dënimit. Personi është dënuar me burgim 6 vjet e 8 muaj. Deri ditën kur i është dhënë leje, ai rezulton të ketë vuajtur vetëm 3 muaj e 8 ditë burg.
– Marjan Lukaj është dënuar me 13 vjet burg për veprën penale të vrasjes.
Me datë 19.06.2009 këtij të dënuari i është dhënë leje 5 ditore në shkelje të ligjit, pasi personave të dënuar mbi 10 vjet burg u lind e drejta për leje, së pari vetëm nëse kanë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit. I dënuari ka marrë si masë dënimi 13 vjet burgim dhe deri ditën kur i është dhënë leje rezulton se ai të ketë vuajtur vetëm 6 vjet e 3 muaj e 22 ditë burg, ndërkohë që për të fituar të drejtën e lejes ai duhet të kishte vuajtur jo më pak se 8 vjet e 8 muaj.
– Shpëtim Beqiri është dënuar më 13 vjet burg për veprën penale të vrasjes.
Me datë 19.06.2009 këtij të dënuari i është dhënë leje 5 ditore në shkelje të ligjit, pasi personave të dënuar mbi 10 vjet burg u lind e drejta për leje, së pari vetëm nëse kanë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit. I dënuari ka marrë si masë dënimi 13 vjet burgim dhe deri ditën kur i është dhënë lej , rezulton se ai të ketë vuajtur vetëm 6 vjet 3 muaj e 22 ditë burg, ndërkohë që për të përfituar të drejtën e lejes ai duhet të kishte vuajtur jo më pak se 8 vjet e 8 muaj burg.
Institucioni i ekzekutimit të dënimit me burgim, Peqin:
– Emiljano Domi është dënuar me 15 vjet burg për veprën penale të vrasjes.
Me datë 19.06.2009 këtij të dënuari i është dhënë leje 4 ditore në shkelje të ligjit, pasi personave të dënuar mbi 10 vjet u lind e drejta për leje, së pari vetëm nëse kanë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit. I dënuari ka marrë si masë dënimi 15 vite burgim dhe deri ditën kur i është dhënë leje, rezulton të ketë vuajtur vetëm 4 vjet e 1 muaj, ndërkohë që për të përfituar të drejtën e lejes ai duhet të kishte kryer mbi 10 vjet burg.
Institucioni i ekzekutimit të dënimit me burgim, Lushnjë:
– Artan Goxhaj, dënuar me 25 vjet burg për veprën penale të vrasjes.
Me datë 19.06.2009 këtij të dënuari i është dhënë leje 4 ditore në shkelje të ligjit, pasi personave të dënuar mbi 10 vjet u lind e drejta për leje, së pari vetëm nëse kanë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit. I dënuari deri ditën kur i është dhënë leja rezultonte ketë vuajtur vetëm 14 vjet e 4 muaj e 12 ditë, ndërkohë që për të përfituar drejtën e lejes ai duhet të kishte vuajtur jo më pak se 16 vjet e 8 muaj burg.
Institucioni i ekzekutimit të dënimit me burgim, Tepelenë:
– Arjan Sina, dënuar me 18 vjet burg për veprën penale të vrasjes.
Me datë 19.06.2009 këtij të dënuari i është dhënë leje 3 ditore në shkelje të ligjit, pasi personave të dënuar mbi 10 vjet u lind e drejta për leje, së pari vetëm nëse kanë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit. I dënuari deri ditën kur i është dhënë leja rezulton të ketë vuajtur vetëm 9 vjet e 28 ditë, ndërkohë që për të përfituar drejtën e lejes ai duhet të kishte vuajtur jo më pak se 12 vjet burg.
Institucioni i ekzekutimit të dënimit me burgim, Rrogozhinë:
– Bujar Sinjari është dënuar 17 vjet për shfrytëzim prostitucioni. Ka vuajtur vetëm 6 vjet e 10 muaj dhe i kanë mbetur 10 vjet, 2 muaj e 16 ditë. Për të përfituar leje shpërblyese duhet të vuante 2/3 të dënimit, pra 11 vjet e 4 muaj!
– Altin Patoku i dënuar 8 vjet për prodhim dhe shitje narkotikësh. Ka vuajtur vetëm 3 vjet e 1 muaj dhe i kanë mbetur 4 vjet e 11 muaj. Për të përfituar leje shpërblyese duhet të vuante ½ e dënimit pra të paktën 4 vjet.
– Spartak Kazazi i dënuar 20 vjet për vrasje me dashje. Ka vuajtur vetëm 3 vjet e 11 muaj dhe i kanë mbetur 16 vjet e 1 muaj. Për të përfituar leje shpërblyese duhet të kryente 2/3 e dënimit, pra jo më pak se 13 vjet !!!.
– Skënder Kulla i dënuar 12 vjet për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Ka vuajtur vetëm 7 vjet e 1 muaj dhe i kanë mbetur 4 vjet e 11 muaj. Faktikisht, duhet të kryente 2/3 e dënimit, pra 8 vjet për të përfituar lejen shpërblyese!
– Ilir Tosku i dënuar me 5 vjet për vrasje të mbetur në tentativë. Ka vuajtur vetëm 1 vit e 2 muaj dhe i kanë mbetur 3 vjet e 10 muaj. Për të përfituar të drejtën e lejes duhet të kryente ½ e dënimit, pra jo më pak se 2 vjet e 6 muaj.
– Sokol Genica i dënuar 10 vjet heqje lirie për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Vuajtja e dënimit i ka filluar më 14.04.2009. Ky i dënuar është me ndikim të madh në elementët kriminalë të rrethit Fier. Para 2 muajsh ky person është transferuar në burgun e Rrogozhinës dhe brenda kësaj periudhe i është dhënë 3 herë (!!!) leje shpërblyese (përkatësisht 7 ditë, 5 ditë dhe 14 ditë leje). Konkretisht më datë 01.06.09 është kthyer nga leja dhe me datë 04.06.09 është rinxjerrë përsëri me 14 ditë leje dhe është aktivizuar për fushatë proqeverisë në zonën e Fierit ku janë në listën e kandidatëve ministrat Olldashi (ish-ministër i Brendshëm, aktualisht ministër i Transporteve) dhe Alibeaj (Ministër i Drejtësisë).
Kabllogrami amerikan i 13 gushtit 2009:
Kabllogrami në fjalë ka titullin “Kriminelët bëjnë ligjin në parlamentin shqiptar” dhe mban datën
13 gusht 2009. Është firmosur nga ish-ambasadori Uidhers dhe marrësi është Departamenti i Shtetit Amerikan. Statusi i kabllogramit është “material i klasifikuar”. Kabllogrami nis me fjalët:
“Përveç qetësisë në ditën e zgjedhjeve, në vëmendjen tonë kanë ardhur sinjale të forta njerëzish që kanë marrë pjesë ose janë përfshirë në krimin e organizuar që janë përfshirë në manipulimin e mundshëm të zgjedhjeve të 28 qershorit. PD, PS dhe LSI, kanë lidhje me krimin e organizuar…”.
Më pas pasi flet për rastin Keka, (Aleks Keka), Ambasadori rendit nën okelion “shkelësit e ligjit bëhen ligjbërës”, 7 politikanët më të rëndësishëm të lidhur me krimin e organizuar.
Për Lulzim Bashën, Olldashin dhe Alibeajn, kabllogrami thotë:
“..Ministri i Jashtëm Basha, i cili përfaqësoi PD-në në Elbasan, është përfshirë në lirimin e një krimineli të famshëm në Elbasan në këmbim të mbështetjes së familjes së tij…”
Për Olldashin dhe Alibeajn, kabllogrami thotë:
“…Rrethanat lidhin Olldashin dhe F.K. në Fier me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj në një skemë për të liruar të burgosur nga burgu për të vepruar si “të fortë” në zgjedhje…”
Më poshtë, ambasadori bën një detajim të zymtë të situatës duke shkruar:
“…Këta individë janë sot deputetë, kanë imunitet nga ligji dhe janë përgjegjës në bërjen e ligjeve që do të shtyjnë Shqipërinë përpara në integrimin Euro-Atlantik. Sjellja e sëmurë, ndoshta kriminale, e shumë prej deputetëve shqiptarë është shqetësuese dhe nuk premton për zhvillim demokratik. Ky është një fenomen shumë shqetësues, të cilin ne, komuniteti ndërkombëtar, duhet ta adresojmë në një farë mënyre në të ardhmen. Sa kohë do të ruhet për të larguar këta nga pushteti, është një tjetër pyetje. Në fund të fundit, paraja i jep jetë politikës dhe në një vend të varfër pa transparencë financiare ose traditë donatorësh të vegjël që mbështesin kandidatin e preferuar, kriminelët janë një burim i lehtë për fondet e fushatës..”/ javanews.al
ma.me