Artan Fuga është kthyer në një nga përpiluesit publikë të ideve të çadrës së protestës së PD-së. Nja një majtist i thekur (thuhet se është një nga personat që ka bërë programin e PS-së pas ndryshimit të emrit nga PPSH, në PS), Artan Fuga është kthyer sot në mbështetësin më të flaktë të Lulzim Bashës.
Për Fugën, Basha është Mesia që i mungon këtij vendi. Interesant është fakti se përballë tij në betejën mediatike, qendron i nipi, Endri Fuga, që është këshilltari i Ramës për mediat.
Gazeta Mapo ka bërë një shkrim sot, pikërisht për përballjen e dy Fugave.
“Vite më parë Endri Fuga ndoqi këshillën e xhaxhait, profesorit të filozofisë Artan Fuga dhe studioi komunikim, duke ia dalë në fund të ishte pjesë e rëndësishme e komunikimit publik të kryeministrit. Drejtori i Komunikimit të qeverisë është padyshim një nga njerëzit kyçë të Edi Ramës.
Ai vetë nuk ka një profil dhe aq publik dhe as duket se interesohet për këtë pjesë, por ka fituar ndërkohë status dhe njohje jo të zakonshme, krahasimisht me të tjerë para tij në atë rol. Fuga ndërkohë akuzohet nga opozita si “Gebelsi” pranë kryeministrit dhe po ashtu si ideator i asaj që ata e shohin si spektakël politik apo prezencë e tepruar e shefit të qeverisë në media. Për të madje ka edhe akuza se manipulon vetë tituj gazetash apo lajme televizionesh.
Por ndërsa pozicioni i tij është i qartë në krah të qeverisë, xhaxhai i tij, profesori Artan Fuga edhe pse ka qenë i angazhuar në politikë si publicist, asnjëherë më parë nuk ka pasur qëndrime të qarta pro një pale”, shkruan gazetari Vladimir Karaj.
Në 2013 Fuga shkroi një artikull të gjatë sqarues rreth një ‘keqkuptimi’ se kishte firmosur një peticion të shumicës së atëhershme.
“Atje thosha se unë nuk i ‘fus hundët’ në punët e të tjerëve dhe nuk bëhem arbitër i sjelljes qytetare dhe politike të të tjerëve. Jemi një botë e lirë dhe secili merr pjesë në shoqëri me mënyrën e vet dhe kontribuon si e mendon”, shkruante Artan Fuga në atë sqarim.
Por së fundmi ai ai ka ndryshuar qendrim, dhe duke u vendosur përballë nipit, është bërë “shkruesi i vijës ideologjike” të opozitës.
Ai jo vetëm i ka bërë thirrje të tretëve të përfshihen në çadrën e ngritur para Kryeministrisë, por haptazi ka marrë krahun e Bashës edhe para deputetëve skeptikë të PD-së, madje edhe një farë mbrojtjeje ndaj liderit të opozitës.
Qëndrimet e tij publike që e kanë vënë përballë Endri Fugës, nipit që ndodhet ndërkohë në godinën e kryeministrisë, duken si anekdota ilustruese më e mirë e situatës së një vendi të ndarë thellë politikisht.
ma.me